E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen me kamionin, dy 20-vjeçarë rrezikojnë jetën

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur dje pasdite në rrugën kombëtare Fier-Ballsh, vetëm 1 kilometër larg qendrës së qytetit të Fierit. Aksidenti ka ndodhur pak metra larg godinës së Komisariatit të Policisë, rreth orës 15.55 minuta. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se dy mjete, një kamion dhe një autoveturë janë përplasur dhe si pasojë janë aksidentuar shumë rëndë dy të rinj.

Kamioni i tipit "Man" me targat FR7793C, që drejtohej nga shtetasi Faslli Dushku, ka qenë duke udhëtuar në drejtim të qytetit të Fierit, kur është përplasur me autoveturën e tipit "Renault" me targa FR 9671C. Vetura drejtohej nga 20-vjeçari Ardit Grëmi, banor i fshatit Sheqishtë të Fierit. Burimet policore nga vendi i ngjarjes tregojnë se në veturë ndodhej edhe 20-vjeçari tjetër Arsen Merko, banor i qytetit të Fierit. Makina me dy të rinjtë po dilte nga rruga dytësore e Komisariatit të Policisë dhe është përplasur me kamionin, i cili udhëtonte me një shpejtësi të madhe dhe për shkak të terrenit të rrëshqitshëm nuk ka mundur të frenojë në kohë. Si pasojë e përplasjes, vetura e tipit "Renault" ka pësuar dëme të mëdha dhe pjesa e përparme e saj thuajse është shkatërruar plotësisht. Punonjësit e policisë, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, janë detyruar të presin me troko llamarinën e makinës, për të nxjerrë prej andej dy të aksidentuarit 20-vjeçarë, Ardit Grëmi dhe Arsen Merkon. Të plagosurit kanë mbërritur pa ndjenja në spitalin rajonal të Fierit. Mësohet se një prej të rinjve ka dhënë shenja jete pak minuta pas mbërritjes në spital, ndërsa Arsen Merko, sipas mjekëve, është në gjendje kome dhe ka rrezik serioz për jetën. Burimet spitalore tregojnë se dy të rinjtë kanë dëmtime të mëdha në kokë, shpatulla dhe gjymtyrë.

Ndërkohë, policia e qarkullimit rrugor ka shoqëruar për në mjediset e komisariatit drejtuesin e kamionit, shtetasin Faslli Dushku, banor i qytetit të Fierit. Nuk dihet ende nëse ndaj tij do të merret ndonjë masë, por burimet policore tregojnë se ekspertiza e vendit të ngjarjes, si dhe mendimi i specialistëve do të tregojë shkakun e kësaj përplasjeje fatale. Ajo që thuhet paraprakisht, është se kamioni udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara dhe se shiu që binte e ka bërë terrenin të rrëshqitshëm, duke zgjatur kohën e frenimit. Për shkak të këtij aksidenti të rëndë, qarkullimi në rrugën Fier-Ballsh është bllokuar për rreth 30 minuta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›