Gjyqtarët kundër Alibeajt: Ligji, antikushtetues
Projektligji “Për administratën gjyqësore” shoqërohet me debatë të ashpra. Drafti kundërshtohet nga gjyqtarët dhe mbrohet nga kancelarët
TIRANË- Gjyqtarët shprehen kundra projektligjit të Ministrisë së Drejtësisë “Për administratën gjyqësore”.Ashtu siç ishin shprehur edhe më parë gjatë qëndrimeve publike, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve kanë kundërshtuar dje edhe zyrtarisht nismën ligjore të qeverisë gjatë diskutimit të tij në Komisionin parlamentar të Ligjeve, duke evidentuar atë si një draft që vjen në kundërshtim me frymën kushtetuese për ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve.
Komisioni
Komisioni parlamentar i Ligjeve është përfshirë dje nga debate të forta jo vetëm mes deputetëve të pozitës dhe opozitës por edhe me përfaqësuesit e grupeve të interesit, siç ishin shoqatat e gjyqtarëve apo edhe kancelarët e gjykatave të ftuar në një seancë dëgjimore. Përpjekja e kryetares së shoqatës Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë Manjola Bejleri për të lexuar para komisionit kërkesën proçeduriale për ndërprerjen e shqyrtimit të projektligjit deri në përfundim të procesit të vlerësimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen antikushtetuese të neneve 37 dhe 38 të ligjit bazë “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, është bërë shkak për tensionimin e debatit. “Ne i kërkojmë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të pezullojë procedurën e shqyrtimit të Projekt-ligjit “Për administratën gjyqësore” deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese”,- tha Manjola Bejleri. Ndërkohë kryetari i këtij komisioni Ilir Rusmali deklaroi se nuk është komisioni i Ligjeve institucioni i cili mund të vendosë për ndërprerjen ose jo të diskutimit apo të gjykojë mbi kërkesën e kësaj shoqate. “Ky këtu nuk është Kuvendi i Shqipërisë. Ky është komisioni i ligjeve të Kuvendit. Nëse do t’ia drejtoje Kuvendit duhet të shkoje në rrugë të tjera”, - tha Rusmali. Por përfaqësuesit e opozitës kanë paralajmëruar largimin nga salla në rast se nuk do të liheshin të gjithë të ftuarit të thoshin mendimet e tyre për gjithçka vlerësojnë në lidhje me këtë projektligj
Gjyqtarët
Komuniteti i gjyqtarëve ka prurë përpara deputetëve argumentet që e bëjnë këtë projektligj, sipas tyre, antikushtetues, duke paraqitur në të njëjtën kohë dhe propozime konkrete për një riformulim ndryshe të disa prej neneve më të kontestuara të këtij drafti. Përfaqësuesja e gjyqtarëve Manjola Bejleri ka theksuar se drafti i paraqitur si dhe nenet 37 dhe 38 të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor” është antikushtetues pasi nuk respekton parimin themelor të ndarjes së pushteteve. “Nga dispozitat e këtij projektligji vërehet qartë se “Administrimi i shërbimeve në gjykatë” kryesohet nga Kancelari i gjykatës, çka do të thotë që ky administrim është nën varësi direkte vertikale të Ministrit të Drejtësisë. Kjo për arsyen e thjeshtë se “Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë”, - tha Bejleri. Duke vijuar më tej vlerësimin e saj ajo ka theksuar se në këtë mënyrë duket qartë se këto dispozita i kanë hequr totalisht mundësinë pushtetit gjyqësor për të administruar shërbimet në gjykatë, duke ia kaluar atë Ministrisë së Drejtësisë, organ i cili i përket kushtetueshmërisht pushtetit ekzekutiv. “Gjyqësori si tre pushtete të pavarur nga njeri-tjetri duhet ta përzgjedhin dhe drejtojnë vetë administratën që punon për ta. Është pikërisht kjo varësi hierarkike që rrit eficensën në punë të çdo pushteti”, - shtoi Bejleri duke dhënë dhe alternativën