E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Do të shfuqizojmë vendimin për kufizimin e mjeteve të lundrimit”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilloi një takim me
qindra qytetarë vlonjatë, të rinj, të reja dhe përfaqësues të moshës së tretë, të qytetit të Vlorës. Duke folur në këtë takim, lideri i LSI-së, Meta, shprehu garancinë në fitore pasi, sipas tij, “nuk ka kuptim që ne të jemi të parët në Shqipëri në rast se nuk do të jemi të parët në Vlorë”. Meta tha se një ndër aksionet kryesore të qeverisjes së ardhshme të LSI-së të pas 28 qershorit do të jetë shfuqizimi i vendimit diskriminues të qeverisë “Berisha” për kufizimin e mjeteve të lundrimit.
“Jam i bindur se një nga vendimet e para të mazhorancës sonë fituese, pasi të nxjerrim në pension të përhershëm politik Sali Berishën më 28 qershor, do të jetë heqja e një vendimi diskriminues për vlonjatët, për durrsakët, sarandiotët dhe për të gjithë shqiptarët, që është ai i kufizimit të mjeteve të lundrimit vetëm për shqiptarët. Ky është një vendim jo vetëm diskriminues dhe i padrejtë, jo vetëm tregues i dështimit për të luftuar realisht trafikun, por njëkohësisht është një hipokrizi e gjallë, sepse ky gjoja do të luftonte trafikun në det. E bëri trafikun në mes të Tiranës dhe Durrësit me armët dhe municionet dhe mori dhjetëra jetë. Si mund të ketë zhvillim të turizmit me diskriminime?”, - tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Braçe: “Berisha mashtroi turpshëm edhe për banesat e të pastrehëve”

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas vendimit më të fundit të qeverisë për të siguruar strehim për 6000 familje të pastreha. Sipas deputetit socialist, një gjë e tillë është vetëm një mashtrim i turpshëm i kryeministrit Sali Berisha. Braçe tha se ky është vetëm një premtim elektoral i Berishës dhe një gënjeshtër që vazhdon prej katër vitesh. Sipas deputetit socialist, qeveria nuk ka planifikuar asnjë të ardhur për strehimin në buxhetin e vitit 2009. “Në buxhetin e vitit 2009, qeveria nuk ka asnjë fond për të mbështetur financiarisht faturën financiare të ligjëratës mashtruese të Sali Berishës dje, as për interesat, as për principalin, as për kredinë, pra as për shtëpinë. Kur i kanë mbetur vetëm 128 ditë, Sali Berisha nuk ka ndërtuar e ndarë ndershmërisht as 505 apartamente. Mbi të gjitha, Sali Berisha duhet të përgatitet në këto ditë për një fluks të ri të pastrehësh, që po e prodhon keqqeverisja e tij”, - tha deputeti socialist Erion Braçe.

21 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›