Gjyqtarët: KLD në kolaps, të mblidhet Konferenca Gjyqësore
Drejtuesi i Unionit të Gjyqtarëve Artur Kalaja, ka bërë thirrje për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare duke vënë në dukje se përfundimi i mandatit të anëtarëve të KLD-së ka vendosur në pozita të vështira funksionimi këtë institucion.
Sipas kreut të Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, mbledhja e Konferencës Gjyqësore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së, nuk ka asnjë pengesë kushtetuese dhe do ti shërbente normalizimit të situatës në të cilën ka hyrë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili numëron sot pesë anëtarë të cilëve u ka mbaruar mandati. Anëtarët e KLD-së, Admir Thanza dhe Altina Xhoxhaj janë larguar nga KLD pasi janë emëruar në gjykata ndërsa ish-anëtari Armando Subashi është larguar nga KLD me dëshirën e tij. Ndërkohë dy anëtarët e tjerë, Besim Trezhnjeva dhe Edmond Islamaj, ndodhen në kushtet kur mandati i tyre në KLD ka mbaruar prej një viti e gjysmë. Duke qenë se vendimmarrja në KLD është me votat e anëtarëve, mbarimi i mandatit të pesë anëtarëve ka vënë në vështirësi institucionin në kushtet e mungesës së 1/3 së anëtarëve nga 15 që parashikon ligji. “Nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese që vetë gjyqtarët të mbledhin konferencën e tyre dhe të organizojnë zgjedhjet e anëtarëve të KLD”, shprehet kreu i Unionit të Gjyqtarëve Artur Kalaja. Ai nënvizoi se në këtë rast nuk bëhet fjalë për marrje meritash, por thjesht për të mundësuar funksionimin e një institucioni kushtetues dhe të rëndësishëm për mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Sipas Unionit të Gjyqtarëve, Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një organ kushtetues dhe kompetent për mbledhjen e saj është Kryetarja e Gjykatës së Lartë. Unioni vë në dukje se ka nxitur mbledhjen e Konferencës Gjyqësore që në dhjetor 2009 kohë kur filluan anomalitë me mandatet e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mbledhja e Konferencës u thirr në fund të vitit të kaluar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, por në këtë takim nuk morën pjesë të gjithë gjyqtarët anëtarë të Konferencës. Kjo bëri të pamundur zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së ndërsa një pjesë e konsiderueshme e togave të zeza që munguan në mbledhje, e justifikuan mospjesëmarrjen me paqartësi teknike të njoftimit të kësaj mbledhje apo të organizatorit të saj. Kreu i Unionit të Gjyqtarëve Artur Kalaja pohon më tej se nuk ka asnjë rëndësi se kush e merr iniciativën e mbledhjes së Konferencës, por në kushtet kur tre anëtarë të KLD-së kanë lënë këtë detyrë për shkak të kryerjes së funksioneve të tjera kushtetuese dhe që dy të tjerëve mandati iu ka mbaruar prej më shumë se një viti, është bërë domosdoshmëri mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, për të përmbushur një detyrim kushtetues dhe, në këtë mënyrë, për t’iu krijuar mundësia KLD për të vepruar gjithashtu sipas parametrave që kërkon Kushtetuta.