E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vata: Ka pasur trukime, të hetohet Kombëtarja

 

Leonard Karaj

Rudi Vata akuzon se mund të ketë pasur trukime të ndeshjeve të Kombëtares ndaj ai kërkon që ato të hetohen.Në një intervistë për "Ora News" Vata ka akuzuar edhe presidentin e FSHF-së Armand Duka.
Si e shikon Rudi Vata Kombëtaren e Josip Kuzhesë?
Për mendimin tim vazhdojmë me të njëjtën monotoni. Akoma nuk po tregojmë se duam dhe se duhet të ndryshojmë. Kjo në të mirë të futbollit tonë, në të mirë të tifozëve. Mendoj se ndryshimet duhet të bëheshin që përpara ndeshjes me Estoninë, por fatkeqësisht pashë një kombëtare, identike sikundër ajo dështake që kemi pasur.
Mendoni se Kuzhe duhet të guxojë më shumë?
Po pasi Kombëtarja ka shumë probleme, thuajse në të gjitha repartet. Kemi probleme me mënyrën sesi luajmë. Nuk kemi një sistem të qartë loje. Arritëm diçka me Bariç pasi ai kuptoi diçka nga mentaliteti ynë por nuk arriti që të bënte hapin e madh. Në Kombëtare ka influenca nga të gjitha krahët dhe Kuzhe nuk është i vetëm që drejton këtë ekip. Atij i diktohen shpesh futbollistë paçka se besoj se edhe ai e kupton mirë se ka 2-3 lojtarë që nuk duhet të luajnë më në Kombëtare.
Cilët janë këtë lojtarë?
Kombëtarja ka probleme në mesfushë, prodhon pak dhe mendon koha e Skelës dhe e Duro ka përfunduar. Ata kanë pasur vlerat e tyre por ka ardhur momenti që ti japin fund me Kombëtaren.
Po Lala?
Edhe ai sigurisht, po ai është distancuar nga kjo situatë vetë gjatë kohëve të fundit. Në futbollin e sotëm ka nevojë për këmbë të shpejta, për djemtë me fanatazi.
Sa kohë keni pa komunikuar me presidentin Duka?
Që në kohën kur ai bëri zgjedhjen e Hanit, ndërsa unë i kisha ofruar Zengën. Po prisnin që të takoheshim me Dukën për të shpalosur programin tonë, por ai as që e mori mundimin pasi bëri zgjedhjen e tij.
Vetëm për këtë gjë jeni zënë?
Jo vetëm. Di të them që jam larguar nga Kombëtarja pikërisht nga Armand Duka. Vetë ai ka marrë vendimin që unë nuk duhesha të grumbullohesha më në Kombëtare. Kur takova Brigelin në 2003-in ai më tha se më kishte parë në një ndeshje dhe donte të më kthente në skuadër por pasi u ballafaqua me Dukën natyrisht që ndryshoi menjëherë mendim. Kjo sepse Dukës nuk i pëlqejnë liderët, nuk i pëlqejnë zërat kundër. Unë për të isha një zë kritik, kjo vetëm për të mirën e punës.
E keni kritikuar Dukën përballë?
Jo, sepse nuk kam qenë pjesë e Kombëtares në atë kohë. Kur ai u bë president dha urdhër që Rudi Vata të mos vijë më në skuadër dhe këtë gjë e vazhdoi edhe kur në krye të skuadrës mund të vinte një personalitet si Litbarski. Vetëm se ai i tha se donte Rudi Vatën në staf, Duka nuk pranoi që të drejtonte Kombëtaren edhe pse ai kishte projektin më të mirë për ekipin tonë.
Ka pasur akuza nga Berisha, Pango dhe ministra të tjerë ndaj Kombëtares se kanë shitur ndeshjet, ju si mendoni?
E kanë ekzagjeruar shumë herë. Nuk përjashtoj fiksimin e një rezultati por do të ishte e mira që t’i shkonin deri në fund asaj situate dhe të gjendeshin fajtorë. Mendojmë se jemi në Ballkan dhe këto janë fenomene që mund të ndodhin. Por mendoj se ndeshjet e Kombëtares duhen hetuar pasi mund të ketë pasur trukime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›