E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi i pedofilisë, zhduken tre të miturit

Zhduken tre të mitur, viktima të skandalit të pedofilisë që tronditi vendin pak vite më parë, njëkohësisht edhe dëshmitarë në një nga proceset gjyqësore në ngarkim të të pandehurve Robin Arnold dhe Dino Kristodulu, të akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me të mitur. Në pritje të dëshmisë së fëmijëve me inicialet L.K, D.M dhe G.B, prej tre muajsh gjykata nuk po arrin t‘i dëgjojë ata pasi ata nuk po gjenden me gjithë kërkimet policore. Gjykatësja Shefkie Demiraj pranoi se duke qenë se të miturit janë endacakë, policia nuk i ka gjetur ende, çka detyroi gjykatën të urdhërojë sërish kërkimin e të miturve.

Për gjetjen e tyre u angazhua edhe prokuroria, ndërsa komisariateve në vend u është lënë në dispozicion dy javë kohë. Por burimet pohojnë se ky proces është drejt dështimit në rast se tre të miturit, më i vogli i tyre vetëm 10 vjeç, nuk gjenden.

Kjo pasi të akuzuarve u përfundojnë afatet e paraburgimit. Ndërkohë burime të tjera pohuan se njëri nga fëmijët, që është dëshmitar në këtë proces, është larguar nga Shqipëria pasi është birësuar nga një familje në Amerikë. Ne seancën gjyqësore ishin të dy britanikët, të cilët këmbëngulën se të miturit janë manipuluar dhe ata janë të pafajshëm.

Prokuroria dyshon se në skandalin seksual për të cilin është dënuar me 20 vjet burg edhe bashkëpunëtori i tyre Xhon Devid Braun, janë të implikuar edhe dy britanikët. Qendra e bamirësisë "Fëmijët e tij" është mbyllur prej vitit 2005, atëherë kur u zbulua edhe skandali për të cilin thuhet se janë abuzuar disa fëmijë të mitur, shumica e tyre jetimë apo të varfër.

Pas bllokimit të qendrës, fëmijët u sistemuan nga shteti në institucione sociale, por pas deklaratës së gjykatës se të miturit janë pa përkrahje dhe endacakë, ngrihet edhe pikëpyetja se përse këta fëmijë nuk u morën në mbrojtje, por janë lënë në mëshirë të fatit.

Disa seanca më parë, Devid Braun, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për abuzime me të mitur, hodhi akuza mbi dy të bashkakuzuarit e tij, të cilët po gjykohen në një çështje të ndarë. Braun ishte thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor në ngarkim të greko-anglezit, Dino Kristodulu, dhe skocezit, Robin Arnold, në Gjykatën e Tiranës. I shoqëruar nga një punonjës policie pranë, në një seancë me dyer të mbyllura, Braun ka rrëfyer për përfshirjen e Kristodulu dhe Arnoldit në qendrën e drejtuar prej tij, "Fëmijët e tij". "Në vitin 2004, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold janë paraqitur në qendrën ‘Fëmijët e tij‘ si vullnetarë", mësohet të ketë pohuar Braun. Sipas dëshmisë së tij, para gjykatës abuzimi me të miturit ishte zbuluar prej tij, pas largimit të vullnetarëve të pranuar nga ai në qendër. "Pasi kanë qëndruar për disa kohë në qendër, si vullnetarë, ata janë larguar. Pasi Dino dhe Robin nuk ndodheshin më në qendër, pesë prej fëmijëve që qëndronin aty më treguan për abuzimet", është shprehur i dënuari me 20 vjet burg për abuzimet seksuale me fëmijët e së njëjtës qendër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›