Kule: “Viti i ri akademik, problem ambientet e studimit”
Fakultetet do të përballen me problemin e sigurimit të ambienteve gjatë vitit të ri akademik. Viti i ri akademik, 2009-2010, do të nisë me probleme për universitetin e Tiranës, përsa i përket sigurimit të ambienteve të përshtatshme për kryerjen e mësimit. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, shprehet për situatën e krijuar për fillimin e vitit të ri akademik në të gjithë fakultetet e kryeqytetit. Ai shprehet se ka kaluar gati një vit, që problemi i godinës së dy fakulteteve, Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, nuk ka marrë një zgjidhje, për shkak të burokracive. Sipas tij edhe këtë vit, zgjidhja e vetme mbeten godinat me qira, ashtu siç ndodhi edhe një vit më parë.
“Nga pikëpamja e ambienteve do ta fillojmë me probleme sa të mbyllet procesi i rikonstruksionit të ambienteve të godinës së Fakultetit Juridik dhe Shkencave Sociale për vonesa dhe shtyrje të pajustifikuara të burokracisë”,- u shpreh Dhori Kule.
Ky problem gjatë këtij viti pritet të më serioz, pasi numri i propozimeve, për pranimet në Universitetin e Tiranës, e kalon shifrën e 7 mijë studentëve. Ndërkohë që stafi pedagogjik është më i lartë në numër, duke përballuar këtë rritje të numrit të studentëve, krahasuar me një vit më parë. Por, disa ditë më parë, Dhori Kule ka shfaqur dhe shqetësimin e mosmiratimit të masterave të nivelit të dytë. Ai theksoi se viti i ri nuk do të nisë për UT-në, pa miratimin e këtyre masterave.
4 Gusht 2009