E Diel, 1 Nëntor 2026

Otello i Shekspirit, zbret në Vlorën e Ben Blushit

 

Iris Halili*

Kur lexoj në vazhdimësi librat e Ben Blushit, përjetoj një emocion të ve-çantë, që e ka burimin pikërisht tek gëzimi i faktit, që kjo letërsi është tërësisht bashkëkohore. Autori ka aftësinë e krijimit të një fiksion ku klasikja, romantikja dhe modernia gërshetohen përsosur në një mit universal, tipar ky i dukshëm për letërsinë bashkëkohore më të suksesshme botërore.
Por me 'Otello, Arapi i Vlorës', Ben Blushi kap një majë tjetër. Ai u sjell shqiptarëve librin më të mirë të dashurisë në konceptin e vet universal, si dhe fabulën më intriguese të dashurisë, të shkruar deri më sot në letrat shqipe.
Në roman, mendimi nuk rresht asnjë çast në gojën e karaktereve, vëzhgimi nuk pushon kurrë, sistemimi i konkluzioneve nuk përmbyllet kurrë së definuari. Blushi e sheh botën me sy të zhveshur, krejt të lirë, vetvetishëm, siç i duhet të ulet dinjitoz shkrimtari i mirëfilltë.
Është fetar, aq sa ta gjej pikërisht atje revoltën për dashurinë. Është aq familjar, sa të vlerësojë kanunet e saj, por pa hezituar ta ndajë dashurinë, si një perandori më vete. Për të gjitha argumentet gjithmonë i duhet të fitojë liria dhe dashuria, si të vetmet zgjidhje të mrekullueshme, që të bëjnë të lumtur, por që mbarojnë gjithmonë të pangopura. Sipas Blushit të gjitha historitë, zgjidhjet, luftërat apo intrigat bëhen vetëm në emër të dashurisë ku vetë "Jeta i ngjan një anijeje. Atë e shtyjnë përpara dallgët e dashurisë".
Pothuaj në çdo faqe autori nuk rresht së përkufizuari dashurinë, për të cilën nuk njeh konvencione, nuk njeh as Bibël dhe as Kuran, as Afrikë dhe as Evropë, as vlonjat dhe as venedikas, as mashkull dhe as femër, as të pasur dhe as të varfër, as pasha as komandant, as prijës dhe as piktor, as të bardhë dhe as të zi. Atë perandori ai e vendos gjithmonë mes shpirtrave, pa harruar të shtojë se "dashuria është lëngu, trupi është gota". Dashuria sipas Blushit nuk gjendet shumë lehtë, pasi ajo është e pakët në këtë botë dhe humb po shumë lehtë, pasi gjithkush është gati për ta kapur, ndaj ajo duhet shtrënguar. Kjo të bën të mendosh se dashuria është në ajër. Atë nuk mjafton ta shikosh, ta gjesh, por më e vështira është ta bësh tënden, duke mos harruar kurrë ta ushqesh. Me përcaktime gati çehoviane, Blushi e konsideron dashurinë një sëmundje nga e cila jo gjithkush ka fatin të preket dhe që ka vetëm një ilaç shpëtimi që është  po vetë dashuria. "Lëngu i dashurisë nuk vjetrohej. Vitet nuk e kalbin, por e forcojnë… Njerëzit kanë arritur t'i shpëtojnë dashuritë e tyre edhe pse i kanë lënë të presin në shi, i kanë hedhur në det, i kanë harruar në rërë, apo i kanë groposur në male..Por dashuria është më e fortë dhe prandaj atë e trajtojnë keq, duke ditur se ajo i mbijeton çdo klime".
