E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët për në Gjykatën e Lartë “rrëfehen” në Komisionin e Ligjeve



Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje gjashtë kandidaturat për anëtarë në Gjykatën e Lartë, të dekretuar pak javë më parë nga Presidenti i Republikës. Në mbledhjen e sotme ishin të pranishëm dhe gjashtë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë folur për karrierën e tyre, ndërsa mësohet se deri më tani Partia Demokratike ka rezervat e saj lidhur me votimin për dy kandidatë. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, deklaroi në përfundim të mbledhjes, se “ashtu sikurse mazhoranca edhe opozita, i kanë vlerësuar të gjitha kandidaturat dhe kanë marrë në shqyrtim secilën prej tyre”. Gjithsesi, shtoi ai, vendimin përfundimtar opozita do ta marrë pasi të diskutojë edhe me Grupin e saj parlamentar. “Dekretet për kandidatët e Gjykatës së Lartë, do të votohen, pavarësisht raportit në Kuvend”, nënvizoi Xhafaj. Gjashtë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, u përzgjodhën ndër 105 emra që u shqyrtuan nga një grup pune i ngritur nga Presidenti Bamir Topi.
Kandidatët
Kandidatët janë Aleksandër Muskajt, ish-anëtar i KLD-së, aktualisht gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Arjana Fullani, gjyqtare për njëmbëdhjetë vjet, aktualisht Drejtore e Shkollës së Magjistraturës prej tetë vjetësh. Andi Çeliku, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat prej dhjetë vjetësh. Evelina Qirjako, avokate prej nëntëmbëdhjetë vjetësh. Guxim Zenelaj, gjyqtar për katër vjet, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë për trembëdhjetë vjet, ish-Avokat Përgjithshëm i Shtetit, aktualisht anëtar i KLD-së. Majlinda Andrea, gjyqtare prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Dekretet e presidentit u publikuan më 8 korrik, një ditë pasi kuvendi miratoi me konsensus ndryshimet në rregulloren e kuvendit të cilat mes të tjerash legjitimojnë të drejtën e organit ligjvënës për të hetuar mbi propozimet e kreut të shtetit në Gjykatën e Lartë e për të zhvilluar seanca dëgjimore me kandidatët tashmë të dekretuar. Me 13 qershor vetëm pak ditë pasi kuvendi rrëzoi 5 emrat e parë të propozuar për në Gjykatën e Lartë presidenti Topi njoftoi ngritjen e grupit të jursitëve nëpërmjet të cilëve ai do të konsultohej për emrat e rinj por vetëm për kriteret që kandidatët duhet të plotësonin e në mënyrë kategorike jo për emrat e përveçëm.
Anëtari i shtatë
Ndërsa së shpejti pritet votimi në Kuvend i gjashtë të dekretuarve për anëtaë të Gjykatës së Lartë nga presidenti, si garanci për ta duket se po shërben propozimi i 28 deputetëve demokratë që i ka shkuar Topit. Behët fjalë për propozimin e bërë publik ekskluzivisht në “Albania” ku deputetët demokratë mbështetës të kryetarit Berisha zgjodhën si zëvendësues për anëtarin e shtatë të Gjykatës së Lartë vetë avokatin e kryeministrit Berisha, Fana. Megjithatë Fana është një avokat dhe jurist i spikatur i cili ka të rregjistruara si të fituara pjesën dërrmuese të çështjeve që ka marrë përsipër. Megjithatë fakti që Fana ka qenë avokat i kryeministrit Berisha, mund të interpretohet dhe politikisht, në kushtet kur edhe propozimi ka ardhur nga 28 deputetë të djathtë kryesisht anëtarë të partisë Demokratike. Por jo më larg se një ditë më parë “Albania” është informuar se mes Presidencës dhe Kryeministrisë ka patur disa sinjale të qarta lidhur me vendosmërinë e Presidentit për të kaluar gjashë dekretimet e tij në Kuvend. Ndërsa mbështetësit e Topit nuk kanë patur komplekse të fshehin edhe sigurinë e Presidentit, i cili në çdo rast ka mbi tryezë propozimin e Fanës. Sikundër askush nuk e priste, gjashtë dekretet e presidentit Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë u kthyen në një “arenë” të përplasjes politike mes tij dhe kryeministrit Berisha. Vetë presidenti shfaqi hapur habinë dhe mospëlqimin e tij për këtë qëndrim të PD-së, megjithatë ai vendosi të pranojë kushtëzimin e PD-së, e cila kërkonte më parë konsultime e pastaj dekretime. Kësisoj Topi rinisi nga e para fazën e përzgjedhjes, nga ku pesë ditë më parë ofroi sërish gjashtë emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Për këtë u krijua një grup pune, që do të “monitoronte” kandidatët e mundshëm. Në mbledhjen e fundit të grupit të ekspertëve, ata vendosën dhe nëntë kriteret që duhet të plotësonin kandidatët, të cilët donin të bëheshin anëtarë të Gjykatës së Lartë. Këto kritere ishin: kandidatët duhet të kishin arsimin e lartë juridik, mënyrën e kryerjes së tij, kualifikime shkencore, vjetërsi në punë, duke pasur parasysh që ushtrimi i profesionit të ketë qenë sa më afër Gjyqësorit.

