Tre të plagosur në aksidentin rrugor
BERAT - Tre të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur dje në rrugën automobilistike Berat – Lushnjë. Burime të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 14:30, në afërsi të fshatit Polizhan të Beratit, një automjet tip “Benz” me targa të Elbasanit është përplasur me një biçikletë. Si pasojë është plagosur Sotiraq Ndini, 50 vjeç. Por, pas përplasjes, automjeti ka dalë nga rruga, duke bërë që edhe dy personat që ndodheshin si pasagjerë në makinë, Enver dhe Xhemile Rrapi të plagoseshin. Ndërkaq, 50-vjeçari, i cili po udhëtonte me biçikletë, pas aksidentit është dërguar menjëherë në spitalin e Beratit dhe më pas, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore për ndihmë të mëtejshme, është shoqëruar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sa për dy shtetasit e tjerë, policia u shpreh se atyre iu dha ndihma e parë mjekësore dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. I vetmi i paplagosur duket se ka mbetur drejtuesi i automjetit, 38-vjeçari Shaban Kanani. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe kryerjes së hetimeve paraprake, policia vuri në pranga Kananin, pasi ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidentet rrugore për shkak të mosrespektimit të rregullave kanë qenë të shumta nëpër rrugët e vendit. Me gjithë masat e marra nga policia me vendosjen e matësve të shpejtësisë apo gjobëvëniet e shumta nga ana e policisë rrugore, ende çdo ditë vazhdojnë lajmet për përgjakjen e rrugëve. D.J.