Gjyqi i kthen Silvës huan e Gjallicës
Fatos Mahmutaj
Piramidat e 1997-ës, borxh jo vetëm qytetarëve por edhe njëri-tjetrit. Në fakt janë shuma të konsiderueshme, të cilat ish-bosët e piramidave kanë huajtur mes tyre në kohën që po niste pikiata ekonomike, duke u përpjekur të mbanin sado pak në këmbë strukturat e kalbura të sistemit që ndërtuan gjatë viteve 1993 - '97. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar një kërkesë të administratorëve të pavarur të ish-piramidës "Silva" sh.p.k në administrim, për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, për zbatimin mbi shpalljen debitor të piramidës "Gjallica" në shumën 580.125.000 lekë të reja. Kërkesa është shqyrtuar nga gjykatësi Agim Bendo, i cili në fund të procesit ka vendosur të pranonte padinë e administratorëve të "Silvës" kundër ish-piramidës "Gjallica", për kthimin e shumës prej rreth 5.8 milionë USD. Në vendimin gjyqësor të shpallur më datë 27 korrik dhe që mban numrin e aktit 3408, gjykatësi Bendo ka argumentuar: "Kërkuesi, administratorët e pavarur të shoqërisë "Silva" sh.p.k në administrim, me kërkesën në gjykim i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për zbatimin e vendimit numër 7 datë 22 korrik 1999, mbi shpalljen debitor për shumën 580.125.000 lekë të reja, të shoqërisë "Gjallica" sh.p.k. Ky debitor nuk është treguar korrekt në shlyerjen e detyrimit prej 580.125.100 lekësh në mënyrë vullnetare, duke mbetur aktualisht debitor ndaj kërkuesit". Pra bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, e cila ka qarkulluar nga arka e piramidës "Silva" drejt asaj "Gjallica", në formë huaje, por që nuk është shlyer. Sipas administratorëve të fajdeve në vitin 1999, në bazë të dokumentacionit që u është sekuestruar në momentin e falimentimit shoqërive piramidale, është vërtetuar kjo shumë, objekt i gjykimit në gjykatën e Tiranës. Nisur nga këto dokumente, në korrik të 10 viteve më parë, administratorët e "Silvës" kanë firmosur vendimin me numër 7, në bazë të të cilit kanë shpallur debitor "Gjallicën". Sipas ligjit 8471, datë 8 prill 1999, vendimet e administratorëve përbëjnë tituj ekzekutivë, çka do të thotë se secili prej tyre mund të dërgohet në gjykatë dhe menjëherë të lëshohet urdhri i ekzekutimit për të ngarkuar më pas përmbarimin me ndjekjen e procedurave. Por ndryshe nga kjo, ky vendim është mbajtur në zyrat e administratorëve për 10 vjet me radhë, derisa dy javë më parë u dërgua në gjykatë. Pasi ka analizuar të gjitha provat e depozituara nga administratorët e fajdeve, si dhe duke u mbështetur në ligjin 8471, gjykata pohon se: "Në këto rrethana, gjykata çmon se vendimi i mësipërm përbën titull ekzekutiv, në vështrim të nenit 510 dhe 511 të Kodit të Procedurës Civile si dhe nenit 2, 5 e 8 të ligjit për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridik, jo bankarë, që kanë marrë hua nga publiku i gjerë". Në fund, gjykata ka vendosur së pari, të lëshojë urdhrin e ekzekutimit për zbatimin e vendimit numër 7 datë 22 korrik 1999 të administratorëve të pavarur të shoqërisë "Silva" sh.p.k, mbi shpalljen debitor për shumën 580.125.000 lekë të shoqërisë "Gjallica" sh.p.k me adresë Tiranë, sipas detyrimeve të përcaktuara në të. Ndërsa pika e dytë e vendimit ka të bëjë me ngarkimin e zyrës së përmbarimit të kryeqytetit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ekzekutimi.