E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizohet nën kujdesin e Kryeministrit, një koncert inaugural për fillimin e vitit të ri diplomatik

Nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme është organizuar më 20 janar një koncert inaugural për fillimin e vitit të ri diplomatik dhe hapjen e sezonit artistik për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm titullarë  të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, anëtarë të qeverisë, deputetë si dhe një numër i madh personalitetesh të fushave të ndryshme të vendit. Në fjalën e hapjes Kryeministri Berisha vuri në dukje se kjo veprimtari zhvillohet menjëherë pas ceremonisë për fillimin e detyrës së Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama.
Kryeministri Berisha përshëndeti ngrohtësisht Presidentin Obama, këtë figurë që shënon një ndryshim simbolik dhe epokal të SHBA-ve, aleates më të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke iu referuar ceremonisë së betimit të presidentit Obama, Kryeministri Berisha tha se ceremonia e organizuar me këtë rast në Capitol Hill përbën simfoninë më madhështore njerëzore, me ndikim në çështjet e mëdha të SHBA dhe globit, një veprimtari që do të mbahet mend gjatë dhe që shënon erën e ndryshimit dhe prosperitetit, epokën e vijimësisë së ëndrrës së madhe amerikane.
Duke e konsideruar simbolikë të veçantë faktin që viti i ri koncertor hapet në të njëjtën ditë me vitin e ri diplomatik, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë si një veprimtari të suksesshme në shërbim të vendit. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e diplomacisë dhe i uroi Ministrisë së Punëve të Jashtme suksese të mëtejshme në angazhimet madhore të vitit 2009, anëtarësimin e  plotë të vendit në NATO dhe avancimin e procesit të integrimit në BE.
Kryeministri Berisha përgëzoi gjithashtu zotin Zhani Ciko dhe muzikantët e talentuar  të orkestrës “Virtuozët e Tiranës” të drejtuar prej tij, të cilët japin kontribute të rëndësishme artistike në orkestrat e njohura të kryeqyteteve të Evropës dhe botës, të cilët ai i quajti ambasadorët më të mirë dhe të përhershëm të Shqipërisë në botë.
Më pas nën drejtimin e mjeshtrit të madh Ciko orkestra “Virtuozët e Tiranës”  luajti pjesë nga autorë të njohur nga bota dhe vendi. Veprimtaritë u mbyllën me një pritje të dhënë nga Ministri i Jashtëm Basha, ku morën pjesë titullarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, anëtarë të qeverisë, deputetë, personalitete të ndryshme të jetës së vendit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›