E Diel, 1 Nëntor 2026

Porto-Romano, plazhi i kristaltë i ish-kimikes

Nami i keq i ndërmarrjes kimike të Porto-Romanos nuk i ka penguar asnjëherë pushuesit të frekuentojnë vit pas viti plazhin me të njëjtin emër. 

DURRES/ OERD ULQINI

 Pavarësisht faktit se nëntoka është e helmuar me lindan dhe se 300 metra më në veri Hidrovori derdh në det tonelata të tëra me kimikate dhe detersivë askush nuk do t'ia dijë. Në këto ditë korriku plazhi i "fshehur" pas kodrave është i mbipopulluar. Për të shkuar nuk është ndonjë problem i madh pasi, asfalti ka arritur deri në lartësinë maksimale të kodrës. Më pas vjen zbritja, e cila kryhet mes një rruge plot pluhur dhe gropa. Kthimi është një tmerr i vërtetë, pasi ngjitja e kodrës argjilore kryhet në zhegun e vapës, atëherë kur pushuesit shkojnë për të drekuar në shtëpi. Në kontrast të fortë me plehrat e hedhura kudo, deti në Porto-Romano vazhdon të jetë i kristaltë. Këtu plazhi është publik. Çadrën mund ta ngulësh ku të duash, mjaft të gjesh vendin ku nuk ka plehra. Por mbetjet e depozituara pas çdo dite plazh dhe mungesa e aksioneve pastruese e bëjnë gjetjen e një vendi të pastër gjithnjë e më të vështirë. Por plazhi popullohet vazhdimisht edhe nga bagëtitë. Mbi 200 krerë bagëti të imëta e të trasha ushqehen me barin e kodrave argjilore. Dhitë janë ato më të guximshmet, të cilat pasi zbresin mjeshtërisht kodrat thikë të argjilës mësyjnë rërën në kërkim të ushqimit. Lëkurat e shalqirit, të vedenit, të fiqve apo mbetjet e tjera të hedhura mbi rërë, ndjellin vazhdimisht kafshët barngrënëse dhe mishngrënëse. Guximi i dhive është i madh, pasi ato shpeshherë u hanë bukën e marrë me vete edhe pushuesve.
Në Porto-Romano janë shtuar shumë bagëtitë. Shumë prej tyre përdoren për transport, pasi këtu mungon uji dhe në terrenin e vështirë kodrinor kjo mbetet zgjidhja më e mirë e mundshme. Skaji më verior i kodrave të Durrësit është populluar me një shpejtësi marramendëse këto 10 vitet e fundit. Banorë nga Kukësi, Tropoja, Mirdita, Skrapari etj., kanë mbërritur këtu falë dyndjeve demografike. Nëse me peshkim merren vetëm vendasit e Spitallës, banorët e tjerë ushqehen falë blegtorisë. Këtu mungon uji, duke penguar në zhvillimin e bujqësisë. Bimësia e harlisur mesdhetare përbën një habitat ideal për gjedhët, ndaj këtu mbarështohen bagëtitë për transport, mish dhe qumësht. Gjithçka ndodh në "zemrën" e një zone turistike, e cila deri përpara se të ndërtohej kimikja famëkeqe konsiderohej plazhi më i bukur i durrsakëve.
Në plazh vijnë çdo ditë 200-300 pushues, shumica e të cilëve banorë të zonës informale. Për turistët ky plazh mbetet ende tabu, pasi rruga është thuajse e papërshkueshme nga makinat. Në plazhin mesdhetar ku lulëzojnë oleandrot dhe gjineshtrat, vepron vetëm një sipërmarrës turistik. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, pasi fuqia blerëse e banorëve është e vogël, ndërsa këmba e turistit që ka para këtu shkel rrallë. Porto-Romano vazhdon të mbetet plazhi i bukës dhe i ujit të marrë me vete. Fortifikimet e ushtrisë këtu janë prezente ngado që të hedhësh sytë. Shumica e bunkerëve janë fundosur nën rërë, ndërsa të tjerët janë "rrjepur" nga mbledhësit e hekurit. Këto janë dëshmitarët "memecë" të një plazhi të militarizuar, i cili tashmë po përjeton një tjetër fazë të vështirë të historisë së tij mjaft të lashtë.

Fundjava, në Vlorë mijëra pushues

VLORE - Plazhi i Vlorës priti në fundjavë mijëra pushues, vendas e të huaj. Këtë sezon ata kanë gjetur plazhe më të pastra, më shumë rërë dhe kushte të tjera të nevojshme për të kaluar në relaks. Ndryshe nga vitet e tjera, ku jo rrallë herë janë lënë në gjysmë pushimet për shkak të mungesës së kushteve më elementare, siç janë uji dhe dritat, sivjet këto probleme duket se kanë marrë fund. "Kishim tjetër ide kur erdhëm. Na thanë se ka probleme papastërtie, uji, dritash etj., por po shohim se situata është komplet tjetër", tha një shqiptar nga Maqedonia, i cili prej disa ditësh ka zgjedhur brigjet e jugut për të kaluar pushimet. "Ndryshe na kanë folur për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ndryshe janë, siç po shohim. Këtu ka rërë e det të pastër. Më shumë reklamë duhet t'i bëni vendit tuaj", këshillojnë pushuesit që vijnë nga shteti fqinj. I vetmi shqetësim për pushuesit vendas e të huaj mbetet trafiku i rënduar tek zona e Skelës dhe Ujit të Ftohtë.                       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›