Fillon gjyqi për Gashin, “ushtari” i Lul Berishës
TIRANE – I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Adriatik Coli do të dëshmojë edhe në procesin gjyqësor në ngarkim të Bujar Gashit te Krimet e Rënda. Gjykata ka nisur dje shqyrtimin gjyqësor në ngarkim të Gashit, të akuzuar si anëtar i “bandës së Durrësit”, i cili gjykohet në një proces të ndarë nga pjesa tjetër e bandës. Kërkesa për pyetjen në cilësinë e dëshmitarit të të penduarit Coli, u bë në seancën e djeshme gjatë fazës së kërkesave paraprake. Pasi ka lexuar kërkesën për gjykim, përfaqësuesi i akuzës ka njohur gjykatën me provat që do të paraqesë në proces. Sipas akuzës, mes dëshmive që pritet të paraqiten do të jetë edhe ajo e Adriatik Colit. Në vijim seanca u shty për t’i dhënë kohë avokatit të përgatisë kërkesat paraprake. Gashi është arrestuar rreth një vit më parë në Milano në Itali, ndërsa u ekstradua në vendin tonë më 26 maj 2009. Gashi akuzohet nga prokuroria si autor i vrasjes së Dritan Dishës në vitin 2000, ngjarje e ndodhur në fshatin Shënvlash të rrethit Durrës. ar.ba