E Diel, 1 Nëntor 2026

Karishik: Ika nga Apolonia, për probleme me drejtuesit

 

Trajneri Esad Karishik, pas dorëheqjes së parevokueshme të paraqitur ditën e shtunë, dje paradite është larguar nga Fieri, bashkë me asistentin e tij, Kenan Kolashinak. Pak minuta para largimit në drejtim të vendlindjes së tij, ai është përcjellë me dashuri, por edhe me lot në sy nga dhjetëra tifozë fierakë. Nga këta të fundit, ai është quajtur si arkitekti i Apolonisë evropiane. Ndërkohë, përpara largimit për në Bosnjë, Karishik ka folur ekskluzivisht për "Panorama". "Ndihem i lodhur, pasi kam qenë i detyruar të përballoj një ngarkesë jo të vogël, por edhe sepse disa gjëra në raport me drejtuesit e klubit, për të cilat do të flas më hapur në një kohë të përshtatshme, nuk po ecnin ashtu si duhet. Më vjen keq që largohem nga Fieri, nga ky qytet me njerëz mjaft të dashur, të cilët e adhurojnë futbollin e bukur, por ja që gjërat nganjëherë nuk funksionojnë ashtu siç duhet dhe qëndrimi i mëtejshëm bëhet i pamundur, sepse mund t'i prishte akoma më shumë punë skuadrës", ka thënë Karishik.I pyetur se ky vendim i menjëhershëm për dorëheqjen e tij erdhi si rezultat i humbjes me Kastriotin dhe i pezullimeve të Shoshit e Gramit, trajneri Karishik u përgjigj: "Jo, jo, kjo nuk ka të bëjë fare me rezultatet e arritura dhe dënimet e lojtarëve. Një humbje e pësuar në shtëpi nuk është fundi i botës, pasi në futboll pranohen të tria rezultatet. Ndërsa për dënimet e lojtarëve, do të thosha se ato ndodhin jo vetëm tek Apolonia, por edhe në kampionate të tjera, më të forta. Gjithsesi, unë s'mund të shprehem se dënimet kanë qenë të drejta. Deri tani kam dëgjuar vetëm fjalë, por jo gjëra të faktuara. Ndoshta klubi duhet të ketë provat e duhura", ka pohuar ai.                              M.Mbriçaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›