Viza Shengen, “mollë e ndaluar” për shqiptarët
Ndonëse çdo ditë e më shumë ndihet nevoja e një vize që të jep mundësinë të “ekslorosh” kontinentin ku jeton, sërish shqiptarët arrijnë të shkojnë deri te sporteli. Rastin më konkret e përfaqëson viza Shengen e cila ende ngelet një lluks për një grup shumë të kufizuar njerëzish. Me një vizë Shengen mund të udhëtohet për në vende si Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Sllovaki, Slloveni, Spanjë dhe Suedi. Viza ju jep të drejtën e një qëndrimi prej të shumtën 90 ditë brenda një gjashtëmujori, të cilat llogariten që nga dita e hyrjes së parë në këto vende. Kërkesa për vizë duhet bërë pranë përfaqësisë përkatëse të shtetit anëtar të Shengenit, ku është edhe destinacioni juaj kryesor. Nëse destinacioni kryesor nuk mund të përcaktohet, atëherë përgjegjëse është Ambasada e atij shteti Shengen ku do të shkelni fillimisht. Tarifa e procedurave të trajtimit të kërkesave nga shtetas të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Serbisë (përfshirë Kosovën), Moldavisë, Rusisë dhe Ukrahinës është 35 euro (paguhet në lekë përkundrejt kursit aktual të këmbimit valutor). Tarifa e procedurave të trajtimit të kërkesave nga të gjithë shtetasit e tjerë është 60 euro (paguhet në lekë). Në rastin e refuzimit të vizës tarifa nuk kthehet.
Emigrimi, zyra rajonale për të mësuar procedurat
Të interesuarit për emigrim nuk do të kalojnë më orë të gjata përpara dyerve të ambasadave në Tiranë, për t’u njohur me procedurat për punësim jashtë vendit. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), i ka krijuar shumë lehtësi personave që duan të emigrojnë jashtë vendit, sidomos për qëllime punësimi. Mjafton që ju të paraqiteni pranë zyrave përkatëse të rrethit tuaj dhe aty do të gjeni të gjithë infromacionin e nevojshëm për punën dhe jetesën jashtë vendit. IOM tashmë ka hapur 14 zyrat e reja të Qendrës së Asistencës për Emigrantët në vendin tonë. Hapja e këtyre zyrave, ka si qëllim futjen e emigracionit në kanalet ligjore dhe shmangien e rrugëve të rrezikshme dhe të paligjshme të emigracionit. Informimi mbi migracionin e rregullt dhe nevojat e tregut të punës në vendet pritëse, do ti vijë në ndihmë shtetasve shqiptarë që të mos bien pre e abuzimeve të ndryshme. Kjo për shkak të mosinformimit të duhur për procedurat dhe institucionet përkatëse. Të 14 sportelet e migracionit ofrojnë infromacion për migracionin në 36 vendet e Bashkimit Evropian. Kështu, në këto sportele të gjithë të interesuarit do të gjejnë informacion mbi: Vizat, kushtet e punës dhe të jetesës, studimet jashtë vendit, programet e imigracionit, të drejtat dhe mbështetjen e emigrantëve, bashkimin familjar, programet e riintegrimit në shqipëri për migrantët e kthyer etj.
26 Korrik 2008