Gjyqtarët: Konferenca mblidhet pa ligj
Fatos Mahmutaj
"Gjyqtarët duhet të organizohen sa më parë, edhe pse ende nuk ka ligj për konferencën gjyqësore". Me këtë pretendim ka dalë dje Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë, sipas të cilit në mbledhjen e gjyqtarëve që do të bëhet më 5 dhjetor, secili prej togave të zeza duhet të paraqesë alternativën e tij për zhbllokimin e situatës së krijuar që pas shfuqizimit të ligjit për Konferencën Gjyqësore. Të kontaktuar nga gazeta, burime pranë UGJSH-së pohuan dje se vakumi i krijuar për shkak të mungesës së ligjit, veç tjerash ndikon edhe në vendimmarrjet e KLD-së në lidhje me gjyqtarët. Ndërkohë në një rekomandim të mëparshëm për KLD-në, UGJSH pohoi se i kërkonte këtij institucioni të ndalonte vendimmarrjet në për problemet e gjyqtarëve, si masa disiplinore transferime, apo ngritje në detyrë. Kjo për faktin se dy prej anëtarëve të KLD-së u ka mbaruar mandati, ndërsa dy të tjerë janë larguar duke lënë vendet bosh. Unioni, pohoi se në mbledhjen e datës 5 dhjetor, në të cilën pritet të marrin pjesë të gjitha togat e zeza të dy Shkallëve të Para të gjyqësorit shqiptar, do të diskutohet mbledhja e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, qoftë edhe pa ligj, pasi Kushtetuta nuk e përjashton mbledhjen e KGJK në mungesë të ligjit përkatës. Në lidhje me statutin e gjyqtarit, Unioni pohoi dje se tashmë drafti ndodhet në fazën përfundimtare të tij dhe se ky projekt është mirëpritur nga të gjitha institucionet ku është diskutuar. Sipas UGJSH-së, statuti i gjyqtarit pritet t'iu japë fund shumë problemeve që kanë të bëjnë me togat e zeza si dhe marrëdhëniet e gjyqësorit me pushtetet e tjera. Po kështu, sipas UGJSH miratimi i statutit do të sjellë reduktim të imunitetit të gjyqtarit deri në heqjen përfundimtare të tij. Aktualisht, grupi i punës po punon mbi disa modele të gatshme të marra nga vende të zhvilluara, të cilat po i analizon dhe përshtat me situatën dhe problematikën shqiptare. Kopje të statutit u janë shpërndarë anëtarëve të UGJSH-së dhe shumë prej gjyqtarëve të Faktit dhe Apelit, të cilët pritet të paraqesin mendimin e tyre. Po dje Unioni pohoi se pak ditë më parë i ka rekomanduar KLD-së të ketë parasysh disa kritere në lidhje me transferimin e gjyqtarëve në kryeqytet dhe në rrethe të tjera. Hapja e 14 vendeve për gjyqtarë në Gjykatën e Tiranës ka bërë që të gjithë gjyqtarët e Shkallës së Parë që punojnë nëpër rrethe të aplikojnë në KLD për transferime. UGJSH pohoi dje se në lidhje më këtë problem, pak ditë më parë, kjo shoqatë e togave të zeza i është drejtuar KLD-së zyrtarisht me një shkresë sugjeruese duke rekomanduar që të merren parasysh disa kritere që kanë të bëjnë me arsimin e Magjistraturës, vjetërsinë në punë, kualifikimet e tjera, të kenë vlerësime të mira në punë dhe të mos kenë marrë masa disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës.