E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët amerikanë: Mos gjykoni politikisht në përzgjedhjen e gjyqtarëve



Gjashtë gjyqtarë të mirënjohur amerikanë i kanë dërguar një letër parlamentit shqiptar ku i shprehin mendimin dhe preokupimin e tyre lidhur me mënyrën e përzgjedhjes dhe të votimit të gjashtë gjyqtarëve të dekretuar nga Presidenti. Gjyqtar i Qarkut të Dytë, të Shteteve të Bashkuara, Xhon Uoker, Gjyqtar i distritktit te Minesotas, të Shteteve të Bashkuara, Pol A. Magnuson, Ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Uashingtonit, Robert Atër, Doktori në Shkenca Juridike, Këshilltar Ligjor, Rozher D. Sherard kanë theksuar domosdoshmërinë e një votimi profesional dhe të paanshëm për gjyqtarët e dekretuar. “Të gjitha vendimet mbi emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë duhet të mbështeten në kritere dhe merita objektive duke i dhënë vlerësimin e duhur kualifikimeve, integritetit, dhe aftësisë. Duhet të ketë garanci, të cilat sigurojnë që procedurat për të emëruar gjyqtarët do të jenë transparente dhe të pavaruara në praktikë në mënyrë që vendimet të mos influencohen nga arsye të tjera, përveç atyre që janë të lidhura me kriteret e përmendura më sipër. Këto procedura duhet në mënyrë sistematike të kërkojnë kandidatët më të mire te mundshëm dhe të veprojnë me dinjitet për të inkurajuar kandidatët e aftë për të pranuar emërimin në gjykatë”, -shkruhet në deklaratë. Sipas gjashtë gjyqtarëve amerikanë këto janë parime të vendosura mirë në Bashkimin Evropian, të zhvilluara nga Këshilli i Evropës dhe demokracitë e tjera. Ata kanë theksuar se faktori ndërkombëtar tani po vëzhgon se si Parlamenti po bashkëvepron me gjyqësorin. “Tani Parlamenti ka mundësinë që të mbrojë e të zhvillojë një sistem të pavarur gjyqësor në Shqipëri duke vlerësuar emërimet e Presidentit për në Gjykatën e Lartë me transparencë dhe me drejtësi. Seancat dëgjimore të Parlamentit për të emëruarit në Gjykatën e Lartë duhet të ngrihen mbi interesat partiake dhe taktikat akuzuese. Sulmet personale mbi të emëruarit dhe pandehmat e paprovuara nuk duhet të pengojnë kandidatët për të shërbyer në Gjykatën e Lartë. Nga ana tjetër, pandehmat shqetësuese, të cilat mbështeten mbi fakte specifike duhet të hetohen imtësisht dhe të vlerësohen duke patur parasysh një proces të ndershëm gjykimi”, -theksojnë gjyqtarët. . Bazuar mbi këtë parim ata i kanë rekomanduar parlamentit të veprojë si një ruajtës i rëndësishëm dhe të qëndrojë mbi politikën për të pranuar të emëruarit për në Gjykatën e Lartë, të cilët do t’u shërbejnë shqiptarëve me profesionalizëm dhe gjykime të pavarura. “Ky proces do t’i tregojë popullit shqiptar dhe botës se shqiptarët dëshirojnë të kenë një pushtet gjyqësor profesional dhe të pavarur, që do të garantojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të tij edhe për brezat e ardhshëm’, - përfundon deklarata.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›