Po t'i referoheshim Roland Bartit, semiologut të famshëm francez, do të pranonim argumentin se Blushi ka vjedhur mitin shekspirian të xhelozisë. Sipas Bartit simbolet e njerëzimit janë vërtitur gjithmonë rreth një universialiteti dhe artet s'kanë bërë gjë tjetër vetëm se vjedhjen e këtyre simboleve apo miteve ku ato gjenden. Këto mite mund të transformohen, çmitizohen, d.m.th., t'u jepet krejt një tjetër pamje ose të merren të plota duke u vjedhur tërësisht. Ajo që sjell origjinalitetin dhe krijon artin e mëvetësishëm është forma me të cilën përcillet miti nëpërmjet gjuhës artistike. Po të vazhdonim argumentin duke respektuar Bartin, por edhe artin e Blushit, do të thonim se tek "Otello, Arapi i Vlorës" kemi transformimin e mitit shekspirian, pa shkuar deri në çmitizimin ekstrem dhe kjo e fundit përderisa ai ka ruajtur me korrektësi konvencionet e emrave ose simbolin e shamisë sebep, si dhe mbi të gjitha ka ruajtur dashurinë si fije lidhëse e pandarë, që vë në lëvizje të gjitha ngjarjet dhe kjo sikur edhe tek miti i pavdekshëm shekspirian. Miti i transformuar tek Blushi, shtrihet në dy kontinente gjeografike, por në tre botë të ndryshme historike Venedik, Shkretëtirë afrikane dhe Vlorë. Përcaktimi më i mirë i gjithsecilës prej këtyre botëve vjen nga krahasimi mes tyre. Dhe për të treguar diferencën, Blushit i duhet shumë art, që atij s'i mungon, i duhen shumë detaje historike apo psikologjike, kulturore apo klimatike që ai i ndërton pafund, por i mjafton vetëm një personazh qendror dhe shumë të tjerë në funksion të tij. Një personazh i dashuruar, që përpiqet të jetojë dashurinë e tij i rrethuar nga shumë të tjera dashuri dhe më të tjerë protagonistë. Vetëm nëpërmjet këtij të fundit, Blushi është në gjendje të dallojë vendet, kontinentet, sikur kërkon edhe në fakt na jep devizën e madhe, se popujt dallohen edhe nga mënyra si dashurojnë.
Transformimi i mitit vazhdon edhe tek detaji i shamisë. Nëse Shekspiri e quan shaminë sebepin e xhelozisë, që shpuri në vrasjen e Desdemonës, Blushi e quan po të tillë. Në të dy tragjeditë e dashurisë, shamia bëhet shkas për vdekjen e Desdemonës, vetëm se tek Shekspiri shamia e gjendur në xhepin e Kasos (kujto e vënë nga Jago) krijoi xhelozinë e tërbuar të Otellos, ndërsa Otelloja i Blushit vjen i brishtë në karakter, por i fuqishëm në dashuri, aq sa të mund ta përballojë xhelozinë dhe të përpiqet edhe një herë për të fituar dashurinë. Shamia tek Otello i Vlorës simbolizon mos realizimin e amanetit të së ëmës, sipas të cilit dashurinë duhet ta ushqesh se ndryshe e humb, pavarësisht se ajo vdes gjithmonë e pangopur. Qartazi dashuria si koncept nuk është transformuar nga Shekspiri tek Blushi, sikur rrugët nga dhe tek dashuria janë hedhur krejt të transformuar. Ndryshe nga Shekspiri , Blushi beson se "dashuria është më e fortë se tradhtia, sikur e ardhmja është më e fortë se e shkuara" por përforcon Shekspirin se "Dashuria nuk jeton dot pa xhelozinë, ndaj duhet lidhur.."apo "xhelozia gjithmonë fiton mbi dashurinë". Brenda një romantizmi dhe fataliteti të tillë, vjen dhe ndërtohet i gjithë personazhi kryesor në roman, Otelloja i Ben Blushit. Ky personazh në funksion të së cilit janë të gjithë të tjerët, të mbetet gjatë në kujtesë, dhe ndoshta nuk të ikën kurrë më prej saj. Blushi arrin të krijojë një fiksion origjinal tërësisht i ndërtuar nën një rrëfim aspak monoton, i cili përveç intrigës rrëqethëse, mban brenda vetes mendimin universal për pothuaj çdo detaj jetësor, në një mjedis shqiptar, vlonjat më saktë, por njerëzor më së shumti.
