Ulet buxheti, ekspertizat falas për prokurorinë
TIRANE – Reduktimi i buxhetit të vitit 2010 ka prekur edhe prokurorinë. Pak ditë më parë Ministria e Financave ka njoftuar organin e akuzës se do të bëhen shkurtime në buxhetin e këtij institucioni ndryshe nga shifrat e dhëna në fillim të vitit kur u caktua buxheti vjetor. Përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave kanë diskutuar shkurtimin e buxhetit dhe kanë arritur në një marrëveshje e cila pritet ti propozohet edhe Komisionit përkatës të Parlamentit. Ministria e Financave ka kërkuar të shkurtojë një fond prej 250-300 milionë lekë nga buxheti i prokurorisë. Organi i akuzës ka dhënë miratimin por duke kërkuar që mungesa e këtij fondi të zëvendësohet me realizimin falas të ekspertizave mjeko-ligjore dhe akt-ekspertimeve për rastet e rënies së zjarrit. Sipas ligjit, për çdo vrasje, plagosje, rrahje apo për krimet seksuale, prokuroria ka për detyrim kryerjen e ekspertizës tek mjekësia ligjore. Kjo ekspertizë deri tani kryhej pasi prokuroria paguante tarifën e cila në total për vitin 2009 ka qenë 250 milionë lekë. Ndërkohë tashmë kur ky fond është reduktuar, për vitin 2010 është rënë dakord që Ministria e Drejtësisë t’i garantojë prokurorisë kryerjen e akt-ekspertimeve falas.