Shoqatat e gjyqësorit: Seancat dëgjimore të mos kthehen në spektakël

Ndërsa në Kuvend ishin duke u zhvilluar seancat dëgjimore të gjashtë kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, shoqatat e gjyqtarëve dhe juristëve, bënë një deklaratë për shtyp ku kërkuan që këto seanca të shkojnë paralelisht dhe me ndërrmarjen e reformave ligjore për gjyqësorin. “Ne përfaqësuesit e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Komitetit Shqiptar i Helsinkit po ndjekim me shumë vëmendje dhe shqetësim ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe vlerësojmë atë si shumë të rëndësishme për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut. Ne përshëndesim seancat dëgjimore që mund të organizohen nga komisionet përkatëse parlamentare, por ato nuk janë as të mjaftueshme dhe as rezultative nëse nuk paraprihen nga një angazhim i mëparshëm i aktorëve përkatës qysh në fazën e hartimit të projektligjeve”, - shkruhet në deklaratë. Në deklaratë shprehet konstatimi se “përgatitja e reformës në drejtësi deri më sot, sidomos procesi i ligjbërjes lë mjaft për të dëshiruar. Në të ka mjaft formalizëm, mungesë argumentimi dhe mosangazhim real dhe në kohën e duhur në këtë proces të aktorëve kryesore të reformës në drejtësi si: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ekspertë të jetës akademike, aktorë të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera zbatuese të ligjeve që janë pjesë e kësaj reforme”.

LSI: Letra e deputetëve të BE, alarm për zgjedhjet

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili është shprehur dje se letra e dërguar nga deputetët e BE-së është një këmbanë për dështimin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. “Amendamentet e propozuara nuk u diskutuan në kuadër të Komisionit Parlamentar Ad-Hoc të Reformës Zgjedhore. Procesi u krye me nxitim dhe Komisioni Parlamentar u anashkalua me qëllim.Është e qartë se megjithë prezencën që nga 1997 të OSBE/ODIHR-it, Shqipëria ka dështuar të ketë një rekord të pastër në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Një monitorim më i afërt nga BE mbi çështjen e zgjedhjeve do të ishte i mirëpritur. Eurodeputetet theksojne se monitorimi i afërt nga BE është gjithashtu i domosdoshem për efektet e amendamenteve të tjera kushtetuese të Prillit 2008, të cilat janë kontestuar me forcë nga shumë faktorë politikë dhe të shoqërisë civile, për prishjen e mekanizmave të balancës dhe kontrollit dhe principit të ndarjes së pushteteve”,- është shprehur Vasili. Sipas tij anëtarët e Parlamentit Evropian, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri, që duhet të zhvillohen në Qershor 2009, theksojne se këto çështje janë të një rëndësie kruciale dhe i bëjnë thirrje Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian qe të jenë jashtëzakonisht të vëmendshëm në drejtim të demokracisë në Shqipëri si dhe tu behet e ditur udheqeheqsve politike shqiptare se BE po monitoron nga afër evoluimin e situatës në Shqipëri.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›