E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, akuza Ramës: Pazar me Berishën, kundër Presidentit

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka hedhur dje akuza të forta ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit për pazare me Kryeministrin Berisha, në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë. Sipas kryetarit të LSI-së, "pazaret e ndyra mes kryetarit të PS-së dhe kryetarit të PD-së po dalin hapur çdo ditë dhe më shumë". "Këto pazare, tha Meta po bëhen jo vetëm për të ndëshkuar sërish votën e shqiptarëve përmes atij kodi që ka marrë tashmë emrin e kodit të Gërdecit, por njëkohësisht edhe për ta kthyer Kushtetutën që shqiptarët e kanë votuar me referendum në më pak se një dekadë me parë, në një Kushtetutë të Gërdecit, pra të korrupsionit dhe të ortakërisë, për interesa të ngushta midis krerëve të dy forcave të vjetra politike". Akuzat e kryetarit të LSI-së ndaj kryetarit të PS-së kanë vijuar më tej duke u ashpërsuar. Meta deklaroi publikisht se "të gjithë jemi tronditur se si në këmbim të listave të mbyllura të kodit të Gërdecit, që kërkon kreu i PS-së, për të kontrolluar e për të vënë në rresht si ushtarë, pa asnjë lloj identiteti dhe dinjiteti, deputetët e ardhshëm të PS-së, Sali Berisha i kërkon qartazi atij që të mbështesë ndryshimet në Kushtetutë, që kërkojnë të përjetësojnë pushtetin e Sali Berishës". Meta tha se kryetari i PS-së, Edi Rama, po ndihmon Kryeministrin Berisha për të marrë në dorë të gjitha pushtetet, ashtu siç bëri në 1994. Por, ka theksuar kreu i LSI-së, këto po ndodhin vetëm me një ndryshim. Disa vite më parë Berisha kërkoi të marrë kompetencat kur ishte President dhe tani po kërkon t‘i rimarrë këto kompetenca, por në postin e Kryeministrit. Meta ka theksuar se LSI-ja është kundër ndryshimeve kushtetuese, duke theksuar se "ne nuk mund të pranojmë që ndryshimi i Kushtetutës të diskutohet dhe të ndodhë befas, duke i nxjerrë nga sirtarët e Fatos Bejës apo të Sali Berishës, dhe me bekimin e Xhafës dhe të Islamit, kur dihet qartë se Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të ndryshojë as në mënyrë klandestine, as në mënyrë korruptive, për të krijuar jo një, por dy Berisha në Shqipëri dhe përmes një parlamenti të Mega-dushkut, pa iu nënshtruar një procesi të hapur dhe transparent". Kushtetuta e Shqipërisë, tha Meta, nuk mund të bëhet si KRRT-ja e Tiranës, që ndryshon kur do Rama me Berishën për interesa të mbyllura klienteliste. Nuk mund të bëhet as si statuti i PS-së dhe i PD-së, që ndryshon sipas interesave të kryetarit të tyre. "Është një Kushtetutë që ka vullnetin e shumicës së shqiptarëve, është një Kushtetutë e njohur nga bota demokratike dhe ne nuk do të tolerojmë në asnjë rast që ajo të kthehet në një biznes personal të dy individëve krejtësisht të papërgjegjshëm, antishtet, anarkistë, të cilët nuk mund të ndërtojnë institucione, të cilët nuk mund të ndërtojnë një raport transparent midis politikës dhe qytetarëve shqiptarë", është shprehur Meta. Por kryetari i LSI-së ka theksuar se nuk do ta lërë në heshtje këtë çështje, duke mos lejuar kryetarët e dy partive të mëdha të bëjnë si të duan me Kushtetutën dhe me këtë vend. "Ne do të bëjmë gjithçka, ne do t‘i drejtohemi popullit, atij që ka votuar Kushtetutën. Ne do të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur Kushtetutën. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e shqiptarëve, nga kthimi i tyre në skllevër të dyshes Rama-Berisha", është shprehur Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›