E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi ndaj Ramiz Alisë dhe bllokmenëve: Urdhëruan vrasjet në kufi në vitin 1990

 

AFRIM IMAJ

Një mal me akuza për vrasje në kufi, për dhunim të besimit fetar, për internim dëbime masive, për ekzekutime pa gjyq e për represion sistematik ndaj qytetarëve në adresë Ramiz Alisë dhe krerëve të tjerë të regjimit komunist, në fund të procesit gjyqësor të vitit ‘94, konvertohet në dënimin për shpërdorim të rregullit të detyrës(!).
Me prova e dëshmi të shumta ish-liderët komunist u kryqëzuan fillimisht për nxitjen e dhunimit ndaj fesë dhe lirisë së besimit fetar. Ramiz Alia ish-presidenti i fundit i regjimit diktatorial, u akuzua si protagonisti kryesor i fushatës shfarrosëse të institucioneve të kultit që nisi në rrethin e Durrësit në fillimin e vitit ‘67. Prania e tij në krye të këtij aksioni politik, siç u provua gjatë procesit, i dha zhvillime të vrullshme lëvizjes monstruoze për të goditur besimin fetar dhe për të persekutuar personalitetet e klerit në Shqipëri. Fjala e Enver Hoxhës më 6 shkurt të vitit ‘67, do ta sanksiononte përfundimisht veprën antikushtetuese me dëme të jashtëzakonshme në konstruksionin shpirtëror të popullit. Njëherazi me ish-presidentin komunist, trupi gjykues fajësoi për këtë “episod krimi”, siç cilësohet në dosjen e procesit, Rita Markon, ish-Sekretarin e Parë të Partisë të Durrësit si dhe Adil Çarçanin e Manush Myftiun ish anëtar të Byrosë Politike dhe pjestarë të Këshillit të Ministrave. Ata u akuzuan se kishin shkelur rregullin e detyrës për të cilën duhej të përgjigjeshin penalisht. Gjithsesi, pjesa më tronditëse e procesit, siç duket nga dokumenti, ishte ballafaqimi i fuksionarëve të lartë me faktet e dëshmitë rrëqethëse për vrasjet në kufi me urdhrat e fshehtë të tyre në fillimin e viteve ‘90. Më shumë se akuza, këtë radhë ishin  familiarët e të njohurit e viktimave që provuan, ndër të tjera hipokrizinë e lidershipit komunist i cili nga njëra anë ligjëronte kalimin e kufirit si kundërvajtje administrative dhe nga ana tjetër vazhdonte ti ndiqte me grykën e armës të gjithë ata që guxonin të iknin për një jetë më të mirë. Gjykimi i këtij “episodi krimi”, sikundër dhe ai i dëbim internimeve masive nëpërmjet komisionit fantazmë që degdiste me qindra qyetarë në skajet më të largëta për të vuajtur fajësinë e familiarëve të tyre të dënuar për agjitacion e propagandë kundër dikataurës së proletariatit dhe partisë së punës, nuk do të kalonte përtej përgjegjësisë së shpërdorimit të detyrës...
Lufta ndaj fesë
Rezultoi e provuar se në fillimet e vitit 1967 të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu e Rita Marko, kanë pranuar dhe rënë dakort për nxitjen e dhunimit të fesë dhe lirisë së besimit fetar...Ky mekanizëm për goditjen e fesë u vu në lëvizje fillimisht në rrethin e Durrësit. Shtytje kësaj lëvizje në këtë rreth i ka dhënë i pandehuri Ramiz Alia në vizitën e tij në këtë periudhë duke dhënë orientimet përkatëse, të cilave u dha drejtim përfundimisht Enver Hoxha në fjalimin e 6 shkurtit 1967, i konsideruar në atë periudhë si fjalim historik, i cili në një tjetër këndvështrim, mbetet përsëri i tillë.
Nëpërmjet këtij diktati politik u arrit fillimisht në Durrës dhe më pas në të gjitha rrethet e vendit të kufizohej e më vonë të mohohej tërësisht ushqimi shpirtëror i popullit dhe u persekutuan të gjithë personalitet e institucioneve fetare. Për faktin që ky qëndrim ndaj fesë ishte një veprim antikushtetues shpjegoi dhe i pandehuri Ramiz Alia i cili theksoi se menjëherë pas goditjes së fesë, filloi puna në komisione për të pasqyruar në kushtetutën e re (që doli 9 vjet më vonë më 1976)këtë ndryshim në kapitullin e lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve.
Pra, del e qartë ana subjektive e kësaj figure krimi, subjekte të të cilit janë i pandehuri Ramiz Alia në atë kohë Sekretar i KQ, i pandehuri Rita Marko sekretar i parë i KP të Durrësit, të pandehuri Adil Çarçani e Mnaush Myftiu anëtar qeverie e të gjithë bashkë anëtarë e kandidat të Byrosë Politike.