Psikanaliza frojdiane është tërësisht e pranishme në zbërthimin e detajeve të Blushit. Pas traditës modeste të Migjenit dhe Ernest Koliqit, Ben Blushi është i pari shkrimtar shqiptar tërësisht frojdik. Kjo duket që nga përcaktimet që bën për ekzistencën në veçanti dhe deri tek ndërtimi i karaktereve, që janë tërësisht prototipa frojdikë. Fëmijëria që sipas frojdizmit është mosha vendimtare që përcakton karakterin e njeriut, merr vlerësimin e Blushit pothuaj për të gjithë personazhet: "Çdo vendim që marrim e ka burimin tek fëmijëria jonë. Urrejtja, dashuria, tradhtia, lumturia dhe xhelozia. Fëmijëria i mëson njeriut të gjitha artet e shpirtit, sepse është e vetmja shkollë në të cilën të drejton instinkti dhe jo vullneti. Njeriu rritet dhe plaket duke humbur fëmijërinë e vet dhe prandaj i kërkon aty përgjigjet e çdo ndryshimi që i ndodh". Jago sipas psikanalizës do të cilësohej një nekrofil i lindur. Marrëdhëniet e tij me motrat gjejnë zbërthimin tek teoria e famshme e Frojdit për nekrofiline, apo xhelozinë për motrën e lindur. Kompleksi i Edipit nga i cili Jago nuk u çlirua dot kurrë, është djepi ku rritet dhe vepron nekrofilia e tij. Edhe fizikisht Blushi e përshkruan Jagon përsosur me tiparet dalluese të një nekrofili. Duket sikur Ben Blushi ka studiuar gjatë prototipat frojdike. Jago (me sy vjollcë dhe flokë të kuq )nuk gjendet, por ai vepron si nekrofil dhe këtë Blushi e realizon përsosur artistikisht, duke e paraqitur Jagon përgjatë gjithë kohës në roman si vetë "problemi". Të sqarojmë lexuesit se Jago i Blushit, sikur ai i Shekspirit, duket sikur është personazh sekondar në roman, por vërtetazi ai është "zoti" vendimtar i fateve të personazheve kryesor, që mbeten biofilë të brishtë për gjatë gjithë kohës. "Vjedhja"e Jagos si emër Shekspirian, por edhe si karakter, është bërë përsosur nga Blushi, deri në atë pikë sa askush nuk mund të thotë se është kopjuar, pasi janë tërësisht të kundërta rrethanat, arsyet pse e bëjnë Jagon të lig apo aktet e tij të liga. Po kështu "fshehja" e Desdemonës së vogël nëpër shtëpi, duke "luajtur" kështu me të atin që rend me një përkushtim të pa parë për ta gjetur, gjen interpretimin e vet në psikanalizë, sipas të cilit fëmija vepron sikur do të donte të vepronin të rriturit. Çka do të thotë se Desdemona e vogël nuk e do praninë e të atit në shtëpi. Aq i vërtetë është ky argument, sa pikërisht zbatimi i urdhrit të së atit, sipas të cilit ajo çdo gjë mund t'i pranonte Otellos, por vetëm dashurinë jo, është shumë domethënës dhe të shpie tek teoria tjetër e Frojdit që ka të bëjë me kompleksin e Elektrës. Desdemona nuk u çlirua kurë nga ky kompleks, ndaj dhe fati i saj përfundoi tragjikisht. Vetë dashuria si një forcë e pavetëdijshme e konceptuar si e tillë nga Blushi, e gjen përgjigjen tek teoritë frojdike.
Romani mbetet drithërues, për nga përcaktimet që i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër shekuj. "Zoti i ka dhënë Vlorës gjithçka ka pasur në dorë: natyrën, detin, qiellin, diellin dhe erën, me përjashtim të njerëzve. Me njerëzit dhe sidomos me shqiptarët Zoti është treguar i kursyer. Ata nuk dinë të punojnë, nuk dinë ta shfrytëzojnë natyrën dhe prandaj nuk dinë të luftojnë". Pavarësisht se të gjitha ngjarjet në roman kanë si bosht dashurinë, Blushi ndalet gjatë në momente historike, ose në personazhe historik, që nga Marko Polo e deri tek Balshajt. Vetëm se këto janë sa historik, aq edhe fictional, që do të thotë fantazia e shkrimtarit nuk rresht së ndërtuari ato literalisht, çka do të thotë, ato bëhen të besuar aq sa i takon literalisht. Deviza e Blushit është se Shqiptarët ndër shekuj kanë pasur fatin që vinte i imponuar nga vetë karakteri i tyre.
