E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarja Nesrin Lushta në krye të KQZ-së

Prishtinë -Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu në bazë të kompetencave që ka me Kushtetutën e Kosovës, ka emëruar sot Nesrin Lushtën në krye të Komisionit Qendror Zgjedhor. Lushta do të udhëheq KQZ-ën, pas dorëheqjes së parevokueshme të Zait Xhemajlit nga ky post.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në bazë të kompetencave që i jep Kushtetuta e vendit, sot ka emëruar kryetare të re të Komisionit Qendror Zgjedhor, zonjushën Nesrin Lushta. Ajo sot në orën 13:00 do ta jap betimin para presidentit dhe do të marrë zyrtarisht detyrën”, ka deklaruar zëdhënësi i presidentit Xhavit Beqiri.

Nesrin Lushta ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë në vitin 1982, dhe ka punuar si gjykatëse në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë deri në vitin 1992. Më pas, për nëntë vite ajo ushtroi punën e avokates, ndërsa në vitin 2001 u emërua drejtoreshë e Institutit Kosovar të Gjyqësisë. Në vitet 2004- 2006 ajo ishte anëtare e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë së Kosovës, ndërsa ka qenë e përfshirë si konsulente dhe eksperte për disa institute dhe organizata ndërkombëtare.

Emërimi i Lushtës në krye të KQZ-së është ndër elementet kryesore në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve lokale të paralajmëruara për vjeshtë të këtij viti.

Ndryshe, dorëheqja e Xhemajlit nga posti i shefit të KQZ-së erdhi në ditën kur presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kishte paralajmëruar thirrjen e konsultave me partitë politike për gjetjen e një date për mbajtjen e zgjedhjeve komunale. /RTK/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›