5 Maji, Garda braktis ceremoninë e opozitës
Berisha dhe Topi, të ndarë në familjen e Azem Hajdarit. Rama dhe Meta, në orare të ndryshme në varreza.
Të qenët vend anëtar i NATO-s, nuk ka ndikuar aspak tek politika shqiptare, e cila ashtu si edhe vitet e mëparshme, kur ishte vend aspirant për në këtë organizatë, vijon të shfaqet e përçarë në sytë e shqiptarëve, edhe kur bëhet fjalë për çështje apo data historike, siç është edhe 5 Maji, Dita e Dëshmorëve.
Por, ajo që ka ndryshuar këtë vit nga më parë, është fakti se tashmë nuk kemi thjesht dy grupe, pra një e majtë dhe një e djathtë që festojnë veçmas, por edhe brenda këtyre dy blloqeve të mëdha kemi nga dy nënndarje të tjera, të cilat po ashtu festojnë veçmas.
Një pamje të tillë pasqyroi klasa politike shqiptare edhe dje në ditën e përkujtimit të të rënëve, në përpjekje për çlirimin e vendit.
Të djathtët
Megjithëse kanë qenë bashkë në homazhet e kryera në Varrezat e Dëshmorëve, dy njerëzit me më shumë pushtet në të djathtën shqiptare, kreu i shtetit, Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, pasi kanë vendosur kurorat me lule në memorialin "Nënë Shqipëri", kanë vijuar ceremonitë e tyre në respekt të të rënëve në shërbim të çështjes kombëtare të ndarë.
Të dy krerët e shtetit kanë zgjedhur të jenë mysafirë në shtëpinë e tribunit të demokracisë, Azem Hajdari, por jo në të njëjtën kohë. Kreu i shtetit ka qenë i pari që ka bujtur në shtëpinë e Hajdarit, dhe në bashkëbisedim me familjarët e tij, Topi vlerësoi aktin e pashembullt të sakrifikimit sublim për liri e për atdhe dhe u shpreh se duke përkujtuar veprën e dëshmorëve, mbahet gjallë e përçohet nëpër breza kujtimi i martirëve, por gjithashtu ngrihen në piedestal edhe vlerat e atdhedashurisë e dinjitetit njerëzor të kombit shqiptar.
Topi ka qenë edhe në familjet e dëshmorëve të rënë në luftë kundër pushtuesve gjermanë, Xhavit Dishnica dhe Abdulla Keta.
Ndërsa Berisha ka pritur largimin e Topit për të vizituar edhe ai familjen e Hajdarit, ku dhe u shpreh se "Azem Hajdari ka bërë më shumë se kushdo tjetër si individ për liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve".
Të majtët
Më të përçarë se të djathtët, në këtë ditë, duket se janë shfaqur të majtët, të cilët të braktisur si herët e tjera nga protokolli shtetëror, janë detyruar që të kujdesen vetë me Policinë Bashkiake dhe bandën e frymore të bashkisë, për ceremonialin e tyre në Varrezat e Dëshmorëve.
Megjithëse të dy bij të familjeve partizane, Rama dhe Meta nuk kanë mundur të shmangin moskuptimet politike dhe kanë nderuar të rënët për atdhe të ndarë.
PS-ja duket se është kujdesur që të mos jetë në të njëjtin orar me Lëvizjen Socialiste për Integrim në varreza dhe për këtë ka preferuar t'i kryejë nderimet e veta një orë pas saj, pra në orën 12 të mesditës së djeshme.
Ndërkohë që edhe në fjalët e tyre të rastit për mediat, krerët e së majtës nuk kanë nguruar t'u referohen historive të tyre personale familjare, për të treguar rëndësinë që ka patur 5 Maji historikisht për ta dhe për të gjithë shqiptarët, si dita e kujtimit të kontributit që kanë dhënë mijëra shqiptarë për një Shqipëri më të mirë.
"Çdo 5 Maj nëna ime kujton vëllanë e saj dëshmor të atdheut, ndërsa unë, gjyshen time, të veshur me të zeza, qysh se e pashë për herë të parë e deri sa me e pa për herë të fundit. Ishim shumë mijëra, gratë që lufta me pushtuesin fashist, i veshi me të zeza.
Por, nuk ishin pak as ato që i veshi me të zeza paqja, nën pushtetin komunist. Çdo 5 Maj, ne kujtojmë në këtë pllajë të heshtur, ata që në moshën më të re u sakrifikuan për një botë të re.
Qemal Stafa u vra në rrugët e ëndrrës për liri, barazi dhe vëllazërim. Në vend të vëllazërimit, bota e re solli ndasinë e përgjakshme dhe sot e gjithë ditën, atdheu që kujton Qemalin e shokët e tij, vuan prej urrejtjes shkurajuese që vazhdon të ushqehet në atë ndasi të vjetër", - tha kreu socialist, Edi Rama.