Meta: “PD-PS, plan për të manipuluar zgjedhjet”
Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka zhvilluar dje një mbledhje, në të cilën është diskutuar rreth situatës më të fundit politike. Çështja e reformës zgjedhore dhe prishja e marrëdhënieve me Partinë Socialiste kanë qenë në qendër të diskutimeve të djeshme të organit të lartë drejtues të LSI-së.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në këtë takim ka deklaruar se përdorimi i sistemit proporcional rajonal në zgjedhjet e ardhshme elektorale është shprehje e planit të dy partive të mëdha, PD e PS, për të manipuluar zgjedhjet. Kjo pasi, sipas kreut të LSI-së, dy kryetarët e këtyre partive, Rama e Berisha, kanë bërë një marrëveshje të fshehtë, në kurriz të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Meta tha se është tërësisht i gabuar propozimi i Partisë Socialiste, e cila, me insistimin e saj për proporcionalin rajonal, nuk bën gjë tjetër veçse do t’i dhurojë fitoren Berishës, fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Meta ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka shkelur disa herë bashkëpunimin brenda opozitës, duke bërë të njëjtat gabime si paraardhësi i tij Fatos Nano. “Ne shprehim keqardhjen sot që lidershipi i PS-së nuk ka mësuar asnjë gjë nga dështimet e lidershipit të mëparshëm të PS-së. Na vjen keq që koalicioni i vjetër opozitar nuk e kreu misionin e tij dhe as objektivat politike që ai caktoi. Ai pushoi së ekzistuari realisht pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007”, - u shpreh ai. Meta u ndal edhe në objektivat e koalicionit të shpallur prej LSI-së, “E majta për integrim”. Ish-kryeministri u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme ky koalicion do të hyjë vetëm për t’i fituar ato falë forcës së LSI-së dhe kontributit të progresistëve dhe të të majtëve të vërtetë. “Ky koalicion i madh i yni, i socialistëve e progresistëve, ka përgjegjësinë gjithashtu të përfaqësojë të gjithë ata të majtë që kurrë nuk e kanë menduar se lidershipi i tyre do të preferonte një marrëveshje me Sali Berishën duke injoruar tërësisht ata që i dhanë votën”, - tha Meta.
29 Shkurt 2008