E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i PDK në apel, reagon Gurakuqi pas vendimit të gjykatës për të njohur të shkarkuarin Ndoka si kryetar

Partia Demokristiane ka reaguar dje për çështjen e legjitimitetit të saj, e mbajtur peng nga gjykata, për muaj me radhë dhe në kundërshtim me vullnetin e demokristianëve në vend. Kryedemokristiani Anton Gurakuqi deklaroi dje se pas një procesi të stërzgjatur gjyqësor, të mbushur me seanca denigruese dhe mospërfillëse, gjyqtari Artur Gaxhi, mori guximin të shpërfillë vullnetin politik të shprehur në mënyrë demokratike nga mijëra demokristianë për shkarkimin e Nard Ndokës dhe zgjedhjen e Anton Gurakuqit në postin e Kryetarit të PDK-së.
“Me vendimin e tij, ky gjyqtar, emri i të cilit përfshihet në relacionet e Ministrisë së Drejtësisë për shkeljet që ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës, nuk bëri asgjë më shumë veçse thelloi mëkatin e tij për dhënien e drejtësisë.
Duke u nisur nga disinformimet e Nard Ndokës që herë thotë publikisht se ka fituar gjyqin për PDK-në, e herë se nuk ka asnjë çështje në gjykatë, ne informojmë opinionin publik se këtë betejë ligjore, po e vazhdojmë në Gjykatën e Apelit në përputhje të plotë me vullnetin legjitim të demokristianëve shqiptarë. Ne jemi të bindur jo vetëm se do ta fitojmë, por njëkohësisht do të japim kontributin maksimal për të pastruar drejtësinë dhe gjyqësorin nga Ndotjet, pavarësisht emrave që kanë”, tha Gurakuqi.
Kreu i PDK-së shtoi se në Ministrinë e Drejtësisë, prej gati 2 vjetësh janë të depozituara dokumente dhe fakte që provojnë shkeljet proçeduriale dhe ligjore të gjykatësit që s’jep drejtësi Artur Gaxhi. 
Ai theksoi se apatia e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bën që sistemi gjyqësor në vend të gllabërohet nga persona që veprojnë në shkelje të hapur me ligjin dhe sigurisht të korruptuar.
“Me keqardhje konstatojmë që KLD, megjithëse ka fakte dhe prova të tilla, që kanë burim inspektimet e Ministrisë së Drejtësisë, nuk i merr në shqyrtim dhe nuk merr masat e duhura administrative dhe ligjore ndaj gjyqtarëve të tipit Gaxhi. Mos efektiviteti i KLD-së në zbatimin e ligjit, është në dëm të drejtësisë në vend dhe sigurisht pushteti gjyqësor do të jetë i ekspozuar nga fenomenet që dënojnë drejtësinë. Heshtja e KLD do të merret apriori, si aprovim i veprimeve arbitrare”, u shpreh Gurakuqi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›