Ish-te perndjekurit, shperbim edhe pa dokumentin e Burgjeve
Ministria e Drejtësisë: Nuk kthehen dosjet kur mungon ky dokument. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në shërbim të qytetarëve
Laureta Rryçi
Tiranë - Ministria e Drejtësisë njoftoi dje se “mungesa e vërtetimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk shkakton refuzim të kërkesës për dëmshpërblim financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist”. Kjo masë u mor për t’u ardhur në ndihmë ish-të dënuarve politikë dhe familjarëve të tyre, të cilët janë paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për tërheqjen e vërtetimit, që përmban periudhën e ekzekutimit të dënimit. Pas një takimi pune me drejtuesit e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë sqaroi: “Vërtetimet që lëshohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk përbëjnë domosdoshmërisht kusht për paraqitjen e kërkesës për dëmshpërblim financiar nga ish-të përndjekurit politikë”. Sipas Ministrisë, mjafton që aplikuesit të plotësojnë formularin e kërkesës me të dhënat për kohën e hyrjes dhe atë të daljes nga burgu, si dhe vendin e kryerjes së dënimit.
Udhëzimi
Për plotësimin e këtij formulari vlejnë edhe vërtetimet e vjetra që ish-të dënuarit i disponojnë, si dhe fotokopjet e tyre. Po këto dokumente shërbejnë edhe në rastin kur janë disa trashëgimtarë të ish-të dënuarit. Ministria e Drejtësisë në të gjitha përgjigjet për mosplotësim të dokumentacionit nuk ka kërkuar domosdoshmërisht paraqitjen e vërtetimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe mungesa e këtij vërtetimi nuk shkakton refuzim të kërkesës për dëmshpërblim. Por, pavarësisht kësaj, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vazhdojë t’u përgjigjet kërkesave të të gjithë të interesuarve që nuk kanë asnjë informacion për periudhën e vuajtjes së dënimit.
Kërkesat
Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur deri tani 936 kërkesa për dëmshpërblim të ish-të përndjekurve politikë. Nga fillimi i këtij viti e deri në këto ditë është përgatitur relacioni për 11 prej tyre, të cilët kanë kaluar për shqyrtim dhe janë gati për të kaluar për llogari të masës së dëmshpërblimit. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie pohuan dje se kërkesat kanë mbërritur pas tërheqjes së formularit nëpër filialet e Postës Shqiptare. Ndërsa pjesa tjetër e kërkesave ka marrë drejtime të ndryshme. Disa kërkesa janë cilësuar nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë se nuk u takon të përfitojnë dëmshpërblim për shkak të lidhjes që kanë pasur me të dëmtuarin. Megjithë njoftimet nga institucionet, sërish ata që pretendojnë se duhet të përfitojnë nga dëmshpërblimi i të përndjekurve ende nuk e kanë shumë të qartë dokumentacionin që u nevojitet për të qenë pjesë e përfituesve.
Përmbajtja e kërkesës
Kërkesa për dëmshpërblim duhet të përmbajë:
a) të dhëna për përbërësit e gjendjes civile të ish-të dënuarit politik në kohën e dënimit dhe informacion aktual, sipas rastit, nëse janë ndryshuar emri, mbiemri, datëlindja, vendlindja, vendbanimi, seksi, raportet e atësisë e të mëmësisë për të dënuarit me vdekje, burgim, internim ose dëbim. Për të gjitha ndryshimet në përbërës, kërkesës duhet t’i bashkëlidhet edhe akti që i ka ndryshuar ato;
b) të dhëna për periudhën e ekzekutimit (ditën)/vuajtjen e dënimit/dënimeve, hyrje-daljet nga burgimi, izolimi, internimi apo dëbimi;
c) vendimin e gjykatës, të formës së prerë/aktin e internimit apo aktakuzën për izolim, nëse ka;
ç) dokumentacionin për gjendjen familjare aktuale të ish-të dënuarit politik;
d) çdo informacion që ka ai për gabime ortografike apo materiale të përbërësve të gjendjes civile të tij, në vendim apo aktakuzë, për identifikimin e saktë të tij;
dh) certifikatën e gjendjes civile, që provon të gjithë përbërësit e gjendjes civile dhe një adresë të saktë, të zgjedhur prej tij për komunikim.
Certifikata duhet të jetë lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kërkesës.
Për ish-të dënuarit, që nuk jetojnë, apo familjarët e viktimave, kërkesa paraqitet nga familjari, sipas rrethit të përcaktuar në këtë ligj.
29 Shkurt 2008