E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senati i SHBA-ve, rezolutë pro Shqipërisë për në NATO

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shprehur njëzëri pro anëtarësimit në NATO të tre vendeve të Ballkanit, si Maqedonia, Kroacia dhe Shqipëria. Rezoluta e Senatit amerikan vjen në shprehje të mbështetjes së fortë të Senatit amerikan për ftesën për anëtarësim në NATO të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në prill 2008, në Samitin e Bukureshtit. Iniciatori i kësaj rezolute ka qenë senatori Lugar, mik i shqiptarëve, i cili ishte iniciatori i kësaj lëvizjeje politike me domethënie të veçantë për politikën e jashtme të vetë SHBA-ve. “Tre vendet kandidate kanë bërë progres të rëndësishëm në proceset e demokratizimit të vendeve të tyre, në tolerancën etnike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë mes tyre. Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia mund të luajnë një rol tejet të rëndësishëm në rolin e NATO-s në Europën Juglindore”, - thuhet në rezolutën e Senatit. Më tej, në këtë rezolutë, senatori Lugar jep edhe informacion mbi zhvillimet në këto vende, të cilat mbështesin demokracinë dhe janë në procese për t’u integruar në Bashkimin Europian. Sipas senatorit Lugar, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e meritojnë të jenë pjesë e NATO-s për shkak se kanë bërë progrese të rëndësishme për të vendosur kontrollin civil të ushtrive të tyre, duke demonstruar zotësinë për të operuar me forcat e NATO-s dhe standardet e Aleancës si dhe për shkak se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia vazhdojnë të japin kontributin e tyre të vyer në krah të forcave të SHBA-ve, të forcave ndërkombëtare të asistencës dhe sigurisë nën lidershipin e NATO-s në Afganistan, për të stabilizuar dhe rindërtuar këtë shtet. “Senati riafirmon suportin e tij për procesin zgjerues të NATO-s, përfshirë këtu vendet kandidate. SHBA duhet të kenë rolin e liderit në suportin e anëtarësimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, për t’iu bashkuar aleancës në prill të 2008-s”, - shprehet rezoluta. Senatorët amerikanë nuk harrojnë edhe çështjen e Kosovës duke ritheksuar edhe rolin paqësor që kanë luajtur vendet kandidate. “Në shkurt 2008, SHBA-të dhe shumë vende aleate njohën pavarësinë e Kosovës, një hap historik ky që i dha fund së shkuarës së përgjakur të Ballkanit, ndaj SHBA dhe shumë vende aleate diplomatikë të tyre duhet të mbështesin integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike”, - thuhet në rezolutën për çështjen e Kosovës.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›