E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehen ruletat, qeveria pranon kompromisin kundrejt taksave speciale



Ervin Koçi

Të gjitha sallat dhe lokalet me lojëra fati kanë të drejtën të rifusin në përdorim përveç makinave elektronike, edhe ruletat. Por ky favorizim për kompanitë e lojërave të fatit do të ketë edhe kushte speciale, ku i pari dhe më kryesori është pagesa e taksave speciale për këtë shërbim plus. Qeveria ka ndryshuar ligjin për kazinotë dhe lojërat e fatit duke u dhënë edhe një herë mundësinë kazinove të vogla që të rikthejnë ruletat në këmbim të tatimeve shumë të larta. Në janar të këtij viti, qeveria me anë të një ligji të ri “i boshatisi” kazinotë elektronike nga ruletat duke ia dhënë ekskluzivitetin vetëm kazinosë së madhe të kryeqytetit, e cila ka paguar edhe licencën një miliard lekë. Por, ligji i ri parashikon hapjen sërish të ruletave të vogla me kusht që ato të paguajnë tatime në shuma të mëdha në rast se do të duan që ta mbajnë atë. Kështu, për një ruletë, e cila ka mesatarisht nga tetë deri në dhjetë pozicione, kazinoja duhet të paguajë një tarifë fikse prej 1 milion lekësh në muaj dhe 80 mijë lekë në muaj për çdo pozicion. Në total, kazinoja duhet të paguajë për një ruletë 1.8 milionë lekë në muaj.

Kontrolli

Mijëra pika të lojërave të fatit dhe kazino elektronike, që janë të shpërndara në të gjitha qytetet e vendit, do të mbikëqyren nga një njësi speciale e qeverisë. Ajo do të ketë si detyrë kontrollin e të gjitha pikave të lojërave të fatit dhe kazinove, si dhe mbledhjen e taksave të tyre. Sipas projektligjit, të gjitha shoqëritë e miratuara duhet të derdhin në buxhetin e shtetit 0.5 për qind të xhiros vjetore, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për kazinotë elektronike dhe 2 milionë për kazinotë e tjera. Projektligji parashikon edhe krijimin e sistemit të basteve “on-line”, duke krijuar serverë të dedikuar (të kontrolluar). Por këto serverë duhet të jenë patjetër në zona të mbrojtura dhe të ruhen 24 orë nga kamera të tipit “ÇTV”.

Pagesa e taksave

Përsa u takon kazinove elektronike, të cilat janë tepër të përhapura në Shqipëri, projektligji parashikon që duhet të kenë më shumë se 10 makina të ndryshme. Kapitali themeltar i saj duhet të jetë jo më i vogël se 10 milionë lekë dhe të paguajë çdo vit një taksë prej 1 milion lekësh. Ky ndryshim në ligj ka favorizuar kompanitë e vogla, të cilat tashmë mund të vendosin sa makina dhe ruleta të duan në sallonet e tyre me kusht që të paguajnë taksat speciale. Për një sallë duhet të paguhet taksa mujore prej 400 mijë lekësh, e shoqëruar edhe me 20 mijë lekë për çdo makinë. Një ndryshim në këtë ligj është bërë për lotaritë kombëtare. Aty është parashikuar që licenca për lotari të tipit “Keno” ose “Bingo” të jepet vetëm një dhe ajo të ketë një periudhë 10-vjeçare. E njëjta periudhë është parashikuar edhe për kazinotë e mëdha. Por, personi që fiton të drejtën për një kazino të madhe duhet të paguajë menjëherë 1 miliard lekë nëse ndodhet në Tiranë dhe 300 milionë nëse ndodhet në zona turistike. Kapitali themeltar i shoqërisë nuk mund të jetë më i vogël se 1.2 miliardë lekë, përveç 1 miliard që duhet të paguhen në shtet. Vendet ku mund të hapen kazinotë përzgjidhen vetëm nga Këshilli i Ministrave dhe një person nuk mund të hapë më shumë se një kazino. Bastet sportive duhet të paguajnë në shtet 10 për qind të xhiros dhe nga ana tjetër duhet t’u paguajë lojtarëve jo më pak se 50 për qind të shumës së vënë në lojë.

Sa duhet të paguajnë pronarët e kazinove sipas ligjit

Sipas ligjit, të gjithë ato subjekte që do të kenë një sallë "Kazino elektronike" do të duhet të paguajnë që në ditën e hapjes së aktivitetit (pra pa bërë xhiro asnjë ditë) 4 milionë lekë parapagim në shtet. Për çdo makinë elektronike, që do të jetë brenda sallës, do të duhet t'i japin shtetit sipas detyrimeve të reja ligjore 200 mijë lekë. Për 10 makina minimalisht, çdo biznesmen, që sot ka një sallë "Kazino elektronike", duhet të japë në buxhetin e shtetit 600 mijë lekë në muaj. Por e kundërta ndodh me ata që kanë "Video-lotari" apo, thënë ndryshe, “VLT”. Sipas përcaktimit të ligjit në pikën 18 të Nenit 4, "Video-lotaritë janë lotari që luhen nëpërmjet video-terminaleve, të lidhura me një sistem rrjetesh elektronike, ku rezultati i lojës mbështetet në shansin e prodhuar nga serveri, bazuar në gjenerimin e numrave të rastësishëm". Ndërsa përcaktimi për makinat slot në pikën 24 të po këtij neni thuhet: "Makinë loje, nëpërmjet së cilës vetëm një lojtar mund të lejohet të luajë, në të njëjtën kohë, e cila ka një mekanizëm gjenerues të numrave të rastësishëm, të instaluar në makinë, që përcakton rezultatin e lojës". Për VLT (që është vetëm një licencë) ligji, në Nenin 44, Pika 5.4, parashikon se "Organizatori i lojërave, të përfshira në licencën për lotari kombëtare, paguan tatim për lojërat e fatit 10 për qind mbi fitimin e realizuar". Pra, nëse fitimi i firmës do të jetë 600 mijë lekë, për shtetin do të paguhen vetëm 60 mijë lekë.

Dallimi dhe ngjashmëria në ligj për llojet e lojërave të fatit

Në ligj, ndër të tjera, jepen edhe specifikimet për të dy rastet e lojërave të fatit, pra për Makinat elektronike dhe për Video-lotaritë. Në Nenin 24 të ligjit thuhet: "Çdo makinë elektronike duhet të ketë përputhje me rregullat e zbatueshme të sigurisë së BE-së; të jetë në përputhje me standardet e BE-së; të jetë e pajisur me deklaratën e përputhshmërisë së BE-së; të jetë e pajisur me certifikatën e prodhimit, certifikatën e origjinës dhe dokumentet e zhdoganimit; të përmbajë lojëra në përputhje me kërkesat e pikës 2 të këtij neni; të ketë një gjenerues rastësor numrash (rëndom number gjenerator RNG); të jetë e plumbosur nga “NJMLF”-ja me vulën përkatëse, si dhe të ketë memorie fiskale për transferimin e të dhënave të xhiros on-line tek organet tatimore". Ndërsa në Nenin 31 të ligjit jepet përkufizimi se çfarë janë VLT-të (Video-lotari terminale). Pa i hequr asnjë presje përcaktimeve për Makinat elektronike, edhe VLT-të janë e njëjta gjë. Pra, sipas ligjit, Makinat elektronike dhe VLT-të nuk ndryshojnë. Kazinotë elektronike janë shumë dhe kanë pronarë të ndryshëm, numri i të cilëve arrin sot rreth 40 të tillë.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›