E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i 40 kg heroinë, “tërhiqen” dëshmitarët



TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda nuk u njoh dje me dëshmitë e dy të bashkëpandehurve të Zaim Tafës, në procesin gjyqësor të këtij të fundit, ndonëse ata erdhën në seancë. Gjermani Daniel Englert dhe shqiptari Albert Pëllumbaj, të dy dëshmitarë në cilësinë e të bashkëpandehurve në një procedim të lidhur penal nuk pranuan të dëshmonin para gjykatës. I pandehuri Tafa, i cili akuzohet nga prokuroria si i përfshirë në trafikimin e mbetur në tentativë të një sasie prej 40 kilogramësh heroinë, nuk ishte i pranishëm në seancë. Dëshmitari Daniel Englert u shpreh dje para gjykatës se pranonte të dëshmonte, por se donte praninë e avokatit të tij mbrojtës. Englert nuk ra dakord me një avokat kryesisht, që ia caktoi gjykata. “Dëshiroj të deklaroj në asistencën e avokatit tim”, u shpreh Englert. Ndërsa, i bashkëpandehuri i tij, Albert Pëllumbaj, u shpreh para gjykatës se nuk dëshironte të pyetej si dëshmitar. Në vijim gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për administrimin në dosje të procesverbalit të deklarimeve të dhëna nga Pëllumbaj në vitin 2009 gjatë fazës së hetimeve paraprake. Zaim Tafa gjykohet tek Krimet e Rënda, në gjendje të lirë, në një proces të veçuar nga të bashkëpandehurit e tij, Daniel Englert, Albert Pëllumbaj dhe Franc e Rexhina Kiascek. Gjykata për Krimet e Rënda mbylli shqyrtimin gjyqësor ndaj gjermaneve Englert e Kiascek dhe shqiptarit Pëllumbaj në 20 prill të këtij viti, duke i dënuar me një total prej 49 vjetësh burg, ndërsa aktualisht dosja është në shqyrtim në Apelin e Krimeve të Rënda. Një seancë më parë Regina Kiascek dëshmoi se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk e njihnin Zaim Tafën dhe se kishin ardhur në Shqipëri për të transportuar piktura. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›