E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi për Aldo Baren, drejt rrëzimit burgimi i përjetshëm

SHKRUAN: Lenard Bakillari 27-09-2011 13:55

Tiranë Vrasja e shtetasit maqedonas Xhevat Demiri ka qenë një nga çështjet më të debatueshme gjatë seancës së djeshme ndaj Aldo Bares, i cili po i nënshtrohet procesit gjyqësor në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Vetëm pak ditë pasi kjo gjykatë shpalli të pafajshëm tre prej të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Lushnjës”, debati gjyqësor është përqendruar sërish te kjo vrasje. Seanca e djeshme ndaj Aldo Bares, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Xhevat Demirit, ka qenë e parafundit në procesin gjyqësor që po zhvillohet pas tij. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë të Apelit të Tiranës ka caktuar datën 3 tetor për shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj Bares, i cili akuzohet si kreu i “Bandës së Lushnjës”. Por duke qenë se pjesa tjetër e bandës ka marrë pafajësi për këtë vrasje, përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar që Apelit të japë dënimin maksimal ndaj Bares, edhe për vrasjet e tjera për të cilat akuzohet. Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga avokati i Aldo Bares, i cili ka dhënë një sërë argumentesh përse klienti i tij nuk mund të jetë autori i vrasjes së shtetasit maqedonas Xhevat Demiri. Duke u bazuar te disa prej provave të prokurorisë, avokati argumentoi se ky proces gjyqësor nuk mund të zhvillohet, pasi akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj klientit të tij janë gjykuar më parë nga Gjykata e Elbasanit dhe vendimi ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Apelit Durrës. Po ashtu, avokati Vladimir Meçi argumentoi se nuk provohet ekzistenca e faktit kriminal, pasi në dosjen e paraqitur nga prokuroria nuk ekziston asnjë certifikatë vdekje, apo një akt i këqyrjes së kufomës së shtetasit të pretenduar Xhevat Demiri. Edhe dëshmia e bashkëshortes së viktimës, sipas avokatit, nuk mund të merret për bazë, pasi kjo shtetase pak kohë pas vrasjes ka deklaruar se nuk mund t’i njihte autorët, pasi ata kanë qenë të maskuar. Sipas tij, prokuroria nuk ka sjellë asnjë të dhënë që të tregojë se ky shtetas është Xhevat Demiri, i cili nuk figuron në regjistrin e shtetasve shqiptarë. Një ndër provat e paraqitura nga akuza kanë qenë disa fotografi të pllakës së varrit të të ndjerit, ku është shënuar emri i viktimës, data e lindjes dhe data e vdekjes. Por këto fotografi, sipas mbrojtësit të Aldo Bares, nuk mund të merren si provë nga gjykata, pasi është rasti i parë në historinë e praktikës gjyqësore, kur prokuroria nuk jep asnjë të dhënë mbi identitetin e viktimës dhe paraqet si provë fotografi të pllakës së varrit. Por përfaqësuesit e akuzës ngritën pretendimin se janë të paktën dy dëshmitarë të përfshirë në programin e mbrojtjes, të cilët së bashku me provat e tjera pjesë e fashikullit të gjykimit provojnë fajësinë e të pandehurit Aldo Bare për këtë ngjarje. Prokurori tha ndër të tjera, se gjykata e shkallës së parë, duhet të kishte dënuar Aldo Baren me burgim të përjetshëm edhe për vrasjet tjera të kryera prej tij, por një gjë të tillë nuk e ka bërë dhe për këtë arsye Gjykata e Apelit duhet të ketë parasysh kërkesën e akuzës. Aldo Bare është shpallur fajtor nga Krimet e Rënda për vrasjen e Xhevat Demirit, Nimet Zenelit, Masar Aliut, Idajet Beqirit dhe Luan Bilbilit dhe është dënuar me burgim të përjetshëm vetëm për vrasjen e shtetasit maqedonas.

Provat e prokurorisë për vrasjen e Xhevat Demirit

1. Material i denoncuar, që ka të bëjë me ngjarje të ndodhur më 3 gusht të vitit 1997, ku mbeti i vdekur Xhevat Demiri

2. Deklaratë e shtetases Mimoza Demiri, bashkëshortja e viktimës, e cila ka dhënë dy dëshmi të ndryshme për ngjarjen

3. Akt ekspertimi balistik nr.38, që ka të bëjë me ekspertimin e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, në hyrje të Lushnjës

4. Vërtetimi i Gjendjes Civile, i nënshkruar nga një punonjëse, e cila thotë se çifti Demiri janë martuar më 24.10.1991

5. Vërtetimi i Mjekut Ligjor, i cili thotë se nuk është kryer këqyrja e viktimës, pasi një gjë e tillë nuk është kërkuar nga grupi hetimor

6. Relacion i Oficerit të Policisë Gjyqësore, i mbajtur pas përfundimit të hetimeve për vrasjen e shtetasit maqedonas

7. Vendimi i pezullimit, i cili tregon se më parë kjo çështje ishte pezulluar nga ana e prokurorisë për zbulim autori

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›