Gati fletëthirrja për Gazideden

TIRANË - Duke filluar nga seanca e ardhshme, Arben Sefgjini, ish-kreu i SHIK-ut Tiranë dhe ish-vartësi i tij, Avni Koldashi, do të përballen me dëshmitarët e akuzës. Fillimisht në Gjykatën për Krime të Rënda do të paraqiten bashkëshortja e Remzi Hoxhës, Sevdija dhe djali i biznesmenit të zhdukur Ardian Hoxha. Këta dëshmitarë pritet të pasohen edhe nga emrat VIP, që prokuroria ka renditur në listën e dëshmitarëve të akuzës. Të paktën një fakt i tillë pohohet edhe nga burime pranë organit të akuzës, të cilat thanë se shumë shpejt në gjykatë do të paraqiten dhe ish-drejtues të Shërbimit Informativ Kombëtar, apo dhe zyrtarë të tjerë që kanë pasur dijeni për rrëmbimin e Remzi Hoxhës. Konfirmohet fakti se ndër dëshmitarët kryesor të kësaj çështje janë ish-kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë Agim Shehu, si dhe zyrtarë të tjerë të tjerë të SHIK-ut të saj kohe. Por pavarësisht faktit se procesi tashmë po futet në rrugën e duhur, avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit Arben Sefgjini e Avni Koldashi, vazhdojnë t’i mëshojnë hipotezës se rihapja e kësaj çështje ka prapavijë politike, ku është përfshirë dhe Prokuroria. Një debat i ashpër përfshiu seancën e djeshme ndaj dy të pandehurve të vetëm që janë prezent në këtë proces gjyqësor, pasi Gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit për ish-inspektorin e SHIK, Budion Meçe për shkak të sëmundjes së rëndë dhe gjendjes së komës në të cilën ndodhet.
Gjatë seancës së djeshme avokati mbrojtës i kreut aktual të Tatimeve tha se dosja për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha u rihap për shkak të lojërave politike, ku u përfshi edhe organi i akuzës. Gjatë seancës së djeshme, avokati Zef Nika tha se prokuroria nuk ka asnjë provë të re për të vërtetuar akuzat që janë ngritur mbi të pandehurit e këtij procesi. Në të njëjtën linjë përsa i përket implikimit të politikës në këtë çështje ishte dhe ish-shefit të bazës së vëzhgimit të SHIK-ut Tiranë, Avni Koldashi, i cili ripërsëriti dhe një herë idenë se akuzat ndaj tij janë politike. Ndërsa avokati mbrojtës i Koldashit, deklaroi se klienti i tij ka zbatuar vetëm urdhrin duke shoqëruar Remzi Hoxhën dhe më pas është larguar. Gjatë seancës së djeshme avokati mbrojtës i të pandehurit Ilir Kumbaro, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar kërkoi pezullimin e gjykimit për klienti e tij, kërkesë e cila u rrëzua nga trupi gjykues i Krimeve të Rënda. Gjithashtu me kërkesë të prokurorit, gjykata vendosi që në seancën e ardhshme e cila do të zhvillohet më datën 25 korrik, të procedohet me thirrjen e dëshmitarëve. Fillimisht do të dëshmojnë bashkëshortja dhe djali i biznesmenit Remzi Hoxha dhe më pas VIP-at e renditur në listën e dëshmitarëve të akuzës. Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro dhe Budion Meçe, sipas prokurorisë akuzohen se në muajt tetor-nëntor të vitit 1995 kanë rrëmbyer dhe torturuar me pasoja të rënda Ziso Kristopullin, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxhën.
Frikë nga ndryshimi i dëshmive
Tashmë që procesi ndaj të akuzuarve për rrëmbimin e Remzi Hoxhës ka hyrë në rrugë të mbarë, prokuroria dyshon se një pjesë e dëshmitarëve mund të ndryshojnë thëniet në Gjykatë për shkak të presioneve apo kompromiseve që mund të kenë bërë në këmbim të detyrave shtetërore që mbajnë aktualisht. Një fakt i tillë është pohuar për “Korrierin” nga burime konfidenciale pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa burime pranë grupit hetimor nuk e mohuan këtë informacion, duke thënë se nuk përjashtohet mundësia se një pjesë e dëshmitarëve që mbajnë detyra shtetërore mund të bëjnë kompromise për hir të vendit të punës.