E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogozhinë vret të fejuarën shtatzënë e më pas vetëvritet

Autori Kreshnik Selamani ka qëlluar të fejuarën e tij Marsida Hoxha, e cila ishte në muajin e tretë të shtatzënisë. Sherri mes dy të rinjve kishte ndodhur pasi 27-vjeçari nuk donte të mbante fëmijën, ndërsa kishte hasur në rezistencën e 22-vjeçares, e cila kishte shprehur dëshirën për t’u bërë nënë.

RROGOZHINË Një histori dashurie e përfunduar keq dhe një bilanc tragjik që ka sjellë tri viktima. Sherri mes dy të rinjve për një shtatzëni të padëshiruar e ka shtyrë një 27-vjeçar nga një fshat i Durrësit të qëllojë mbi bashkëshorten e ardhshme, e cila ishte 3-muajshe shtatzënë. Pasi është siguruar se e fejuara kishte dhënë shpirt, ai ka qëlluar veten, duke mbetur dhe ai i vdekur në vend.

Ngjarja

Sipas burimeve nga policia e Rrogozhinës, mësohet se ngjarje e rëndë që ka tronditur jo vetëm banorët e zonës, ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orë 10:00, kur Kreshnik Selmani, 27 vjeç, ka vrarë me armë të fejuarën e tij shtatzënë, 22-vjeçaren Marsida Hoxha, e më pas ka qëlluar edhe veten me të njëjtën pistoletë. Burime pranë vendngjarjes pohuan se e reja ishte 3-muajshe shtatzënë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e vajzës, ndërsa burimet paraprake të policisë sqarojnë se shkak për vrasjen është bërë një konflikt mes çiftit. Mësohet se nga shërbimet e policisë në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Kavajës, po punojnë për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Çifti Kreshnik Selmani dhe Marsida Hoxha kishin 7 muaj të fejuar, ndërkohë që 22-vjeçarja ishte në muajin e 3-të të shtatzënisë. Sipas familjarëve të vajzës, mes tyre ka pasur konflikte prej disa ditësh, pikërisht prej shtatzënisë së saj. Djali i ka kërkuar asaj vazhdimisht që të abortonte fëmijën, ndërsa shtojnë se kohët e fundit kishte dashur edhe të ndahej prej saj, prandaj i kishte kërkuar që ta hiqte fëmijën. Por një gjë e tillë duket se nuk është pranuar nga Hoxha, e cika ka këmbëngulur që të mbante krijesën e saj. Historia e dy të rinjve kishte nisur pak muaj më parë, në një kohë kur 27-vjeçari vuante dënimin në burgun e Peqinit, pasi ishte akuzuar për shpërndarje droge.

Dëshmitë

Ngjarja e rëndë që solli vdekjen e tre personave, po të kihet parasysh se gruaja ishte 3-muajshe shtatzënë ka tronditur të gjithë banorët e Rrogozhinës. Fqinjët e vajzës deklarojnë për gazetën se 22-vjeçarja jetonte në pjesën më të madhe të kohës tek i fejuari, ndërsa kishin mësuar se kohët e fundit kishin pasur probleme. Njëri prej të afërmve të vajzës, A.Hoxha, ka treguar se ishte në dijeni të problemeve mes çiftit.

Ku jetonte Marsida?

Marsida jetonte te shtëpia e Kreshnikut, në një fshat të Durrësit, pasi familjarët e saj janë shpërngulur prej kohësh dhe jetojnë në Itali. Ajo kishte 3-4 ditë që kishte ardhur në Rrogozhinë dhe na kishte folur për problemet e tyre.

Çfarë problemesh kishin mes tyre?

Po ata kishin 7 muaj që ishin fejuar dhe ajo vinte rrallë në shtëpinë e saj në Rrogozhinë, por kur vinte thoshte që nuk shkonte mirë me Kreshnikun. Kohët e fundit na kishte thënë se ishte shtatzënë. Sa herë që vinte na thoshte se kishte probleme dhe i kishim thënë që të ndahej dhe atëherë mësuam se ishte 3-muajshe dhe nuk donte ta hiqte fëmijën. Madje, na thoshte se Kreshniku i kishte kërkuar që ta vriste fëmijën, se nuk e donte.

Po me familjarët e saj kishte folur për këtë situatë?

Sigurisht që kishin folur dhe ata i kishin thënë që të ndahej me të dhe të shkonte në Itali te pjesa tjetër e familjes, por ajo donte që ta mbante fëmijën dhe të martohej me Kreshnikun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›