Reklamat nuk e frenojnë evazionin fiskal
Fushata kundër evazionit fiskal që ka nisur Ministria e Financave me reklama në gazeta dhe spote televizive duket tërheqëse, por kam frikë se është thjesht harxhim parash. Sigurisht, mesazhi është se ne, si konsumatorë, duhet të kërkojmë fatura për mallrat dhe shërbimet, por le të mos mashtrojmë veten: Nëse vërtet doni që njerëzit t’i respektojnë ligjet e taksave, ata duhet ta dinë se qytetari që paguan taksa, do të shpërblehet dhe mashtruesit do të ndëshkohen, që të ardhurat nga taksat do të menaxhohen mirë dhe jo të shpërdorohen dhe që paratë do të shpenzohen për arsimin, shëndetësinë, zhvillimin etj.
Greqia nuk i përmbush këto kritere. Qeveria po e fundos ekonominë me deficit të madh buxhetor, ndërsa shërbimet sociale që ofron, janë të pamjaftueshme dhe me cilësi të dobët. Biznesmeni i ndershëm që paguan taksa, i cili kërkon kontroll më të fortë të taksave, ndihet budalla, kur shikon që të tjerëve iu ofrohen kushte më të favorshme.
Si mund të fitojë respekt për ligjet e taksave një qytetar me rrogë mesatare, kur e di që për dekada ai ka mbajtur peshën e barrës së taksave të vendit, kur, së bashku me pensionistët, ai është për 50 për qind të të ardhurave nga taksat dhe deklaron mesatarisht 68 për qind të të ardhurave të tij të taksueshme, ndërsa bizneset e mëdha deklarojnë 16 për qind e shitësit me pakicë, fabrikat dhe personat në profesion të lirë deklarojnë 15 për qind? Çfarë mund të thuhet, kur ai shikon mos-paguesit e mëdhenj të taksave që lëvizin të lirë, pasi kanë vjedhur TVSH e paguar nga klientët e tyre? A është bërë publik emri i ndonjë abuzuesi me taksat? Jo, sepse Ministria e Ekonomisë nuk i publikon emrat e atyre që zbulon se kanë shmangur taksat dhe shpall amnisti për pronarët e mediave.
Së fundi, kur sistemi i taksave është korruptuar deri në këtë farë feje dhe çdo biznesmen e di se pa i lyer kujt dorën dokumentet e tij do të gjenden me mangësi, edhe kur kanë, edhe kur nuk kanë, si mund të mendohet që ai të respektojë ligjet për taksat, ndërsa e di që shteti po i bën një padrejtësi të madhe? Është koha që Ministria e Ekonomisë të kthejë sytë seriozisht nga reformimi i sistemit të taksave dhe jo të nisë një fushatë të butë, nga e cila nuk fiton askush veç agjencisë së reklamave.