Gjyqtarët e Korçës: “Apeli të mos ndryshojë vendime pa shkak”
Tiranë - Trajtimi i problematikave ligjore që shqetësojnë sistemin gjyqësor ka vijuar dje në qytetin e Korçës, ku u mor në shqyrtim analiza e punës për vitin 2007 në dy gjykatat e rretheve gjyqësore, Korçë dhe Pogradec, si dhe në Gjykatën e Apelit Korçë. Takimi i gjyqtarëve kapërceu formalitetet e panevojshme, duke mos kufizuar të drejtën për t’u dëgjuar vetëm te kryetarët e gjykatave. Diskutimet e gjyqtarëve të dy rretheve gjyqësore u shoqëruan me kritika ndaj Gjykatës së Apelit Korçë, e cila sipas tyre ka konsoliduar një qëndrim me tendencë për prishje apo ndryshim të vendimeve që japin gjykatat e shkallës së parë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vijimësi të çështjeve të diskutuara edhe në zona të tjera të vendit rikonfirmoi, nëpërmjet zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të tjerë të pranishëm, rëndësinë e forcimit të autoritetit të pushtetit gjyqësor dhe qëndrimin që ky Këshill ka adoptuar nëpërmjet vendimeve të tij të fundit në shërbim të një Gjyqësori të përgjegjshëm dhe transparent. Theksi u vu në zhvillimin e proceseve të drejta ligjore në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila i referohet respektimit të ligjit material dhe procedural: që nga solemniteti në seancë apo shpejtësia në gjykim deri te integriteti i lartë profesional dhe moral i gjyqtarit në dhënien dhe arsyetimin e vendimeve. Zbritja në juglindje të vendit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është mirëpritur vetëm nga komuniteti i gjyqtarëve, por edhe nga ai i qytetarëve të zonës, të cilët kanë qenë të pranishëm përpara vendit ku u zhvillua takimi në qytetin e Korçës, si përpara fillimit të analizës, ashtu edhe në përfundim të saj. Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe maratona për drejtësi duket se është si në vëmendjen e zbatuesve të ligjit, po aq edhe të subjekteve, interesat e të cilëve i adresohen gjykatave. Duke ruajtur brenda parametrave profesionalë një raport mes gjyqësorit dhe shoqërisë civile, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka kërkuar gjyqtarëve që me sjelljen e tyre profesionale të rrisin besimin e publikut te Drejtësia.
29 Shkurt 2008