E majta e re
• Artur DuçkallariDekada e fundit ka shënuar zhvillime kuptimplota për forcat politike të majta në Evropën Perëndimore. Laburistët e rinj të Toni Blerit në Britani dhe projekti politik i Valter Veltronit në Itali, janë dy kulmimet më të mëdha. Këto orientime programore po penetrojnë nga Evropa edhe në Shqipëri, duke synuar t'i japin jetë një të majte të re, që duhet të bëjë pjesë të saj ...kontribuuesit për projektin e ri politik dhe jo tkurrjen apo përjashtimin e tyre.Në evolucionin programor të së majtës, demokracia sociale përfaqëson atë doktrinë politike që lidhet me organizimin dhe drejtimin demokratik të shoqërisë, bazuar në principet e barazisë dhe të drejtësisë sociale, të promovimit të interesave të prodhuesve dhe të vlerave materiale e shpirtërore. Mbrojtja sociale e shtresave shoqërore të pafavorizuara, përmes kufizimit të pushtetit të klasave sociale të pasura, në mënyrë të veçantë kufizimit të monopoleve, është një bosht themeltar i demokracisë sociale.Pas rënies së sistemeve totalitare komuniste në vendet e Evropës Lindore, koncepti i demokracisë sociale hyri në një fazë të re, ku theksi u vendos në parimet e shtetit të së drejtës dhe të mbrojtjes sociale. Sot në Evropën Perëndimore, demokracia sociale përfaqëson një ndër doktrinat politike kryesore, si alternativë e besueshme për organizimin dhe drejtimin demokratik të shoqërisë. Duke e konsideruar demokracinë një forcë sociale aktive, doktrina e demokracisë sociale është zhvendosur nga koncepti liberal klasik, sipas të cilit shteti nuk duhet të ndërhyjë në ekonominë e tregut për të siguruar punë dhe siguri për shtetasit e vet. Në momentet kur janë në pushtet, partitë e doktrinës së demokracisë sociale kanë zhvilluar një sistem masash sociale për të mundësuar mbrojtje sociale dhe garantuar mirëqenie, duke synuar edhe reduktimin e varfërisë. Sipas koncepteve të demokracisë sociale, partitë politike nuk duhet të synojnë vetëm problemin e pushtetit, por mbi të gjitha rolin për të siguruar një lidhje ndërmjet shtetit dhe shoqërisë. Pikërisht kjo prirje e bën demokracinë sociale një zgjedhje të ndërmjetme të dy krahëve tradicionalë ideologjikë. Rruga e tretë simbolizon një vizion të ri politik, doktrinar, teorik, përtej ndryshimit tradicional ndërmjet të majtës dhe të djathtës, respektivisht pasardhëse simultane e socialdemokracisë së tipit të vjetër dhe neoliberalizmit. Me fjalë të tjera, prirja për ndryshimin e dualizmit politiko-ideologjik "e majtë-e djathtë" dhe apelimi për një rrugë të tretë nismojnë nevojën për të kërkuar zgjedhje komplekse përkundrejt problemeve të qytetarëve dhe të shoqërisë, e cila ndodhet në një proces intensiv globalizimi, duke përdorur sigurisht ato çfarë mbeten të pranueshme dhe të dobishme nga trashëgimia demokratike e dy krahëve tradicionalë të politikës. "E majta e vjetër iu kundërvu ndryshimit. E djathta e re nuk do ta administrojë atë. Duhet që ne ta drejtojmë këtë proces për të sjellë prosperitet dhe solidaritet social", deklaronte Toni Bler, në drejtimin e laburistëve të rinj.Pjekja e politikës shqiptare dhe orientimi i saj drejt pakteve për çështje madhore kërkon si nevojë formatimin e një të majte të re, duke lënë pas politikën 17-vjeçare. Paktet e sinqerta brenda së majtës do të shmangnin rrezikun e zvarritjes apo më keq akoma, të dështimit të mundshëm të radhës në përballjen politike të vitit 2009. Një e majtë e re do të ishte garanci për një Shqipëri të re.Për të majtën e re, rruga e tretë duhet pranuar se është një projekt politik mjaft i vështirë, sepse ajo promovon pikërisht atë që në Shqipërinë e sotme duket e pamundur: shtetin e mirëqenies sociale, këtë formë të qeverisjes, ku shteti merr përmes ligjit përgjegjësinë për mbrojtjen dhe promovimin e mirëqenies së qytetarëve të vet. Garantimi i të ardhurave minimale, kujdesi shëndetësor, edukimi e arsimimi, mbështetja për invalidët, pensionistët e të papunët, mbeten kolonat bazë të shtetit të mirëqenies sociale. Shqipëria ka nevojë pikërisht për këtë projekt të ri politik, që përcakton shumicën e qytetarëve si përfitues të qeverisjes. Rruga e tretë nuk është vetëm një ideologji, por edhe një model social-ekonomik i provuar.(Autori është sekretar politik i Partisë Demokracia Sociale)