Ushtarakët, shërbimet shëndetësore që përfitojnë falas
Laureta Rryçi
Tiranë - Të gjithë ata që gëzojnë Statusin e Ushtarakut përfitojnë një sërë shërbimesh shëndetësore falas. Të paktën kështu e ka përcaktuar ligji, edhe pse jo gjithmonë është konstatuar se zbatohet nga institucionet shtetërore, qofshin këto qendra spitalore civile dhe ushtarake, apo edhe vetë Ministria e Shëndetësisë, kur i duhet të shprehet për kërkesa të ndryshme nga kjo kategori. Ky problem duket se më tepër rëndon për atë pjesë ushtarakësh që kanë dalë në lirim apo kanë mbushur moshën e pensionit. Ndërkohë që më shumë përfitojnë ata që janë ushtarakë aktivë duke nisur nga vizita të thjeshta e deri në kurime jashtë shtetit. Sipas statusit të ushtarakut, kjo kategori duhet të përfitojë shërbime falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private brenda vendit. Te ligji “Për Statusin e Ushtarakut” është përcaktuar dhe rasti kur një ushtarak mund të kurohet falas edhe jashtë shtetit, duke vendosur kështu rregullin se jo të gjithë ushtarakët mund ta gëzojnë këtë të drejtë, pavarësisht gradës dhe viteve të punës që kanë në strukturat e Forcave të Armatosura.
Përfitimet
Sipas ligjit, ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit të detyrueshëm aktiv, përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private brenda vendit. Por jo vetëm kaq, për të njëjtët persona është përcaktuar në ligj që kur dërgohen për t'u kuruar ose për t’u diagnostikuar jashtë vendit sërish shërbimi ndaj tyre të jetë falas dhe të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, duhet të përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile brenda vendit.
Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, gëzojnë të drejtën për t’u kuruar ose për t’u diagnostikuar në institucionet mjekësore shtetërore jashtë vendit, duke përfituar ndihmë mjekësore falas. Nga përfitimet e mësipërme janë përjashtuar ushtarakët, të cilët dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.
Barnat
Statistikat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme ish-ushtarakësh, sidomos ata që kanë punuar në ndërmarrje, shpesh kthehen në të sëmurë kronikë. Për pasojë janë dhe kategoria që kanë më shumë nevojë për barna gjatë gjithë kohës në varësi të sëmundjes që kanë. Sipas ligjit, ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura, oficerit, nënoficerit, ushtarit me pagesë/profesionist, ushtarit të shërbimit të detyrueshëm aktiv, oficerit, të cilët kanë dalë në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë. Ndërsa ushtaraku që ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare përfiton rimbursim të plotë të barnave, kur shëndeti është dëmtuar gjatë operacioneve të tilla dhe kompensimi zgjat për aq kohë sa të bëhet riaftësimi shëndetësor. Nga këto përfitime janë përjashtuar ushtarakët që dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.
Përfitimet shëndetësore për ushtarakët
1. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit të detyrueshëm aktiv, përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private brenda vendit.
2. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit të detyrueshëm aktiv, përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private, kur dërgohen për t'u kuruar ose për t'u diagnostikuar jashtë vendit.
3. Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile brenda vendit.
4. Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë, kur sëmuret në shërbim ushtarak, gëzojnë të drejtën për t'u kuruar ose për t'u diagnostikuar në institucionet mjekësore shtetërore jashtë vendit, duke përfituar ndihmë mjekësore falas.
5. Nga ky nen nuk përfitojnë ushtarakët, të cilët dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.
Përfitimi te rimbursimi i barnave
Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist, ushtarit të shërbimit të detyrueshëm aktiv, oficerit, të cilët kanë dalë në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë.
Ushtaraku që ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare përfiton rimbursim të plotë të barnave kur shëndeti është dëmtuar gjatë operacioneve të tilla dhe kompensimi zgjat për aq kohë sa të bëhet riaftësimi shëndetësor.
Nga ky nen nuk përfitojnë ushtarakët që dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.
26 Tetor 2008