E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia e Gjelbër i bashkohet koalicionit të LSI-së



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, nënshkroi marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në një koalicion me Partinë e Gjelbër Shqiptare, që është anëtare e Partisë së Gjelbër Europiane. Në emër të Partisë së Gjelbër Shqiptare, marrëveshjen e nënshkroi kryetari i kësaj partie, Edlir Petanaj. Partia e Gjelbër Shqiptare ka mbledhur rreth vetes ambientalistë të shquar shqiptarë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Meta shprehu kënaqësinë që koalicionit të drejtuar nga LSI-ja i bashkohet edhe Partia e Gjelbërt.
“Është kënaqësi e veçantë që sot të nënshkruajmë me Partinë e Gjelbër Shqiptare, anëtare e Partisë së Gjelbër Europiane, marrëveshjen e parë për koalicionin tonë fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit. Marrëveshjen e parë e bëjmë në emër të një mjedisi tmerrsisht të kërcënuar sot për qytetarët shqiptarë, të një mjedisi që po kthehet jo vetëm në një kërcënim social, por edhe në një agresion ndaj shëndetit të qytetarëve dhe të popullsisë dhe në një dimension të munguar të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Ndaj unë besoj se marrëveshja që ne nënshkruajmë me Partinë e Gjelbër Shqiptare është shumë e rëndësishme për vetë dimensionin programor dhe angazhues të LSI-së dhe të gjithë koalicionet që ne po ndërtojmë dhe konfigurojmë, në mënyrë që t’u premtojmë gjeneratave të sotme, por edhe të ardhshme, një angazhim solemn se ne do të punojmë për një mjedis të gjelbër, se ne do të punojmë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, se ne do të punojmë që zhvillimi i qëndrueshëm i vendit të mbështetet në mënyrë solide mbi një mjedis të mbrojtur dhe që zhvillohet çdo ditë e më shumë”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›