“Pas NATO-s, rrugë të shpejtë drejt BE-së”

Kryetarja e Kuvendit merr përgëzimet e delegacionit parlamentar çek
TIRANE - “Pas anëtarësimit në NATO, urojmë që rruga e Shqipërisë drejt BE-së të jetë sa më e shkurtër”.
Këtë urim i ka përcjellë Kryetari i Komisionit të ligjeve në Parlamentit çek, Marek Benda, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, duke uruar në të njëjtën kohë dhe gjithë shqiptarët për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme me Kryetaren e Kuvendit, Benda e cilësoi si një koecidencë shumë të bukur këtë vizitë në Tiranë në këtë moment historik, që u ka sjellë në memorie momente nostalgjike të anëtarësimit të Çekisë në NATO.
Kryetari i Komisionit të ligjeve në Parlamentit çek, Marek Benda, theksoi se “NATO është thjesht një organizatë por është një bashkim shtetesh që jetonë në paqe e liri e që garantojnë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit. Ndaj dhe anëtarësimi i Shqipërisë është një ngjarje e jashtëzakonshme”.
Benda, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, konfirmoi se “Çekia është shumë e interesuar që Shqipëria dhe vendet e ‘Bllokut të Lindjes’ të përafrohen me BE-në dhe ne do të mbështesim politikën e zgjerimit me të gjitha mundësitë”.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për çdo vend, por anëtarësimi i Shqipërisë ishte i një rëndësie historike, pasi pas 17 vitesh ndarje nga regjimi izolues totalitar ne arritëm t’i bashkoheshim familjes që i përkisnim, mes kombeve të lira”.
Kryetarja Topalli nënvizoi ndër të tjera se “tashmë në politikën e jashtme prioritare është liberalizimi i vizave, sepse shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë. Energjia dhe optimizmi i qytetarëve shqiptarë, vokacioni i tyre perëndimor kanë shërbyer si motor për ecjen tonë përpara”.
Në të njëjtën linjë me Kryetaren Topalli ka qenë edhe zoti Brenda, i cili pasi theksoi ndjesinë dhe afrimitetin e Çekisë me Shqipërinë si dy vende të ish bllokut komunist, shtoi se vendi i tij është për hapjen e portave të Evropës që qytetarët, të rinjtë , djemtë e vajzat të lëvizin të lirë, të mendojnë të lirë. Biseda u ndal më tej edhe në bashkëpunimin ekonomik, ku Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që një kopani çeke ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri dhe uroi që kësaj kompanie t’i bashkëngjiten të tjera nga vendi mik çek. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e rritjes dhe intensifikimit të bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe shkëmbimin e përvojës në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.