"Të dhënat ngjethëse të një reportazhi të vitit 1912"
Reportazhi i publikuar në gazetën "New York Times", më 31 dhjetor të vitit 1912, tregon se si mijëra shqiptarë, mes tyre gra e fëmijë, u masakruan prej ushtrisë serbe. Në reportazh i dërguari i "Daily Telegraph" në Budapest, tregon detaje në lidhje me mizoritë që po ndodhin në Shqipëri dhe përreth, raporte këto të mbledhura për autoritetet e Austro-Hungarisë. Korrespondenti thotë: "…Gjatë marshit drejt detit nëpër Shqipëri, serbët jo vetëm që dinakërisht vranë dhe ekzekutuan shqiptarët e armatosur, por mizoria e tyre nuk u ndal as kur u takuan me njerëz të paarmatosur dhe të pambrojtur, gra dhe burra, fëmijë dhe foshnja në gji. Oficerët serbë, të dehur me fitoren e tyre, deklaruan se qetësimi më i efektshëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve muhamedanë. Kjo thënie u adoptua shpejt nga ushtria serbe e okupimit dhe u vu në përdorim. Në mes të Kumanovës dhe Shkupit, rreth 3000 veta janë rrahur deri në vdekje. Afër Prishtinës, diku afër 5000 shqiptarë ranë në duar të serbëve, jo gjatë ndonjë lufte të ndershme, por gjatë vrasjeve të pajustifikueshme…". Dëshmitë vazhdojnë të tmerrshme. 100 vjet barbari, që përfundojnë pa lavdi.