Bashkiakët e PS, ultimatum Berishës
Aristir Lumezi
Të zgjedhurit vendorë të PS-së kërcënojnë me protesta nëse Qeveria nuk heq dorë nga zvogëlimi i buxhetit të tyre. “Anulim vendimit për biznesin e vogël dhe amendamenteve për taksat vendore që shkelin autonominë e pushtetit lokal”. Kjo ishte kërkesa kryesore e apelit publik, që krerët e bashkive dhe komunave të zgjedhur nga radhët e PS i bënë Kryeministrit Sali Berisha, në një protestë të zhvilluar dje në mesditë përpara godinës së Kryeministrisë. Vendimi i Qeverisë për të kthyer bizneset e vogla me të ardhura 5 milionë lekë në biznese të mëdha sipas të zgjedhurve vendorë nga PS do të ishte një katastrofë për buxhetin e pushtetit lokal. Protesta u udhëhoq nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëkohësisht kreu i socialistëve që këto ditë në mbarë vendin, po drejton protestat për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në fjalën e mbajtur, në protestën për vendorët, Rama akuzoi Qeverinë se po sulmon pushtetin vendor. “Në rast se Berisha vendos të miratojë vendimin që kalon biznesin e vogël nga biznes i vogël në të madh të gjitha bizneset e vogla që bëjnë xhiro 5 milionë lekë, situata do të jetë dramatike”. Për Tiranën dhe jo vetëm për të, kryebashkiaku Edi Rama parashikon se dëmi do të jetë për të dyja palët. “Ky vendim do bënte që 8 mijë e ca subjekte do kalonin në biznes të madh, duke paguar më shumë taksa që do të shkonin në xhepat e Qeverisë. Përveçse këta biznese i priste falimentimi pasi nuk do të përballonin taksat, humbja që i shkakton vetëm Tiranës është një vlerë e madhe, me pastrimin e 500 ditëve të qytetit të Tiranës”, tha Rama duke kujtuar një sërë problemesh në Tiranë që përsëriten herë pas here pasi siç theksoi më pas “vetëm se nuk u hedh sytë Qeveria”.
Apeli
Bashkiakët i drejtuan Berishës një apel publik që më pas u nënshkrua nga secili prej tyre. Ata kërcënuan se në rast se kërkesat nuk merren parasysh, atëherë ata do të hidhen në protesta. “Sot ka mbërritur ajo pikë ku kërcënohen të gjitha funksionet bazë të qeverive tona. Bashkitë nuk u përgjigjen qytetarëve as për shërbimin elementar të pastrimit. Deri më sot prononcimet tona publike shqetësimet tona të ngritura në emër të gjitha komuniteteve, Kushtetutës, përgjegjësive tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Në këtë apel publik, pyesim deri kur do të vazhdojë marrëdhënia e shkatërruar e pushtetit vendor me atë qendror. Nga paaftësia e qeverisjes, qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm, u shkaktohen gjithnjë e më shumë probleme. Qeveria nuk do dhe nuk di t’i zgjidhë problemet. Ne kërkojmë angazhimin tuaj për plotësimin e 5 kushteve tona deri më 5 dhjetor”, ishin fjalët e Ramës në protestën e sotme të parë për këtë çështje. Të zgjedhur vendorë socialistë më pas nënshkruan apelin me kërkesat e mëposhtme: Anulimin e amendamentit për taksat vendore, anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla, si të mëdha, aplikimin e taksave të ndara, kompensimin e të ardhurave nga përgjysmimi arbitrar i taksave të biznesit dhe dhënien fund të praktikës së granteve për nevojat e funksioneve vendore. Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të zgjedhurit vendorë të PS-së informuan Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës, Ian Micallef, i cili ishte në Tiranë dhe zhvilloi takime me autoritetet e larta të vendit, përfshirë këtu Kryeministrin Berisha dhe Presidentin Topi. Pas takimit me të, Rama deklaroi për mediat se e kishte njohur Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale me të gjitha shqetësimet e pushtetit vendor në Shqipëri. “I shpreha Presidentit të Kongresit të Autoriteteve Lokale gjendjen alarmante të autonomisë vendore dhe presionin skandaloz të kësaj qeverie ndaj bashkive dhe komunave të opozitës në mënyrë të veçantë, por njëkohësisht edhe sjelljen tërësisht abuzive ndaj pushtetit vendor”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës pas takimit me Mivallef.
peticioni
Kërkesat e bashkiakëve të PS
Anulimin e amendamentit për taksat vendore
Anulimin e vendimit që i konsideron bizneset e vogla, si të mëdha
Aplikimin e taksave të ndara, për tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive
Kompensimin e të ardhurave nga përgjysmimi arbitrar i taksës së biznesit të vogël në vitin 2005
Dhënien fund të praktikës së granteve për nevojat e funksioneve vendore dhe të mos ndahen ato sipas përkatësisë partiake
Firmëtarë e peticionit Bashkia
Edi Rama, Tiranë
Qazim Sejdini, Elbasan
Vangjush Dako, Durrës
Niko Peleshi, Korçë
Baftjar Zeqo, Fier
Albert Sanxhaku, Lushnjë
Artan Shkëmbi, Pogradec
Fadil Nasufi, Berat
Artur Kurti, Kuçovë
Kujtim Qefalia, Dajt
Lutfi Lala, Shushicë
Adriatik Braçe, Ersekë
Flamur Bime, Gjirokastër
Astrit Bici, Lenie
Kastriot Begaj, Librazhd
Arif Tafani, Belsh
Arben Ruçi, Cërrik
Haqim Toska, Rrogozhinë
PS: Pushteti po keqpërdor Policinë
Para fillimit të protestës uniformat blu, që ishin para Kryeministrisë për të ruajtur rendin dhe mbarëvajtjen e mitingut të protestës, nuk lejuan vendosjen e podiumit në trotuarin para godinës. Me këmbënguljen e qytetarëve, podiumi u vendos dhe mitingu vijoi normalisht. Pas këtij veprimi, selia rozë, përmes zëdhënëses së saj, Armela Imeraj, akuzoi Qeverinë se po keqpërdor Policinë e Shtetit. “Në emër të Partisë Socialiste shpreh indinjatën e njëkohësisht keqardhjen për keqpërdorimin e Policisë së Shtetit në tubimin e djeshëm. Vendosja e tre rreshtave me policë në shkallët e Kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për të mos lejuar vendosjen e kërkuar nga organizatorët, duke provokuar të pranishmit, si edhe qëndrimi i uniformave në kurriz të kryebashkiakëve e kryekomunarëve opozitarë, ishin shprehje të padenja për Policinë e Shtetit”, u shpreh Imeraj.
Policia: Logjistika, përgjegjësi e PS
Policia e Shtetit reagoi menjëherë pas deklaratës së PS-së në lidhje me incidentin. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Alma Katragjini, pasi paraqiti të gjitha masat e marra nga policia për mbarëvajtjen e mitingut, tha se është përgjegjësi e PS për vendosjen e logjistikës së saj. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, është e bindur se shkaku për incidentin e krijuar përpara fillimit të tubimit të Partisë Socialiste duhet kërkuar në mos marrjen e masave logjistike nga ana e organizatorëve të tubimit dhe jo tek Policia e Shtetit. Kërkesat për ndryshimin e vendit të vendosjes së podiumit, vetëm 5 minuta para fillimit të mitingut është e qartë se nuk i shërben zhvillimit normal të tij”, tha zëdhënësja e Policisë së Shtetit. Sipas saj, Policia e Shtetit do të garantojë çdo aktivitet të forcave politike në vend siç ka bërë dhe në të shkuarën.