Zëvendësministri i Brendshëm: “Për menaxhimin e kufijve, punoni edhe për Kosovën”
TIRANË – “Në ruajtjen e menaxhimin e kufijve punoni jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shtetin më të ri në botë, Kosovën”, - u shpreh të mërkurën zëvendësministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, gjatë inspektimit të kufirit Shqipëri-Kosovë, me drejtuesit e Policisë së Qarkut Kukës. Ai shtoi: “Në këtë situatë të krijimit të shtetit të ri të Kosovës është detyra jonë të mos krijojmë asnjë boshllëk në administrimin e tyre”. I shoqëruar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kryekomisar Ahmet Prençi, gjatë inspektimit në pikat e kalimit kufitar të Kukësit, të Hasit dhe Tropojës, Strazimiri tha se nuk do të tolerohet asnjë shkelje dhe se rezultatet e dy muajve të fundit kanë treguar aftësinë menaxhuese që ka policia shqiptare për ruajtjen e kufijve. “Në këtë situatë të krijimit të shtetit të ri të Kosovës është detyra jonë të mos krijojmë asnjë boshllëk në administrimin e tyre”, - theksoi ai. Policia e Shtetit bëri të ditur dje se gjatë këtij inspektimi zëvendësministri Strazimiri vlerësoi punën e mirë të efektivave blu në administrimin e kufijve shtetërorë, në bashkëpunim me KFOR-in dhe Shërbimin Policor të Kosovës. “Puna e bërë nga ju vlen për t’u lavdëruar, pasi ka një rënie të ndjeshme të kalimeve të paligjshme në korridorin Kukës-Has-Tropojë drejt Kosovës-Serbisë-Sllovenisë-Italisë dhe vendeve të tjera europiane”, - përfundoi Strazimiri.
Kryekomisar Ahmet Prençi u shpreh se Policia e Kukësit duhet të punojë më shumë në kontrollin e personave që mbajnë armë pa leje, pasi, sipas statistikave, ky kontroll nuk ka qenë shumë eficient. “Për çdo person që shkel ligjin nuk ka mbështetje nga asnjë strukturë brenda apo jashtë policisë. Motoja jonë është “tolerancë zero” ndaj krimit. Gjithashtu, dosjet e vjetra në mënyrën më absolute nuk duhet t’i mbulojë pluhuri, ato në çdo moment duhet të plotësohen me çdo të dhënë a provë të re”, -përfundoi Prençi.
29 Shkurt 2008