E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy trafikantëve të njerëzve

GJIROKASTËR

GJIROKASTËR- Tentuan të kalonin ilegalisht drejt Greqisë shtatë shtetas, arrestohen nga policia. Dy trafikantë të qenieve njerëzore janë vënë në pranga në Kakavijë. "Arrestimi i Ardian Bullarit, 34 vjeç dhe Albert Micit, 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gërmenj, u bë pasi janë kapur në vendin e quajtur "Rruga e Mullirit", së bashku me pesë shtetas të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe dy fëmijë (4 dhe 7 vjeç), nga fshati Spoliat i komunës Gradisht të rrethit Lushnjë, ndërsa tentonin të kalonin kufirin për në Greqi në mënyrë të paligjshme",- thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp të policisë për këtë ngjarje.


Mësohet se pas intervistimeve të kryera ka rezultuar se dy të arrestuarit kanë qenë edhe organizatorët e kalimit të kufirit kundrejt pagesës prej 1 mijë euro për secilin prej shtetasve. "Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" është vepra penale që rëndon mbi dy të arrestuarit.


------------------------------------------------------------------------


ELBASAN

Aksidentohet për vdekje kalimtari në autostradë


ELBASAN- Segmenti Elbasan-Metalurgji është kthyer sërish në arenë për aksidente fatale. Një 59-vjeçar ka gjetur vdekjen gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të shtunës në këtë segment në afërsi të një lavazhi.

Vasil Pëllumbi, 59 vjeç, me banim në lagjen "Haxhias" të qytetit të Elbasanit është përplasur nga një mjet tip "Benz" me targa EL 8746 B, i drejtuar nga shtetasi Tomorr Muça, 40 vjeç, me banim në fshatin Katund i Ri të komunës Bradashesh në rrethin e Elbasanit. Mësohet se drejtuesi i mjetit, pas përplasjes e ka transportuar 59-vjeçarin drejt spitalit kirurgjik, por i aksidentuari ka gjetur vdekjen rrugës. Viktima ka qenë këmbësor dhe dyshohet se ka tentuar të kaloje në anën tjetër.


Në vendin e aksidentit ka mbërritur policia rrugore dhe një ekip hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Kjo rrugë që për shkak se është e drejtë shfrytëzohet nga mjetet për shpejtësi ka regjistruar mjaft aksidente me vdekje. Mungesa e tabelave sinjalizuese dhe shtëpitë shumë afër rrugës e kanë bërë këtë segment mjaft të rrezikshëm.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›