Por kjo s'është histori. Kjo është letërsi, që do të thotë ai ka të drejte të shprehet sikur ndien, në formën më të pavetëdijshme, për të na treguar edhe një herë të vërtetat që ne i dimë, por gjithashtu për të na bindur se ai në çdo çast e sakrifikon Blushin politikan, përballë Blushit shkrimtar. Kjo do të thotë se nuk është politika që e ndihmon të vlerësohet talenti i tij si shkrimtar. Ka pasur jo shumë kohë përpara goxha polemika për librin po kaq të suksesshëm të Blushit "Të jetosh në ishull". Në fakt ajo që nuk kuptoja mes atyre debateve, ishte fakti që shumë mëndje flisnin për historinë që ndërtonte Blushi në një tekst literar. Kur bën letërsi, nuk mban përgjegjësi aspak për mënyrën me të cilën i trajton të gjitha format e ekzistencës, përfshirë këtu edhe historinë. Një fiction literar duhet të vlerësohet për nga arti që sjell, shumë përpara se të vlerësohet nga mesazhet që përcjell. Sigurisht edhe këto të dytat janë shumë të rëndësishme, por theksoj se shkrimtarit as nuk mund t'i behet gjyq dhe as nuk mund t'i kërkohet llogari për këtë. Po të përdorim të njëjtin argument edhe për librin e dytë te Blushit, (që unë personalisht e vlerësoj si më të arrirë estetikisht së i pari), d.m.th., Otello Arapi i Vlorës, sigurisht do të fillonim një debat pa bukë (ca mendje sigurisht edhe mund ta fillojnë), pikërisht për ato mesazhe krejt të sinqerta që përcjell Blushi për vlonjatët apo më tej shqiptarët ndër shekuj, veset e tyre, virtytet e tyre etj etj… Unë mendoj se këtu shkrimtari Blushi i shton kredencialet e tij në Blushin si të tërë, pasi ai nëpërmjet një arti të mirëfilltë siç është letërsia, bën përcaktimet e një publicisti të lidhur pazgjidhshmërisht me mendimin e sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, por që të bëjnë të besosh se ai nuk e llogarit pozicionin e tij politik. Dhe unë vazhdoj me pyetjen e sinqertë: A nuk kanë qenë dhe janë të tillë shumë figura botërore, që megjithëse të angazhuar politikisht, nuk e tradhtuan kurrë të shprehurin e sinqertë nëpërmjet letërsisë? Ky është një moment shumë delikat me të cilën Blushi hidhet në tregun e ditës, por është një moment deciziv për të vlerësuar Blushin në kompleksin e tij, si dhe mbi të gjitha për ta shpallur atë si një shkrimtar të vetvetishëm, pa autocensurë dhe që sakrifikon çdo gjë në pozicionin e shkrimtarit. Blushi shkrimtar më shton respektin për Blushin politikan.Universaliteti i romanit mbështetet në të gjitha mesazhet që përcjell shkrimtari, të tilla që do të mbeten aktuale edhe për lexuesin e pas 50 vjetëve. Mbi të gjitha universalitetin ia shton boshti kryesor i romanit, dashuria për të cilën "të gjitha zemrat janë njëlloj, pavarësisht se në cilin gjoks rrahin".Pa droje do të thoja, që për të gjitha këto, mendoj se një regjisor do të kishte sukses të garantuar në realizimin kinematografik të këtij fiksioni. Por kujdes, një regjisor do të duhej të punonte shumë për t'i hyrë në brendësi personazheve të Blushit, që janë vërtet të vështirë për t'u përtypur me një frymë. Ashtu sikur do të duhet t'i bënte shume pyetje vetes, nëse është në gjendje të përballojë sinqeritetin ekstrem të Blushit.Mendoj se studiuesit e letërsisë, do të duhet të shkruajnë në vazhdim për "Otello, Arapin e Vlorës". Ndërsa autorin e përgëzoj duke i thënë sinqerisht, se krijimtaria e tij letrare sjell në letrat shqipe një letërsi ndryshe, një letërsi që do ta vlerësoja si krenaria jonë bashkëkohore.                    
                                    *Studiuese e letërsisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›