Policët drejt Strasburgut
Policët në lirim ngrenë zërin kundër projektit qeveritar për trajtimin financiar të ish-uniformave blu
Flet drejtori ekzekutiv i "Organizatës së punonjësve të policisë në lirim", Besnik Bakiu
Zoti Bakiu, kohët e fundit është publikuar në media një projektligj për pensionet e punonjësve të Policisë. Ç'mendim keni për të dhe çfarë hapash mendoni të ndërmerrni në të ardhmen?
Si organizatë kemi ndjekur gjithë rrugët ligjore e demokratike për të penguar kalimin e këtij projekt ligji.
Në këto përpjekje po bashkërendojmë me sindikatën e punonjësve të policisë dhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Më konkretisht përgatitëm oponencën tonë për këtë draft dhe vumë në dijeni titullarët e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Gjithashtu kemi vënë në dijeni misionet e huaja që asistojnë Policinë Shqiptare.
Aktualisht për t'i dalë përpara çdo të papriture, me ndihmën e unioneve homologe të huaja, jemi venë në kontakt me një studio ligjore të huaj për ta dërguar çështjen në Gjykatën e të Drejtave te Njeriut në Strasburg.
Ju jeni një organizatë që punoni për të drejtat e Punonjësve të Policisë në Lirim. Pra jeni grup interesi. A ka pasur një diskutim mes jush dhe qeverisë në lidhje me këtë projekt ligj ?
Me ne nuk është diskutuar, nga hartuesit. Por me të siguruar draftin ne kemi bërë oponencën tonë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Policisë së Shtetit dhe pranë Ministrit të Brendshëm.
Këtë ne do ta vazhdojmë ta bëjmë edhe në qeveri, por edhe në parlament duke ndjekur të gjitha rrugët e mundshme ligjore dhe institucionale dhe siç ju thashë më lart ne do ta ndjekim edhe në Strasburg, nëse do të marrë formë ligjore. Është e pakuptueshme se nga vjen iniciativa ligjore për këtë projekt, cilët janë inspiruesit dhe hartuesit e tij. Sipas legjislacionit shqiptar, kërkesa për ligje të reja mund të vijnë vetëm nga programi legjislativ i Qeverisë, kërkesat e Parlamentit, grupet e interesit dhe OJF, kërkesat e një traktati ndërkombëtar apo e një organizate ndërkombëtare, vendimet e gjykatave, opinionet e shprehura në doktrinën ligjore, procesi i integrimit euro-atlantik. Asnjë nga sa më sipër nuk ka kërkuar marrjen e kësaj nisme, madje ajo nuk është parashikuar në asnjë nga dokumentet strategjikë të qeverive shqiptare (duke filluar nga Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes të Stabilizim Asociimit e deri te Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim).
Reagim i parterëve ndërkombëtarë për këtë projekt?
Ju lutem është një raport konfidencial që ne kemi me ta. Por ju siguroj që kemi gjetur mirëkuptimin e plotë të tyre.
Ju thoni që ky draft paraqet probleme ?
Në fakt ky draft paraqet vetëm probleme dhe është precedent unikal në historinë e jurispondencës, pasi tenton të kthejë kohën prapa dhe të krijojë "fanta-jurispondencën".Ai është në kundërshtim flagrant me parimet e përgjithshme të procesit legjislativ, pasi jo vetëm nuk mban në konsideratë objektivat e legjislacionit (përputhjen me Kushtetutën, përputhjen me nocionet bazë të arsyes dhe logjikës, të jetë me sa më pak efekte të padëshirueshme anësore), por përkundrazi është në drejtim të kundërt të tyre.
Referenca ligjore për të garantuar përfitime suplementare, e përcaktuar në nenin 1 (Qëllimi) të këtij projekt ligji, është aq e vjetër (ligji nr. 4 171, datë 13.9.1966 Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë) sa të çudit. Vërtetë hartuesit e këtij drafti nuk e dinë që në Shqipëri është përmbysur sistemi komunist prej 19 vitesh ?!!! Shqipëria ka në fuqi, një ligj për sigurimet shoqërore të vitit 1993.
Në këtë projekt gjen pa fund broçkulla dhe mendësi komuniste.
Hartuesit anonimë të këtij drafti, nuk kanë parashikuar asnjë diferencë faktike në trajtimin e funksioneve e kontributeve të ndryshme. Të gjithë të barabartë në mjerim. Ky draft më ka venë vërtet në mendime, pasi nuk e kuptoj, Shqipëria duhet të ndërtojë kornizën ligjore në përputhje me kërkesat e acquis communautaire apo me "acquis diktatoriale".
Po atëhere si duhet të rregullohet një problem i tillë për pensionet e punonjësve të Policisë ?
Dua të them se nuk ishte aspak e nevojshme hartimi i një projektligji të tillë, sepse na kthen disa hapa pas. Trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit është rregulluar me një paketë të plotë ligjore dhe nënligjore, të përbërë nga 2 ligje dhe 7 vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat kanë qenë të gjithëpranuar, duke pasur në konsideratë nivelin ekonomik të shoqërisë shqiptare. I vetmi shqetësim që ne kemi ngritur ka qenë, përmirësimi i kushteve për trajtimin e familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës dhe atyre të plagosur, si dhe rregullimi i statusit të të rënëve dhe plagosurve para vitit 1999, të cilët nuk përftojnë të njëjtat të drejta me ato të të rënëve pas këtij viti.