e saj për mënyrën sesi duhet të ndryshojë projektligji i paraqitur për ta bërë atë të pranueshëm nga të gjitha palët. Ndërkohë kryetari i Unionit të Gjyqtarëve Gerd Hoxha, ka kërkuar që në këtë debat të përfshihen edhe kryetarët e gjykatave si personat direkt të prekur nga ky projektligj. Edhe ai gjatë diskutimit të tij ka sjellë para komisionit një sërë propozimesh për ndryshimin e disa neneve të cilat sipas tij cenojnë rëndë kompetencat e kryetarëve të Gjykatave dhe fuqizojnë kancelarin. Gjithashtu në emër të unionit ai ka shprehur rezerva në lidhje me projektin e paraqitur edhe përsa i përket një sërë çështjesh të tjera evazive që kanë të bëjnë pikërisht në lidhje me marrëdhëniet mes kryetarit të Gjykatës së Ministrit të Drejtësisë. Sipas tij drafti i paraqitur nuk jep një zgjedhje të qartë për ato raste kur kancelari nuk merr parasysh kërkesën e kryetarit të gjykatës për marrjen e masave disiplinore dhe kur ky i fundit i drejtohet Ministrit. Në ndryshim të plotë nga qëndrimi i komunitetit të gjyqtarëve, përfaqësuesit e kancelarëve të gjykatave kanë vlerësuar draftin si tepër pozitivë dhe një mënyrë që i jep zgjedhje shumë problemeve që mbart sot sistemi gjyqësor në vend.
Opozita nëpërmjet relatorit të saj Besnik Dervishi ka paraqitur dje qëndrimin e saj zyrtar në lidhje me draftin
PS: Drafti synon varësinë e gjyqësorit
TIRANË- Jo vetëm komuniteti i gjyqtarëve është shprehur kundërshtues ndaj projektligjit “Për administratën gjyqësore. Opozita nëpërmjet relatorit të saj Besnik Dervishi ka paraqitur dje qëndrimin e saj zyrtar në lidhje me draftin, duke e konsideruar atë si një projekt që nuk jep kontributin e pritshëm në funksion të forcimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Nëpërmjet një relacioni voluminoz, Dervishi ka argumentuar nëpërmjet referencave ligjore, arsyet pse Partia Socialiste është mosbesuese për klimën e re që mundohet të imponojë qeveria nëpërmjet një projektligji të tillë në sistemin gjyqësor. Sipas tij, projektligji i propozuar jo vetëm që nuk shërben për forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por përkundrazi në këtë aspekt ai sjell shumë elementë që shkojnë në të kundërt. “Projektligji nuk ofron asnjë standard bazik e parimor për menaxhimin efektiv por edhe transparent të gjykatave, por në shumë dispozita të tij vërehet haptazi një tendencë e ekzagjeruar e centralizimit të administrimit në duart e Ministrit te Drejtësisë.Edhe kur një kompetencë nuk është e drejtpërdrejtë e ushtruar nga ministri, ajo ushtrohet nga kancelari i gjykatës, i emëruar i ministrit, pa asnjë propozim apo konsultim nga gjykata përkatëse apo Kryetari i Gjykatës”, - tha nder te tjera Dervishi gjatë relativit të tij. Duke u ndalur në çështjet konkrete që prek ky projekt, ai ka bërë të ditur se vlerësimi legjislativ në projekt-akt mungon, ndërkohë që hartuesit nuk mbështeten në asnjë studim konkret në lidhje me nevojat reale të sistemit gjyqësor në këndvështrim të administratës gjyqësore e cila sipas tij në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si e shkëputur nga sistemi gjyqësor, por si pjesë përbërëse dhe tejet e rëndësishme e këtij të fundit. Në këtë drejtim ai ka evidentuar faktin se draftit i mungon kontributi thelbësor i aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore, Shkollës së Magjistraturës, forumeve përfaqësuese të Gjyqtareve, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, etj. Gjithashtu Dervishi ka deklaruar se këtij projekti i mungon edhe fatura financiare, detyrim i cili buron drejtpërsëdrejti nga parashikimet Kushtetuese për efekt të pagave në administratën gjyqësore.