Përfundimisht trupi gjykues vlerëson se të pandehurit Ramiz Alia, Rita Marko, Adil Çarçani e Manush Myftiu duhet të përgjigjen penalisht për këtë episod të krimit të shpërdorimit të detyrës... 
Iternim-dëbimet
Në kushtetutat e viteve 1946, 1950 dhe 1976 sanksionohej se “asnjëri nuk mund të internohet ose dëbohet, veçse me raste të veçanta të parashikuara me ligj”. Nga hetimi gjyqësor rezultoi se ky lloj i dënimit penal i është njohur për zbatim edhe një organizmi administrativ, jashtë sistemit gjyqësor, siç ka qënë Komisioni Qëndror I Internim Dëbimeve. Të pandehurit Manush Myftiu, Hekuran Isai, Aranit Çela dhe Rrapi Mino për një kohë të gjatë kanë qënë në përbërje të këtij komisioni. I pandehuri Manush Myftiu ka qënë me cilësinë e kryetarit të komisionit nga viti 1977-1989, i pandehuri Hekuran Isai ka qënë nëkryetar i komisionit 1982-1989, i pandehuri Aranit Çela me cilësinë e anëtarit të komisionit për 29 vjet dhe i pandehuri Rrapi Mino anëtar i komisionit për gati 10 vjet.
Ky komision nuk e ka mbështetur punën e tij mbi bazën e ndonjë rregulloreje dhe nuk mbahej ndonjë protokoll a procesverbal për zhvillimin e mbledhjeve të tij. Të dhënat e pasqyruara në propozimet për internim dëbimet, nuk verifikoheshin nese pasqyronin realitetin ose jo. Kjo ka sjellë një një sërë vendimesh të merreshin jo në bazë të kritereve ligjore, por mbi bazën e subjektivizmit dhe njëanshërisë...
Në këtë mënyrë subjektivizmi ka ndjekur hap pas hapi punën e këtij komisioni, e në rastin konkret të katër të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës së tyre. I pandehuri Aranit Çela shpjegoi në seancë se edhe në disa raste që nuk ka qënë dakort me marrjen e vendimit (kur nuk përputhej me kriteret ligjore) ai ka firmosur, pasi siç shpjegoi edhe sikur mos të firmoste vendimi do të merrej. Duket qartë se ky i pandehur me dashje, ndonëse e dinte se po firmoste një vendim të paligjshëm, e ka kryer një veprim të tillë. E njëta gjë ka ndodhur edhe me të pandehurin Rrapi Mino. 
Në këto kushte këta të pandehur duhet të përgjigjen për shpërdorimin e detyrës me pasojë shkeljen e lirisë së shtetasve dhe garancive kushtetuese të paprekshërisë së tyre.
Kalimi i paligjshëm i kufirit
Me ligjin “Mbi disa ndryshime në Kodin Penal”, vepra penale e tradhëtisë së Atdheut në formën e arratisjes është ndryshuar duke u cilësuar si kalim i paligjshëm i kufirit. Ky cilësim i ri juridik bënte që kjo vepër të konsiderohej me rrezikshëri shoqërore shumë më ët vogël nga dispozita e mëparëshme. Gjatë kwsaj periudhe është vënë re prirja e majft personave për kalimin e kufirit shtetëror. Me ndryshimet e bëra në legjislacion duhej bërë një rregullim i ri nënligjor, detyrim ky në rastin konkret për Ministrin e Brendshëm të kësaj periudhe të pandehurin Simon Stefani. Ky i pandehur nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndonëse këtë detyrim ligjor ja njihte dekreti përkatës. Ngaa hetimi gjyqësor rezultoi se i pandehuri Simon Stefani nuk e ka bërë një rregullim të tillë ligjor për kryerjen e detyrave të forcave të kufirit në kushtet e reja të krizës ekonomike, shoqërore, politike si dhe të ndryshimit të legjislacionit...
I pandehuri Simin Stefani jo vetëm nuk urdhëroi ndalimin e hapjes së zjarrit, por gjatë kësaj periudhe ai ka dhënë porosi që të forcohet më tepër zbatimi i rregulloreve të mëparëshme. Këto qëndrime antiligjore duken qartë në përgjigjet e shënimet që ai bënte në informacionet me shkrim që i dërgoheshin në të cilat mbartej shqetësimi për zbatimin në kushtet e reja të rregulloreve të mëparëshme.
Pretendimi i të pandehurit se fakti që kufiri është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe fati i përdorimit të armës në kufi determinojnë njëri tjetrin, nuk qëndron, pasi arma është vetëm një nga mjetet që përdoret për mbrojtjen e kufirit, e cila kërkon edhe situatën e posaçme që të përdoret.
