Gripi i derrit, evidentohen 15 raste të mundshme me virusin AH1N1
Emanuela Sako
Instituti i Shëndetit Publik bën të ditur se janë 15 raste të dyshuara në vendin tonë si mbartës të virusit të gripit të derrit. Rezultati përfundimtar do të jepet pas kryerjes së ekzaminimeve të sakta në Rumani, të cilat do të verifikojnë të gjitha rastet. Ndërkohë që po shtohen personat e dyshuar, specialistët e ISHP-së shprehen se situata është nën kontroll, pasi virusi në vend nuk është agresiv. Sipas tyre deri më tani janë kryer ekzaminimet për 267 persona në të gjithë vendin. Aktualisht, janë konfirmuar vetëm 8 raste, ndërsa janë në pritje për rezultatet e mjaft persona të tjerë.
Harta
Harta e personave të dyshuar me virusin A, ka zgjeruar kufijtë e saj, duke u shtrirë në disa qytete të tjera të vendit. Sipas të dhënave të publikuara nga ISHP-ja nëpërmjet Buletinit Epidemiologjik, rezulton se në listë janë shtuar edhe qyteti i Gramshit, Matit, Pogradecit dhe Beratit. Këto qytete i bashkangjitene hartës fillestare në të cilën përfshiheshin; Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Fier, Devoll dhe Lushnjë. Numrin më të madh të mostrave të marra për ditët e fundit e mban qyteti i Durrësit, specialistët kanë marrë rreth 20 mostra. Ndërsa Spitali Infektiv i Tiranës, ka marrë plot 127 mostra të qytetarëve që janë dyshuar në fazat e para se janë prekur nga gripi i derrit. Një numër i madh mostrash është marrë edhe në Spitalin e Pediatrisë së Tiranës, të cilat kanë arritur në 56 mostra. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, u shpreh dje për gazetën “Albania” se asnjë nga fëmijët nuk ka rezultuar i prekur nga virusi i gripit. Madje, specialistët e Pediatrisë theksojnë se është shtuar shqetësimi i prindërve për fëmijët, të cilët janë prekur nga virozat stinore, por që prindërit hedhin pretendimet e para se ata janë mbartës të virusit të gripit të derrit.
Rastet
ISHP më në fund ka mundur të zbardhë origjinën e virusit nga e cili u prekën tashmë tetë rastet e konfirmuara në vendin tonë. Kështu, tre prej rasteve të konfirmuara janë marinarë të huaj që kanë udhëtuar në vende të ndryshme, që i përkasin mos moshës 30, 31 dhe 41 vjeç dhe u trajtuan në Spitalin Rajonal – Durrës. Tre persona, aktualisht janë larguar nga vendi në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa katër raste janë të lidhura me udhëtimin kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku mendohet se mund të jenë prekur atje. Për një rast nuk është raportuar asnjë lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Specialistët shprehen se për 11 rastet e mundshme nga 15 që janë aktualisht, dy prej tyre janë paraqitur me shenja të sëmundjes menjëherë pas kthimit nga jashtë vendit (Mbretëria e Bashkuar). Po kështu, tetë raste të tjera nuk kanë kryer udhëtime jashtë vendit dhe nuk kanë pasur asnjë lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Nga këta, 1 rast ka qenë në kontakt me një rast të dyshuar nga specialistët. Asnjë nga rastet e mundshme nuk paraqesin sëmundje shoqëruese përfshi këtu sëmundje respiratore, obstruktive, sëmundje kronike të zemrës, diabet, sëmundje që dëmton imunitetin apo shtatzëni. Të gjitha rastet e paraqitura janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa rrezik për jetën. Shenjat e shfaqura kanë qenë më temperaturë 38 C, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore dhe lodhje. Vetëm dy raste të mundshme paraqisnin shenja klinike për të cilin u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për 1 rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me Tamiflu, ku të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i personave të tjerë që kanë marrë trajtimin në shtëpitë e tyre, pranë familjarëve. Personat që trajtohen në shtëpi, ndiqen nga mjeku i familjes, i cili ndjek rregullat e ISHP-së. Rreth 2 raste janë trajtuar në kushte ambulatore dhe kanë qenë në mbikëqyrjen e mjekëve me Tamiflu.
Shpjegim për rastet e konfirmuara dhe të mundshme
Raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A(H1N1), në laboratorin e referencës për Europën juglindore në Bukuresht, Rumani
Raste të mundshme janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në laboratorin e Virologjisë pranë ISHP, në Tiranë
Raste të dyshimta janë të gjitha rastet që plotësojnë përkufizimin e rastit
Paraqitja klinike
Të gjitha rastet paraqiten në kuadër klinik të lehtë
Shenjat e shfaqura kanë qenë më temperaturë 38 C, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore dhe lodhje
Vetëm dy raste të mundshme paraqisnin shenja klinike për të cilin u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për 1 rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me Tamiflu
Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital
Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë
Rreth 2 raste janë trajtuar në kushte ambulatore dhe kanë qenë në
mbikëqyrjen e mjekëve me Tamiflu
Grupmoshat
Për 8 rastet e konfirmuara, 4 raste janë të grupmoshave 15-24 vjeç, dhe 4 të tjerë 25 – 44 vjeç
11 rastet e mundshme janë të grupmoshave 16 - 61 vjeç, ku predominon mosha nga 25 – 44 vjeç
Nuk ka asnjë rast të moshave pediatrike
4 Gusht 2009