Vërejtjet e gjyqtarëve
Neni 2 dhe 3.
Misioni i administratës gjyqësore nuk mund të përkufizohet si “funksion mbështetës” i gjykatave.
Neni 4/2,c
Kjo dispozitë vjen në kundërshtim me nenin 38/a të Ligjit “Për Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor” në të cilin parashikohet se: “Kancelari emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrative-teknik të shërbimeve të gjykatës”.
Neni 4/2/d.
Në mënyrën përgjithësuese siç është parashikuar, kjo dispozitë vjen në kundërshtim jo vetëm me Kodin e Procedurës Civile, por edhe me parimet kushtetuese të mos ndërhyrjes në veprimtarinë e gjykatave e gjyqtarëve.
Neni 4/2,e.
Në këtë parashikim të përgjithshëm se: Ministri vendos për ankimet për veprimtarinë e administratës gjyqësore”, kemi të bëjmë me një rreth të mbyllur ku çdo gjë vendoset dhe ankimohet po tek Ministri i Drejtësisë.
Neni 5.
Ky nen parashikon një pozicion diskriminues të Kryetarit të Gjykatës kundrejt jo vetëm Ministrit të Drejtësisë por edhe Kancelarit. Kryetari në këtë nen vihet në rolin e informatorit të Ministrit të Drejtësisë për drejtimin e gjykatës dhe në rolin e vartësit që propozon, kur dy të tjerët Kancelari dhe Ministri vendosin.
Neni 6.
Thuhet se Kancelari është struktura më e lartë e Administratës së Gjyqësorit në Gjykatë. Ndërkohë, që në fakt si brenda dhe jashtë gjykate është Ministri i Drejtësisë struktura më e lartë, i cili në fakt përcakton gjithçka për drejtimin, organizimin e funksionimin e Administratës Gjyqësore.
Neni 6/2/e.
Kalimi në administrim të Kancelarit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme të gjykatës është një parashikim që cenon në mënyrë të hapur pushtetin gjyqësor dhe pikërisht në pavarësinë financiare të tij.
Neni 6/2/ë.
Siguria e ndërtesës së Gjykatës është kompetencë e Kryetarit të gjykatës e parashikuar në nenin 18/3,ftë Ligjit “Për Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor” dhe jo e Kancelarit.
Neni 6/2/f.
Kjo dispozitë vjen në kundërshtim me nenin 40/1 të Ligjit “Për Organizimin dhe funksionimin e Pushtetit Gjyqësor”, ku parashikohet se: “Pushteti gjyqësor ka buxhet të veçantë, i cili administrohet prej tij, sipas kritereve të përcaktuara me ligj të veçantë”.
Neni 7/1.
Ligji për gjyqësorin nuk parashikon asnjë procedurë për emërimin apo shkarkimin e Kancelarit. Po t’i referohemi këtij ligji, meqë nuk parashikon asgjë, mbetet që për marrëdhëniet e punës së Kancelarit me punëdhënësin e tij të gjejë zbatim Kodi i Punës.
Neni 7/2.
Nëse për marrëdhëniet e punës së Kancelarit gjen zbatim Kodi i Punës, nënpunësve të tjerë të administratës gjyqësore ky projekt-ligj i jep statusin e nëpunësit civil sipas Ligjit “Statusi i nëpunësit civil”.
Neni 7/4.
Trajtimi financiar i Administratës Gjyqësore futet në një thes të përbashkët me administratën e Ministrisë së Drejtësisë gjë që tregon hapur se tashmë një pjesë e buxhetit të gjyqësorit i kalon ekzekutivit dhe trajtohet me VKM.