Pra, në veprimet dhe mosveprimet e të pandehurit Simon Stefani shihen qartë elementët e figurës së krimit të shpërdorimit të detyrës e cila ka sjellë si pasojë vrasjet në kufi të 13 shtetasve dhe plagosjen e një tjetri nga periudha 23 maj 1990 deri në datën 8 korrik 1990. Kështu janë vrarë nga forcat e kufirit të rretheve Korçë, Ersekë, Librazhd, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër shtetasit Sokol Lika, Sami Daja, Kujtim Xhaja, Bujar Osmani, Fatmir Duro, Nik Hoti, Pëllumb Pëllumbi, Artan Çemi, Muhamet Nurja, Harallamb Papuçiu, Ilia Dalla, Thoma Boda, Enver Duka dhe është plagosur shtetasi Kristaq Lloci.
Edhe nga praktika e pasardhësit, të të pandehuri Simon Stefani, ish ministrit të Punëve të Brëndëshme Hekuran Isai, u tregua se të paktën një qëndrim i ri të forcave të kufirit mund dhe duhej diktuar nga nga Ministria e Brendshme, pasi siç shpjegoi i pandehuri Isai, gjëndja në kufi ishte e rënduar, ndaj mosdhënia e urdhrit për ndalimin e zjarrit do të kishte pasoja katastrofike për popullin. I pandehur Simon Stefani është akuzuar edhe për episodin e shpërdorimit të detyrës në lidhje me keqtrajtimin dhe mosdorëzimin familiarëve të kufomave të shtetasve të vrarë në kufi, në bashkëpunim me të pandehurin Veiz Hadëri.
I pandehuri Veiz Hadëri akuzohet edhe për një episod tjetër të shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që kishte funksionin e kryetarit të degës së punëve të brëndëshme të Sarandës. Në muajin qershor 1985, në afërsi të Ksamilit dhe në gjirin e Manastirit, janë gjetur kufomat e shtetasve Sotiraq Nasto e Jorgji Sholla nga Narta e rrethit të Vlorës. Nga ana e të pandehurit Veiz Hadëri janë urdhëruar ekuipazhet e motoskafit të shërbimit të kufirit ti vendosin në bashet e motoskafit dhe t’i shëtisnin përgjatë bregdetit të qytetit të Sarandës me sinjale alarmi të ndezura.
Me këto veprime të paligjshme dhe antihumane i pandehuri Veiz Hadëri ka arritur të ushtrojë për një kohë relativisht të gjatë një presion dhe një terror psikologjik në popull dhe nga ana tjetër indinjatë tek të gjithë banorët e zonës dhe pushuesit e tjerë. Njëri nga pjestarët e ekuipazhit të skafit që e pranoi këtë u shpreh se “Na vjen turp të dalim në Sarandë”
Gjithashtu, në vitin 1989 nga ana e forcave të kufirit në vartësi të të pandehurit Veiz Hadëri, janë kryer imitime të të vrarëve në kufi nën pretekstin e stërvitjes, duke ekspozuar para popullit persona gjoja të vrarë në kufi, të mbështjellë me çarçafë të lyer me bojë të kuqe. Këto veprime shoqëroheshin një natë më parë me fishekëzjarre, të shtëna e sirena për të krijuar në qytet imazhin e alarmit dhe të gjendjes së gatishërisë. Në këto kushte është e qartë se këto veprime nuk kishin qëllim stërvitjen e forcave të kufirit, por “stërvitjen” e popullit me ndjenjën e frikës dhe panikut...Në dëshminë e Ismail Skejës, ish-zëvëndësdrejtor i drejtorisë së Kufirit u hodh poshtë pretendimi se imitimi konkret i bërë nga efektivat e kufirit Sarandë ishin në programin e punës stërvitore. Duket qartë se këto forma “stërvitjeje” ishin inisiativë e të pandehurit Veiz Hadëri të pamiratuara e të panjohura nga dikasteri. Përfundimisht, i pandehuri Veiz Hadëri duhet të përgjigjet penalisht për këtë krim...
