E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtepite-monument, pronaret shpetojne nga egersia e ligjit

Debatet në Kuvend rrëzojnë propozimin e Ministrisë së Kulturës. Pronarët e shtëpive-monument do të trajtohen sipas ligjit aktual
Erald Kapri

Ministria e Kulturës nisi në Kuvend një propozim për disa ndryshime në ligjin e trashëgimisë kulturore, të cilat shkaktuan një debat të pamenduar. Neni 24 i këtij propozimi parashtronte se kur një pronar i një shtëpie të cilësuar si monument kulture nuk bën restaurimet e duhura që kërkon ligj, atëherë shteti e shpronëson këtë shtëpi. Kjo pikë hasi kundërshtime nga të gjithë krahët politikë, pa përjashtim, duke kundërshtuar hapur propozimin e ministrit Ylli Pango. Kërkesat dhe kundërshtitë e deputetëve ndërgjegjësuan edhe vetë ministrin, i cili, aty për aty, në sallë, propozoi që t’u sekuestrohej banesa vetëm atyre që nuk i përgjigjeshin thirrjes së shtetit, por që edhe ky propozim nuk u mbështet nga parlamentarët. Ndonëse nenet e trashëgimisë kulturore mendoheshin se do të kalon ka pasur probleme në Kuvend, në fakt neni në fjalë shkaktoi një debat ku vuri në pikëpyetje edhe identitetin politik të forcave politike. “Po prekni shenjtërinë e pronës dhe ju që jeni të djathtë”, - tha deputeti Pandeli Majko, i cili u pasua nga kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila u shpreh se askush nuk garantonte që ligji nuk mund të sjellë abuzime. “Qoftë edhe në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ky projektligj mund të bëjë që zyrtarët të abuzojnë dhe të përfitojnë”, - tha Leskaj. Kontaktimi i deputetëve të majtë u mbështet si nga ministri i Financave, Ridvan Bode, ashtu dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, i cili tha se ligji aktual është i prerë në këtë pikë dhe nuk ka nevojë për ndryshime. Debati në Kuvend ktheu vëmendjen edhe të kryetares Topalli, e cila kërkoi një rrugë të ndërmjetme, por që nuk u gjet nga deputetët. Me gjithë lutjet e arkeologut dhe deputetit Neritan Ceka për miratimin e shpejtë të ndryshimeve të ligjit për shkak se dita-ditës po prishen shtëpitë-monument kulture, deputetët njëzëri votuan thjesht heqjen e kësaj pike, pa u munduar për rrugën e ndërmjetme.
Ligji aktual
Përsa i përket marrëdhënies shtet dhe privat në ndërtesat monument kulture, marrëdhënia do të jetë e njëjtë siç ka qenë. Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall monumentin, sipas studimit të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Punimet e mirëmbajtjes, të restaurimit dhe të rigjallërimit të monumenteve të kulturës kryhen me fondet e dhëna Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Buxheti i Shtetit, pasi të jetë miratuar plani i këtyre punimeve nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në monumentet e kulturës të kategorive të parë dhe të dytë, pronë e subjekteve jo-shtetërore, shteti përballon të gjitha shpenzimet për ruajtjen e vlerave historiko-artistike, të cilat nuk lidhen me qëndrueshmërinë e objektit. Punimet e tjera të restaurimit për këto monumente përballohen në masën 50 për qind nga shteti dhe 50 për qind nga pronari për monumentet e kulturës të kategorisë së parë dhe 30 për qind nga shteti dhe 70 për qind nga pronari për monumentet e kulturës të kategorisë së dytë. Kur pronari jo-shtetëror i monumentit të kulturës nuk ka fonde për kryerjen e punimeve të restaurimit, pas planifikimit të këtyre punimeve shteti ndërmjetëson pranë bankave për përfitimin e kredive afatgjata me kushte lehtësuese. Kur pronari kundërshton kredinë dhe kur monumenti është në rrezik shembje, punimet e restaurimit bëhen edhe pa pëlqimin e tij nga Instituti i Monumenteve të Kulturës ose edhe nga subjekte të tjera të licencuara për këtë qëllim. Pas përfundimit të punimeve, pronari detyrohet të paguajë pjesën e vet të shpenzimeve. Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose zone e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm.
Penalizimit
Natyrisht që ligji ka përcaktuar edhe penalizimet përkatëse. Në rast të mungesës së bashkëpunimit me shtetin parashikohen gjoba me vlerë nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë. Të drejtën e vënies së gjobës e kanë inspektorët e Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, sipas fushave që mbulojnë. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, ankimi dhe ekzekutimi i vendimeve bëhet sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative. Shuma e arkëtuar nga vjelja e gjobave derdhet 50 për qind në favor të Buxhetit të Shtetit dhe 50 për qind në favor të institucioneve që e ka objektin nën juridiksion.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›