Vrasja në Yzberisht, killer me pagesë
Etleva Delia
Vrasja e Ramazan Dorzit, në qendër të Yzberisht dy ditë më parë, paraprakisht është klasifikuar nga grupi hetimor si vrasje me pagesë. Përveç një identikiti të ndërtuar me përafërsi, policia e Tiranës nuk ka asnjë provë më tepër rreth autorit të vrasjes së ndodhur të dielën. Oficerët e policisë nuk kanë fiksuar asnjë provë tjetër në vendin e ngjarjes, veç një gëzhoje dhe një plumbi. Grupit hetimor nuk i kanë shkuar në ndihmë as dëshmitë e 32 personave që janë shoqëruar në polici gjatë gjithë natës së të dielës. Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një dëshmi të dobishme në ndihmë të hetimeve. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, mësohet se ekzekutimi i “Xanit” të Yzberishtit është kryer në gjakftohtësi të plotë, vetëm me një plumb pas koke dhe pa silenciator. Personi që ka ekzekutuar 40-vjeçarin ka qenë i maskuar me kapele dhe në duar mbante doreza, në mënyrë që të mos linte asnjë shenjë. Këtë fakt e kanë pohuar disa nga dëshmitarët kryesorë që kanë parë ngjarjen. Në vendin e ngjarjes policia ka fiksuar vetëm një gëzhojë që ka dalë nga pistoleta e autorit dhe pistoletën e viktimës, të cilën e mbante në brez, siç besohet të mbushur.
NGJARJA
Në orën 17:40 është ekzekutuar me plumb pas koke në qendër të Yzberishtit të Tiranës, Ramazan Dorzi, i njohur si “Xani” i Yzberishtit dhe që kishte edhe emrin tjetër, Shkëlqim Dorzi. Sipas policisë, ai ka qenë një person me precedentë, pasi dy herë është shoqëruar për vjedhje me armë dhe dy herë të tjera i ka shpëtuar dy atentateve. Gjithashtu Dorzi njihej si një njeri problematik dhe që ishte përfshirë në “luftën” mes bandave të Yzberishtit, që prej vitit 1997. Sipas policisë, viktima kishte ndryshuar emrin për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme dhe lëvizte gjithmonë i armatosur dhe i shoqëruar nga persona të tjerë. Edhe të dielën, në momentin e vrasjes ai ka qenë me pistoletë në brez. Atentatori e ka qëlluar me një plumb pistolete pas koke, teksa Dorzi po pinte kafe me një mikun e tij në një lokal pranë shtëpisë, në pronësi të Bekim Çaushajt, dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Çaushaj është shoqëruar në polici në cilësinë e dëshmitarit, por pa arritur të japë detaje të rëndësishme, duke qenë se autorin e ka parë vetëm në momentin e ikjes, kur ai ishte me kurriz dhe duke nxituar të fshihej. Në dosjet e policisë së kryeqytetit, ky rezulton të jetë atentati i tretë që i bëhet Dorzit. Burime nga policia pohuan se motivi i ngjarjes dyshohet të jetë hakmarrja mes grupeve rivale të Yzberishtit. Disa vite më parë 40-vjeçarit i kanë vrarë një nga vëllezërit. Në vitin 2006 ai ka mbetur i plagosur në një atentat në Mëzez të kryeqytetit, ky mbetën të vrarë 2 persona në taksinë që ai ndodhej, miku i tij Festim Hoxha dhe taksisti Thoma Bima. Ndërsa në nëntor të një viti më parë i është vënë 700 gramë eksploziv poshtë makinës. Policia ka shoqëruar 32 persona gjatë të dielës dhe 2 të tjerë janë shoqëruar dje për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes. Dëshmia e mikut që ndodhej në tavolinë me Dorzin në momentin e vrasjes, e cila pritej të ishte mjaft e rëndësishme, nuk ka rezultuar e tillë, pasi nuk ka arritur të shohë autorin e ngjarjes. Pasi ka parë Dorzin të vrarë, atij i ka rënë menjëherë të fikët, por edhe më pas ka qenë në gjendje shoku.
Dy atentatet e dështuara ndaj Dorzit
TIRANE - Ramazan (Shkëlqim) Dorzi ka qenë prej kohësh në shënjestrën e atentatorëve. Sipas policisë, Dorzi ndiqej për t’u vrarë edhe për hakmarrje, por edhe si dëshmitarë në një vrasje të dyfishtë, ku ai mbeti i plagosur. Më 18 prill të vitit 2006, Dorzi i shpëtoi mrekullisht vdekjes, kur u vranë në Mëzes dy persona. Ai mbeti i plagosur në këmbë dhe në krah, duke u hequr sikur kishte vdekur, ndërsa mbeti i vrarë miku i tij, Festim Hoxha që ndodhej në makinë me të dhe taksisti Thoma Bima. Ndërkohë pasi kishin kaluar 2 vjet e disa muaj nga plagosja e tij, persona të panjohur tentuan ta vrisnin në një atentat të dytë, të cilit Dorzi i shpëtoi sërish. Në nëntor të vitit 2008, ka zbuluar se poshtë motorit të kamionçinit të tij, me të cilën ai transportonte inerte, ishte vendosur 700 gramë tritol, i cili do të plaste sapo ai të ndizte makinën.