Revolta e Qafë Barit
Më datën 22.5.1984 në kampin e riedukimit 311 të Qafës së Barit ka shpërthyer revolta e të dënuarave pasi një prej tyre nuk kishte realizuar normën dhe për këtë komanda kërkonte që ai të delte të punonte edhe në turnin pasardhës...Për këtë i urdhëruar nga Hekuran Isai ëshët nisur për në Qafë Bari me helikopter i pandehuri Zylyftar Ramizi së bashku me tre policë shoqërues. Gjithashtu ai ka urdhëruar që të nisen për aty edhe forcat e repartit 326. Me të mbritur në Qafë Bari, ndonëse gjëndja ka qënë e qetësuar, i pandehuri Zylyftar Ramizi ka kërkuar shpjegime, ka veçuar “problematikët” dhe duke nxjerrë jashtë kampit policët efektiv të repartit 313, ka urdhëruar forcat e repartit 326 Tiranë për të ushtruar dhunë mbi të dënuarit. Si pasojë e kësaj dhune ka pasur dëmtime të rënda në pjesën e kokës i dënuari Sadri Sokoli, të cilit i janë thyer edhe disa brinjë. Gjatë transportit për në qytetin e Pukës me një automjet shtatë vëndësh ai vdiq. Atë natë është lajmëruar mjeku ligjor Pandush Gliozheni, i cili i imponuar nga i pandehuri Zylyftar Ramizi ka lëshuar aktin e ekspertimit mjeko ligjor nr.12. datë 25.2.1984, ku si konkluzion për shkaktimin e vdekjes ka vënë atë të ndalimit të zemrës, gjë e cila kërkohej dhe nga i pandehuri Ramizi. Në të vërtetë siç shpjegoi dhe i dëshmitari Pandush Gliozheni, viktima në pjesën frontale të majtë të fytyrës kishte hematoma të shumta dhe në anën e majtë të kafazit të kraharorit ka konstatuar tre brinjë të thyera. Në këto kushte i pandehuri Zylyftar Ramizi ka konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës nëpërmjet mospërmbushjes së rregullt të saj, duke dhënë urdhra të kundraligjshëm për ushtrimin e dhunës fizike ndaj të dënuarve në Qafën e Barit në vitin 1984, veprime që kanë sjellë pasoja kriminale të vdekjes së shtetasit Sadri Sokoli. 
vijon nesër...

Procesi: Ja abuzimet e bllokmenëve

Të pandehurit Manush Myftiu, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Rita Marko, Simon Stefani, Hekuran Isai akuzohen për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve nëpërmjet krijimit të privilegjeve të kryer në bashkëpunim. Nga provat e administruara në seancë gjyqësore rezulton se trajtimi i udhëheqjes së lartë të partisë e të shetit është bërë kryesisht me vendime të Byrosë Politike. Këta të pandehur kanë gëzuar të drejtën të pushonin në vende të veçanta të administruara nga Drejtoria e Pritjes, e cila kishte në administrim dhjetra vila luksoze në vendet më piktoreske të Shqipërisë. Në kohën që të pandehurit pushonin në këto vila shpenzimet i paguante shteti. Gjithashtu të pandehurit jetonin në “bllok” vilash në objekte me sipërfaqe të tepruara në krahasim me përbërjen familjare. Në periudha të ndryshme këtyre vilave u bëheshin rikonstruksione e shtesa të objekteve të panevojshme sipas kërkesave të tyre. Këta të pandehur nuk paguanin shpenzimet faktike për qera, dritë, ujë e ngrohje, pasi 50 përqind dhe 70 përqind të tyre përballoheshin nga shteti. Ndërkaq, këta të pandehur gëzonin një trajtim mjekësor të veçantë, që realizohej në klinikën speciale ku ata trajtoheshin me ilaçe e barna falas si dhe me punime stomatologjike në ar i cili tërhiqej nga thesari i shtetit. Në banesat e tyre shërbenin një numur i konsiderueshëm njerëzish. Në shumë raste kur të pandehurit ose familiarët e tyre kanë shkuar jashtë shtetit kanë marrë me vete pa pagesë vlera materiale si dhurata për mjeket, vlera e të cilave ka kaluar padrejëtsisht në shpenzimet e shtetit. Në këto kushte të pandehurit duhet të përgjigjen për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve, të kryera nga ana e tyre me veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, me dashje e në bashkëpunim. Një episod tjetër i shpërdorimit të detyrës rëndon mbi të pandehurit Ramiz Alia e Adil Çarçani, pasi në kundërshtim me rregullin e detyrës pas vdekjes së Enver Hoxhës kanë lejuar trajtimin ekonomik të familjes Hoxha me kushtet e mëparëshme ndonëse një gjë e tillë nuk i takonte në bazë të vendimeve të Byrosë Politike. Ky qëndrim i këtyre të pandehurve ka bërë që shtetit ti vijë një dëm ekonomik në vlerën 484.778 lekë.
Përfundimisht, duke u bazuar në aktin e ekspertimit kontabël të gjashtë të pandehurit duhet të përgjigjen civilisht për shumat përkatëse që kanë dalë nga procesi dhe të deklarohen fajtorë për veprën penale që akuzohen e për ato episode të argumentuara në këtë vendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›