E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, policia plan masash për sezonin turistik



TIRANE - Policia e kryeqytetit ka hartuar një plan masash për sezonin turistik qershor-shtator 2010, në mënyrë që të shmangë trafikun e rënduar, mbipopullimin në bregdetin e Kavajës, fluksin e turistëve që kalojnë nëpërmjet Aeroportit të Rinasit, por edhe parandalimin e ngjarjeve kriminale. Me qëllim për të krijuar kushte normale pushimi për shqiptarët dhe turistët, të cilët do të frekuentojnë plazhin në bregdetin e Kavajës, Golemit, Spillesë, etj., apo zonat turistike të Qarkut të Tiranës, për sezonin turistik, policia publikoi dje planin e masave. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së kryeqytetit, mësohet se më me prioritet gjatë këtij sezoni do të punohet në drejtim të parandalimit të veprimtarisë kriminale dhe rritjen e sigurisë në vendet e pushimit. Po kështu shmangia e aksidenteve automobilistike dhe rritja e sigurisë në rrugë, është një tjetër pikë e rëndësishme në planin e masave. Pritet një rritje e cilësisë së shërbimit policor gjatë kontrollit në territorin e Qarkut të Tiranës, krijim i kushteve normale dhe garancisë për rend dhe siguri, si dhe ardhja në ndihmë për komunitetin nga ana e policisë. Një rëndësi e veçantë do i kushtohet gjatë kësaj periudhe mbajtjes nën kontroll të personave me precedentë penalë dhe kapjes së personave të kërkuar nga policia. Drejtuesit e policisë së kryeqytetit kanë dhënë detyra të veçanta, bashkangjitur me planin e masave për të gjitha komisariatet e Tiranës, atë të Policisë Rrugore dhe të Kavajës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›