E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Bandat nuk mund të diktojnë drejtësinë

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kritikoi dje gjyqtarët, të cilët bëhen pengesë për proceset penale të rëndësishme. "Bandat kriminale nuk duhet të ndikojnë në zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe për këtë përgjegjës janë vetë gjyqtarët", u shpreh Spahiu. Sipas tij, një drejtësi e vonuar është në fakt një drejtësi e munguar, duke u përqendruar kështu në zvarritjen pa fund të proceseve gjyqësore. Nënkryetari i KLD-së ka theksuar se përgjegjësia për këtë çështje bie mbi gjyqtarët, por shpeshherë shkak për këtë janë edhe procedurat ligjore. Pikërisht për këtë arsye Spahiu ka kërkuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ndërsa ka vënë theksin në një bashkëpunim më të fortë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë. "Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zhvilloi takimin e radhës me kryetarët e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve. Kjo nismë është pjesë e një pakete reformuese që Këshilli i Lartë i Drejtësisë tashmë ka ndërmarrë në rritjen e performancës së punës së tij, me qëllim që vendimet e Këshillit që prekin interesat e gjyqësorit, të paraprihen nga opinioni i vetë gjyqtarëve", thuhet në njoftimin e KLD-së. Sipas saj, procesi vendimmarrës në Këshill kohët e fundit ka pësuar progres të ndjeshëm, duke reformuar mendësinë se Këshilli nuk operon më me vendime hermetike, përkundrazi çdo çështje e shtruar për diskutim është e hapur, e debatueshme, e motivuar, e publikuar dhe akoma më e rëndësishme: vendimet mbi emërimet, transferimet e promovimet e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave, do të jenë të arsyetuara. "Me citatin e njohur sipas të cilit ‘Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar‘, u diskutuan edhe problematikat mbi vonesat në përfundimin e çështjeve penale me kriminalitet të lartë, vështirësitë që hasin gjyqtarët në përfundimin e shpejtë të gjykimeve dhe propozime konkrete për ndryshim për këto arsye të ligjit procedural penal. Jo pa rëndësi, drejtuesit e sistemit gjyqësor u rikujtuan për detyrimin e tyre ligjor për të mbikëqyrur dhe raportuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, rastet e respektimit ose jo të etikës gjyqësore dhe të solemnitetit, si dhe disiplinën në punë të gjyqtarëve", thanë burimet zyrtare nga KLD-sa. Sipas saj, ligji organik i pushtetit gjyqësor i parashikon këto kompetenca të kryetarit të gjykatës jo vetëm si pjesë e autoritetit të tij, por edhe si aspekte vlerësuese të veprimtarisë së kryetarit të gjykatës, të cilat do të analizohen në procesin e vlerësimit të kryetarëve në të ardhmen, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›