E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma e deputetëve të PD, kundër ndryshimeve

Deputetët demokratë hidhen kundër ndryshimeve në Kushtetutë. Një prej deputetëve të zgjedhur nga elektorati i djathtë në Tiranë, Besnik Mustafaj, ka kundërshtuar dje fuqishëm ndryshimet që priten të bëhen në dokumentin themeltar të shtetit. Mustafaj kërkon që Presidenti të zgjidhet nga populli dhe të mos ulen kompetencat e tij. Ndërkohë, deputetë të tjerë të PD-së bëjnë me dije se këto ndryshime nuk janë diskutuar as në kryesi dhe as në grupin e Partisë Demokratike. Burime pranë PD-së bëjnë me dije se Partia Demokratike është duke menduar tërheqjen e saj në disa pika që prek relacioni që ata kanë dorëzuar për ndryshimet në Kushtetutë. Pika kryesore ku PD do të tërhiqet është ajo e kompetencave të Presidentit. Këto ndryshime cenojnë kompetencat e Presidentit dhe për këtë arsye deputetët e djathtë, që janë në krahun e ish-kryetarit të grupit të PD-së, Bamir Topit, i cili sot është në karrigen e Presidentit, kundërshtojnë fuqishëm këto lëvizje në Kushtetutë, të cilat etiketohen nga vetë deputetë të PD-së si lojëra të rrezikshme. Amendamenti kushtetues i PD, që propozon kontrollin e dekreteve të Presidentit nga qeveria, duke i shoqëruar ato në shumicën dërrmuese të rasteve me kundërfirmën e Kryeministrit apo ministrit përkatës, ka hapur debat të nxehtë mes deputetëve të PD-së. Ndonëse fundjava i ka gjetur deputetët jashtë Tiranës, të kontaktuar nga "Shqip" ata bëjnë me dije se ditën e hënë pritet të zyrtarizohet qëndrimi i shumicës duke kërkuar tërheqjen nga firmosja e dekreteve nga Kryeministri, për të mos ndryshuar kompetencat e kreut të shtetit. Lufta e hapur mes grupimeve brenda PD-së rrezikon të sjellë përçarje mes dy institucioneve, si ai i Kryeministrisë dhe Presidencës, dhe për këtë arsye partia më e madhe në pushtet ka vendosur të lëshoj pe në disa pika. Debati pritet të mos lërë pa përfshirë edhe vetë numrin një të shtetit, Bamir Topin, nëse deputetët mbështetës të tij nuk arrijnë të ndryshojnë amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike. Grupi i PD-së duket i çarë më dysh për shkak të disa amendamenteve që i heqin kompetencën Bamir Topit dhe i japin më shumë fushë veprimi Sali Berishës. Këto propozime nga një grup i PD-së cilësohen si të bëra nga kundërshtarë të Bamir Topit, megjithatë ata kanë premtuar se nuk do ta votojnë këtë paketë, nëse ajo nuk ndryshon urgjentisht. Konfliktet brenda PD-së priten të shtohen dhe situata të bëhet më e nxehtë nëse Partia Demokratike nuk heq dorë në mënyrë zyrtare nga tendenca që Kryeministri të dominojë më shumë sesa Presidenti për dekrete të caktuara. Shumë nga deputetët e djathtë i citojnë si të papërshtatshme dhe jonormale ndryshimet që janë propozuar ditën e enjte në Komisionin e Ligjeve dhe vendimi zyrtar për këtë çështje do të bëhet publik vetëm ditën e hënë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›