Autoriteti i verifikimit të Figurave, sot zgjidhen anëtarët
Komisioni i Ligjeve pritet të miratojë sot anëtarët e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare, një detyrim që lind nga ligji i dosjeve. Pas kësaj procedura, nw seancën parlamentare tw 16 shkurtit do tw miratohet dhe autoriteti i verifikimit. Ligji përcakton se brenda muajit shkurt, Kuvendi duhet të miratojë anëtarët e këtij komisioni si dhe rregulloren e tij të punës. Pritet që të miratohet edhe organika e punonjësve, fondet si dhe plani i punës. Ligji përcakton se nga fillimi i punës së komisionit që do të verifikojë zyrtarët, ka vetëm 6 muaj afat që të hetojë të gjithë zyrtarët që kërkon ligji. Do të duhet të zgjidhen 5 anëtarë, dy nga mazhoranca, dy nga opozita dhe një kryetar me konsensus, në mënyrë që ky komision të hapë dosjet për të gjithë zyrtarët e parashikuar në ligj. Nga ana tjetër, në rast se ka vullnet, ligji ka parashikuar çdo vonesë që mund t’i vijë përballë këtij procesi. Në rast se opozita refuzon të japë emrat e saj për anëtarët e Komisionit të Verifikimit, ligji ka parashikuar që deputetët me shumicë vote zgjedhin dy të tjerë nga shoqëria civile. Kjo do të bëjë të mundur që komisioni të ngrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Subjekt i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Ligji ka si qëllim kontrollimin e figurës së çdo funksionari politik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990.