Ky draft demotivon tërësisht punonjësit e Policisë së Shtetit dhe nuk kuptohet përse është i nevojshëm. Sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës: "E drejta për shpërblim dhe sigurime shoqërore në nivelin e duhur si dhe për masa të veçanta që lidhen me kujdesin shëndetësor dhe sigurinë e personelit policor, përbëjnë kushtet esenciale për ta bërë profesionin e policit sa më tërheqës. Duhet pasur parasysh edhe një fakt që lidhet me situatën ku ndodhet Shqipëria, pasi një personel policie i shpërblyer dhe trajtuar mirë, minimizon mundësinë, që ai të përfshihet në aktivitete te padëshirueshme, siç është korrupsioni apo kriminaliteti".
Në relacionin shoqërues të këtij drafti ndër të tjera, thuhet se rregullimi i deritanishëm ka qenë një detyrim i qeverisjeve të majta dhe qeverisja aktuale nuk ka pse paguan faturat e asaj qeverisjeje ?
Nëse kjo është e vërtetë, do ta cilësoja një koncept të frikshëm dhe një gënjeshtër të turpshme.
E para nuk ka polici të partive politike, por të shoqërisë dhe shtetit shqiptar. E dyta kjo qeveri jo vetëm i ka rikonfirmuar këto të drejta me ligjin e ri "Për Policinë e Shtetit" (neni 89), por gjatë viteve 2006-2008 ky trajtim është konsideruar i pranueshëm dhe është rritur 3 herë masa e pensionit suplementar i punonjësve të Policisë së Shtetit (Me VKM nr. 459/2006 është rritur në masën 2 për qind, me VKM nr. 447/2007 është rritur 3 për qind dhe me VKM nr. 820/2008 është rritur 5 për qind). Pa dashur ta politizojmë problemin, nuk mund të mos evidentojmë qëndrimin jo konstruktiv nga strukturat shtetërore ndaj ish- punonjësve të policisë.
Pasi u larguan nga puna rreth 3 mijë punonjës policie, pa bërë asnjë studim dhe pa zbatuar kritere ligjore të përcaktuara, por vetëm sipas dëshirave subjektive (duke shkrirë e rikrijuar struktura, bërë transferime në kundërshtim me ligjin, etj me të vetmin qëllim të dëboheshin nga policia (me hir apo pahir) njerëzit që nuk gëzonin besimin politik të shefave). Me të njëjtin intensitet vazhduan prurjet e reja jashtë policore. Kjo e ashtuquajtura reformë tani tenton një reformë tjetër përfundimtare, atë të diskriminimit financiar të kësaj kategorie, duke i venë në vështirësi për mbijetesën biologjike ata dhe familjet e tyre.
Një argument tjetër që paraqitet nga hartuesit e këtij projekti është unifikimi i trajtimit të shërbimeve të ngjashme ?
Barazimi që i bëhet trajtimit të punonjësve të Policisë së Shtetit me efektivat e strukturave të tjera është i pamotivuar, pasi natyrat e punës janë të ndryshme. Me dhimbje se dua të vë në dukje se nuk gjendet në Shqipëri dhe as në ndonjë vend tjetër, ndonjë shërbim policie apo i ngjashëm, që të këtë rreth 300 efektivë të saj të rënë në krye të detyrës dhe mbi 200 të tjerë të plagosur. Në Kodin Evropian të Etikës Policore rekomandohet: "Stafi policor të sigurohet me masa të veçanta për shëndetin dhe sigurinë, duke marrë parasysh karakterin e veçantë të punës policore". Më tej vazhdon se : "Karta Evropiane Sociale dhe vendimet ligjore në çështjet lidhur me këtë Kartë përmbajnë elementë të rëndësishme që kanë të bëjnë me të drejtat ekonomike dhe sociale të personelit policor".
Mund të ketë fuqi prapavepruese ky projekt ligj ?
Në fakt po. Këtij projekti i jepet edhe fuqi prapavepruese, që të drejtat e përftuara deri tani nga ish-punonjësit e Policisë do të rishikohen. Fuqia prapavepruese e këtij projekt ligji bie haptas në kundërshtim me frymën e Kushtetutës (duke cenuar parimin e shtetit të së drejtës, konceptin e sigurisë juridike, të së drejtës së fituar, të pritshmërisë së ligjshme dhe të besimit të qytetarëve te shteti, parim që është sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës) dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; duke venë në dyshim parimin e sundimit të së drejtës dhe sigurisë juridike, e cila mund të preket vetëm në raste përjashtimore, kur është fjala për të mbrojtur një interes publik.
Gjykata Kushtetuese, në Vendimin nr. 9/2007 në një çështje analoge si kjo (fuqia prapavepruese e një ligji për sigurimet shoqërore suplementare lidhur me të drejtat që janë njohur), thekson:"Cenimi i parimit të sigurisë juridike bëhet veçanërisht më i ndjeshëm në marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore të disa kategorive punonjësish, me qenë se kjo marrëdhënie mbështetet në strukturën ligjore të mbajtjes së besimit dhe në bindjen e të siguruarve për seriozitetin dhe korrektësinë e shtetit".
Po kjo gjykatë në Vendimi nr.34/2005, thekson:"Shteti i së drejtës, i cili garantohet që në Preambulën e Kushtetutës, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai përbën një normë të pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues".